Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Të rinjtë pyesin

Si të bëj përshtypje të mirë?

Si të bëj përshtypje të mirë?

«Kjo intervistë pune po shkon yll fare. Shefi im i ardhshëm s’ka si të mos e shohë sa tip i shpenguar jam; që kur hyra e kam thirrur me emër. E di si një e një që bëjnë dy se punën e kam në xhep.»

«Ky qenka djaloshi që më dërgoi atë CV-në fantastike? Larg qoftë ta marr në punë! Nëse sillet kështu para se të fitojë punën, ç’do të bëjë më vonë?!»

Shiko figurën dhe lexo tekstin sipër. A mund të dallosh tri mënyra se si kandidati për punë po lë përshtypje të keqe?

  1. ․․․․․

  2. ․․․․․

  3. ․․․․․

Përgjigjet poshtë

1. Veshja e djalit është shumë sportive për një intervistë pune. 2. Të folurit e tij (i drejtohet punëdhënësit me emër) është tepër familjar. 3. Gjestet dhe pozicioni tregojnë mungesë respekti.

 ZËRE se po shijon një ushqim për herë të parë. Sa kohë të duhet që të kuptosh nëse të pëlqen? Mund të mjaftojë veç një kafshatë për të vendosur në do ta futësh më në gojë ose edhe në do ta mbarosh pjatën.

Diçka e ngjashme ndodh kur takon dikë për herë të parë. Brenda pak çastesh krijon një përshtypje për atë njeri. Por ja diçka që të fut në mendime: në po aq kohë, tjetri krijon një përshtypje për ty.

A po kërkon punë? Një mik? Një bashkëshort? Suksesi mund të varet nga përshtypja e parë që lë. Le të shohim tri aspekte ku mund të përmirësohesh në marrëdhëniet shoqërore, që të sigurohesh se do të krijosh përshtypje të mirë.

1. Pamja jote

E drejtë a e padrejtë, përshtypja e parë që krijojnë të tjerët për ty, mund të bazohet tek ajo që shohin në fillim, te pamja jote. Shpesh shpërfillet ky aspekt që ndikon te lënia e një përshtypjeje të mirë. Një e re që quhet Klarisa, * thotë: «Sot, kur shkon në ndonjë restorant, nuk e di nëse njerëzit do të shfaqen aty me veshje për ballo apo me pizhame.»

S’do mend, veshja duhet t’i përshtatet rastit. Për shembull, për një intervistë pune nuk do të visheshe si për në plazh. Po sikur të mos jesh i sigurt çfarë është e përshtatshme? Çelësi është të tregosh maturi duke shmangur ekstremet. Nëse ke dyshime, ano nga një veshje më serioze.

MOS HARRO! Ashtu si një radiografi, mënyra si vishesh e mbahesh, zbulon si je nga brenda.

«Kur shoh njerëz të veshur çuditshëm në një grumbullim, i shmang. Në atë moment, gjithçka që di për ta është paraqitja e tyre, dhe veshja i përfaqëson keq.»​—Diana.

Bibla rekomandon ‘veshjet e rregullta’ që tregojnë se ke «modesti dhe mendje të shëndoshë».​—1 Timoteut 2:9.

Pyet veten: «A duket e rregullt veshja ime, apo ngjaj shkatarraq? Një punëdhënës, shok ose bashkëshort i mundshëm, a do të arrinte në përfundimin se nuk kam ‘mendje të shëndoshë’ nga mënyra si vishem?»

Sugjerim: kërkoji këshilla dikujt që e respekton për shijen në të veshur.

 2. Ajo që thua

Të folurit zbulon nëse je tip i përulur apo hundëpërpjetë, i shtruar apo i ankthshëm. Mbaje parasysh këtë nëse po përpiqesh t’i lësh përshtypje të mirë dikujt të seksit tjetër. Një vajzë që quhet Valeri thotë: «Më ngrihen nervat kur bisedoj me një djalë që flet gjithë kohës për veten.» Pastaj shton: «Ekstremi tjetër është që disa djem duan të dinë gjithçka për ty në moment. Vajzave kjo u zë frymën dhe u vjen t’ia krisin vrapit.»

MOS HARRO! Fjalët janë si një dritare prej nga të tjerët mund të shohin si je vërtet, ndaj sigurohu që «peizazhi» të jetë i këndshëm.

«Kur takoj për herë të parë një djalë, kam qejf kur sillet natyrshëm. Biseda e parë është e rëndësishme. Nëse po i stërmendon fjalët, ka shumë mundësi të jenë të shtira e më mirë të mos flasë fare.»​—Selena.

Bibla thotë: «Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja, por kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.»​—Proverbat 10:19.

Pyet veten: «Si ta gjej ekuilibrin që të mos bëhem as llafazan, as gojëkyçur? A ka diçka në mënyrën si flas që mund t’i skandalizojë ose t’i fyejë të tjerët?»

Sugjerim: kushtoju vëmendje atyre që dinë të bisedojnë. Çfarë bëjnë për ta mbajtur gjallë bisedën? A mund të bësh edhe ti njëlloj?

3. Mënyra si vepron

Siç thotë një shprehje, veprimet flasin më shumë se fjalët. Për shembull, nëse sillesh me edukatë, veprimet e tua thonë se i respekton të tjerët. Kjo është diçka tjetër që duhet ta mbash në mend kur je gati të kërkosh shokun a shoqen e jetës. Një vajzë e quajtur Keri thotë: «Gjërat e vogla, si t’i mbash derën hapur dikujt, tregojnë respekt. Shumë prej tyre janë thjesht gjeste mirësjelljeje.»

MOS HARRO! Veprimet e tua janë si një afishe që shpall çfarë cilësish ke brenda teje. (Proverbat 20:11) Si «të reklamojnë» veprimet?

«Për mua, ka rëndësi të jesh dëgjues i mirë. Gjithashtu, tregon edukatë kur nuk e ndërpret atë që po flet, përveçse po të jetë e nevojshme.»​—Natalia.

Bibla thotë: «Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.»​—Luka 6:31.

Pyet veten: «A sillem me edukatë? A interesohem sinqerisht për të tjerët? A jam i besueshëm? A jam i përpiktë?»

Sugjerim: planifiko të arrish në takime të paktën dhjetë minuta më herët që, po të dalë ndonjë e papritur, prapë të jesh në orar. Mos lejo të krijohet që në fillim përshtypja sikur je tip që vjen me vonesë!

Por, kujdes: të bësh përshtypje të mirë nuk do të thotë të vësh një maskë, që tekefundit do të ishte shtirje. (Psalmi 26:⁠4) Në vend të kësaj, përcakto për çfarë cilësish të mira dëshiron të njihesh dhe pastaj përpiqu t’i kultivosh e t’i shfaqësh. (Kolosianëve 3:9, 10) Ndërsa bën këtë, mos harro se je ti krijuesi i reputacionit tënd. Duke i kushtuar vëmendje pamjes, të folurit dhe veprimeve të tua, do të bësh që në fillim një përshtypje të mirë, që do të mbetet gjatë.

^ par. 15 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.