Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

 Një vështrim rreth botës

Në fillim të një operacioni kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në një vit e gjysmë «policia kineze liroi 10.621 gra e 5.896 fëmijë të rrëmbyer». U arrestuan rreth 15.673 të dyshuar.​—CHINA DAILY, KINË.

«Në Kenia janë shkarkuar mbi 1.000 mësues ngaqë kanë abuzuar seksualisht me nxënëset gjatë dy viteve të fundit. . . . Një shërbim telefonik mbarëkombëtar i krijuar për këtë problem e që ruan anonimitetin . . . nxori në pah se problemi ishte më i përhapur nga ç’mendohej.»​—DAILY NATION, KENIA.

Sipas një studimi, njerëzit që kanë përdorur solarium për t’u nxirë, rrezikojnë 75 për qind më shumë të sëmuren me melanomë se ata që nuk kanë përdorur kurrë. Tek ata që kanë përdorur pajisje të nxirjes artificiale mbi 50 orë, mundësitë që të preken nga melanoma shtohen 2,5 deri në 3 herë.​—CANCER EPIDEMIOLOGY, BIOMARKERS & PREVENTION, SHBA.

«Vetëm 8% [e kanadezeve të fejuara] mendojnë se është gjë e mirë të mos bësh seks para martese» dhe «74% e çifteve jetojnë bashkë që para se të martohen».​—WEDDINGBELLS, KANADA.

Rreziqet e ujit të ndotur

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, «sot vdesin më shumë njerëz nga ujërat e infektuara dhe të ndotura sesa nga gjithë format e dhunës, duke përfshirë edhe luftërat». OKB-ja raporton se dy milionë tonë mbeturina​—bujqësore e industriale, si edhe ujëra të zeza, e kështu me radhë—​shkarkohen çdo ditë në lumenj e dete, duke përhapur sëmundje dhe duke dëmtuar ekosistemet. Për më tepër, çdo 20 sekonda, një fëmijë nën pesë vjeç vdes prej një sëmundjeje të shkaktuar nga uji i papijshëm. Akim Shtajneri, drejtor ekzekutiv i Programit të OKB-së për Mjedisin, thotë: «Që bota të jetë e begatë, . . . të gjithë bashkë duhet të tregohemi më të shkathët e më të zgjuar që të gjejmë zgjidhje për problemin e mbeturinave.»

Këndojnë për të rifituar të folurit

Mjaft pacientë që nuk flitnin më si pasojë e një iktusi, e rifituan të folurit duke kënduar. Neurologët i këshillojnë këta pacientë ta thonë me këngë atë që duan, pra t’i shprehin mendimet me rimë e melodi. Rezultatet e këtij trajtimi, të quajtur terapia e intonacionit melodik, kanë qenë mbresëlënëse. Siç shpjegon The Wall Street Journal, pas vetëm 15 javësh terapi, «pacientët mësuan dalëngadalë t’i kthenin në të folur fjalët e kënduara».

«Bum kopjimesh në shkollë»

Sipas Këshillit të Arsimit të Kanadasë (CCL), në një sondazh me 20.000 studentë të vitit të parë në Kanada, 73 për qind «rrëfyen se në shkollë të mesme kishin bërë hile një a më shumë herë në detyrat me shkrim». Një universitet raportoi se rastet e kopjimeve dhe plagjiaturave u shtuan me 81 për qind në periudhën 2003-2006. Dr. Pol Kaponi, president i CCL-së, thotë: «Gjatë dekadës së kaluar, Interneti dhe pajisjet e teknologjisë së fundit kanë krijuar terren për një bum kopjimesh në shkollë.»