Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ke «vazhdimisht gosti»?

A ke «vazhdimisht gosti»?

«Të këqija janë të gjitha ditët e të munduarit, por kush është i gëzuar në zemër, ka vazhdimisht gosti.»Proverbat 15:15.

PËR çfarë e ka fjalën ky shkrim? Për gjendjen mendore dhe emocionale. «Të munduarit» i rri mendja te gjërat negative, dhe kjo pikëpamje ia bën ditët «të këqija» ose të zymta. Kurse ai që «është i gëzuar në zemër» përpiqet të përqendrohet në gjëra pozitive, një qëndrim që i jep gëzim të brendshëm dhe kështu ai ka «vazhdimisht gosti».

Të gjithë kemi probleme që na e heqin në njëfarë mase gëzimin. Prapëseprapë, mund të jemi në gjendje të bëjmë ca gjëra që na ndihmojnë të ruajmë gëzimin në ditë të vështira. Le të shqyrtojmë çfarë thotë Bibla.

  • Mos lejo që ankthi për të nesërmen të të rëndojë sot. Jezu Krishti tha: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.»Mateu 6:34.

  • Përpiqu të përqendrohesh te gjërat e mira që të kanë ndodhur. Kur ndihesh përtokë, pse të mos bësh një listë të këtyre gjërave të mira dhe të mendosh për to? Gjithashtu, mos e mbaj mendjen te gabimet ose gjërat e këqija që ke bërë në të kaluarën. Mëso prej tyre dhe shiko përpara. Ji si shoferi që i hedh një shikim të shpejtë pasqyrës për të parë mbrapa, por që nuk përqendrohet tek ajo. Mos harro edhe se «[Perëndia] fal me të vërtetë».Psalmi 130:4.

  • Kur ankthet të vënë poshtë, hapu me dikë që mund të të ngrejë humorin. Proverbat 12:25 thotë se ‘ankthi i zemrës e kërrus njeriun, kurse fjalët e mira e gëzojnë’. Këto ‘fjalë të mira’ mund të vijnë nga një pjesëtar i familjes ose nga një mik i besuar, dikush që nuk është dyshues ose pesimist, por «të do në çdo kohë».Proverbat 17:17.

Thëniet e mençura që gjejmë në Bibël, kanë ndihmuar shumë veta ta gëzojnë më tepër jetën, edhe në kohë të vështira. Urojmë që këto thënie të çmuara të jenë ndihmë edhe për ty.