Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ka rëndësi mënyra si flasim?

Pse ka rëndësi mënyra si flasim?

 Pikëpamja e Biblës

Pse ka rëndësi mënyra si flasim?

Pas bisedës gjithë mirësjellje, pa e ditur që mikrofoni është akoma ndezur, kryeministri e quan prapanike të moshuarën që sapo takoi dhe ankohet që stafi i tij nuk e mbajti larg. Mbarë populli shtanget nga etiketa që i vuri gruas. Me reputacion të njollosur, kryeministri humb zgjedhjet vetëm tetë ditë më pas.

NUK ka njeri që ta mbajë nën kontroll gjuhën në mënyrë të përsosur. (Jakovi 3:2) E megjithatë, përvoja e mësipërme tregon se fjalët kanë peshë. Reputacioni, karriera, e madje edhe lulëzimi ose prishja e marrëdhënieve me të tjerët kanë në thelb mënyrën si flasim.

Por, a e dije se fjalët mund të bëjnë më tepër se kaq? Bibla shpjegon se mënyra si flasim është si një dritare përmes së cilës shihet bota jonë e brendshme dhe zbulohet cilët jemi në të vërtetë. Jezui tha: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mateu 12:34) Përderisa fjalët pasqyrojnë ndjenjat e mendimet që na dallojnë nga të tjerët, është e rëndësishme të shqyrtojmë se si shprehemi zakonisht. A mund të na ndihmojë Bibla? Të mendojmë pak për sa thuhet më poshtë.

Si ta përmirësojmë të folurit?

Fjalët lindin nga mendimet. Që të përmirësojmë atë që themi, duhet të shqyrtojmë e të përmirësojmë mënyrën si mendojmë. Të vërejmë se si zbatimi i Fjalës së Perëndisë mund të ndikojë te mendimet, që pastaj do të pasqyrohen te fjalët tona.

Ta mbushim zemrën me gjëra të mira. Bibla i përshkruan kështu këto gjëra të mira: «Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë që vlerësohet si serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar.»​—Filipianëve 4:8.

Zbatimi i kësaj këshille të mirë do të na ndihmojë të përzëmë mendimet e papërshtatshme. Të mos harrojmë se mendimet ushqehen dhe zënë rrënjë nga ajo që shohim e që lexojmë. Ndaj, për të shmangur mendimet negative e të papastra, duhet të shmangim ndikimet negative. Kjo nënkupton të rrimë larg zbavitjeve të dhunshme e të ndyra. (Psalmi 11:5; Efesianëve 5:3, 4) Bëjmë mirë ta çojmë mendjen te gjëra të pastra, pozitive. Bibla mund të na ndihmojë për këtë. Për shembull, të lexojmë Proverbat 4:20-27; Efesianëve 4:20-32 dhe Jakovin 3:2-12. Të mundohemi të kuptojmë se si zbatimi i parimeve që gjenden në këto shkrime, mund të na përmirësojë mënyrën si flasim. *

T’i peshojmë mirë fjalët. «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate, por gjuha e të mençurve është shërim»,—thuhet te Proverbat 12:18. Nëse vërejmë se i ‘godasim’ ose i lëndojmë shpesh të tjerët, le të përpiqemi të mendojmë para se të flasim. T’ia vëmë veshin këshillës së shkëlqyer të Proverbave 15:28: «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet, ndërsa goja e të ligjve dërdëllit gjëra të këqija.»

 Të vëmë një synim. Gjatë muajit tjetër, të jemi të vendosur të mos themi gjënë e parë që na kalon në mend, sidomos kur acarohemi. Përkundrazi, të bluajmë me vete shkrimet e këtij artikulli dhe të bëjmë çmos të flasim me mençuri, dashuri e qetësi. (Proverbat 15:1-4, 23) Por, nuk mbaron me kaq.

T’i lutemi Perëndisë për ndihmë. Një shkrimtar i Biblës u lut: «Fjalët e gojës sime dhe meditimi i zemrës sime, qofshin të këndshme para teje, o Jehova!» (Psalmi 19:14) T’ia shprehim Perëndisë Jehova dëshirën që t’i përdorim fjalët në një mënyrë që e kënaq atë dhe që na bën shoqëri të këndshme për të tjerët. Te Proverbat 18:20, 21 thuhet: «Nxirr fjalë të mira nga goja​—s’do të bëhesh pishman. Fjalët mund të sjellin vdekje ose jetë.»​—Contemporary English Version.

Të përdorim si pasqyrë Fjalën e Perëndisë. Bibla është si një pasqyrë ku mund ta këqyrim mirë veten. (Jakovi 1:23-25) Për shembull, ndërsa meditojmë për tri parimet biblike të mëposhtme, të pyesim veten: «Si janë në përgjithësi fjalët dhe reputacioni im në këto pika?»

«Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.» (Proverbat 15:1) A flasim me butësi dhe në një mënyrë që nxit paqen?

«Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur, por vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë.» (Efesianëve 4:29) A u japin zemër fjalët tona atyre që kemi pranë?

«Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolosianëve 4:6) A mundohemi të flasim me hir dhe t’i bëjmë më të pranueshme për të tjerët fjalët tona, edhe në situata të sikletshme?

Kur ndreqim të metat që shohim në pasqyrë, bëhemi më tërheqës në sy të të tjerëve dhe ndihemi më mirë me veten. Na presin të njëjtat dobi nëse përmirësojmë mënyrën si flasim duke u parë në pasqyrën e Fjalës së Perëndisë.

[Shënimi]

^ par. 9 Mund të lexosh më shumë literaturë biblike në Internet në www.watchtower.org.

A DONI TË DINI?

● Çfarë zbulojnë fjalët tona?​—Luka 6:45.

● Si duhet t’u flasim të tjerëve?​—Efesianëve 4:29; Kolosianëve 4:6.

● Ç’gjëra praktike mund të bëjmë që të përmirësojmë mënyrën si flasim?​—Psalmi 19:14; Filipianëve 4:8.

[Figura në faqen 11]

Ajo që themi, ndikon te reputacioni dhe marrëdhëniet tona