Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një libër që mund t’i besosh​—Pjesa IV

Një libër që mund t’i besosh​—Pjesa IV

 Një libër që mund t’i besosh​—Pjesa IV

Medo-Persia në historinë biblike

Ky është i katërti në serinë prej shtatë artikujsh që do të dalin në numra të njëpasnjëshëm të revistës «Zgjohuni!» Këta artikuj shqyrtojnë shtatë fuqitë botërore në historinë biblike. Qëllimi i tyre është të tregojnë se Bibla është e besueshme dhe e frymëzuar nga Perëndia, dhe mesazhi i saj jep shpresë se vuajtjet e shkaktuara nga sundimi mizor i njeriut do të marrin fund.

GËRMADHAT e pallateve dhe varreve mbretërore na japin vetëm një ide të madhështisë, fuqisë e pasurisë së perandorisë dualiste të lashtë të Medisë e Persisë. Para bashkimit të këtyre të dyjave, Media ishte mbretëria mbizotëruese. Por, në vitin 550 p.e.s., ajo u vu nën sundimin e mbretit pers, Kirit II, i cili më pas u bë mbret i Medo-Persisë. Me qendër në rajonin që ndodhet në veri të gjirit Persik, me kalimin e kohës kjo mbretëri e paanë u zgjerua nga deti Egje, në Egjipt dhe në veriperëndim të Indisë, duke përfshirë Judenë.

Medo-Persia sundoi mbi kombin jude për më shumë se 200 vjet, nga rënia e Babilonisë, më 539 p.e.s., deri kur ajo vetë u mposht nga grekët në vitin 331 p.e.s. Libra të shumtë të Biblës përmendin ngjarjet domethënëse të asaj periudhe.

Histori e besueshme

Bibla na tregon se mbreti Kiri II i çliroi judenjtë që mbaheshin rob në Babiloni dhe i lejoi të ktheheshin në Jerusalem për të rindërtuar tempullin e Perëndisë, të cilin babilonasit e shkatërruan në vitin 607 p.e.s. (Ezdra 1:1-7; 6:3-5) Këtë tregim e mbështet edhe një dokument prej argjile i njohur si Cilindri i Kirit, i zbuluar në vitin 1879 në rrënojat e Babilonisë së lashtë. Mbishkrimi e përmend Kirin me emër dhe përshkruan politikën e tij të rikthimit të robërve dhe objekteve të tyre fetare në vendlindje. Shkrimtari biblik, Isaia, shkroi fjalët profetike të Jehovait për Kirin: «‘Do të kryejë plotësisht gjithçka që më pëlqen’, madje edhe atë që thashë për Jerusalemin: ‘Do të rindërtohet’, dhe për tempullin: ‘Do të hidhen themelet e tua.’»​—Isaia 44:28.

 Në fakt, tek Ezdra 6:3, 4 thuhet se Kiri urdhëroi që fondet për rindërtimin e tempullit ‘të paguheshin nga shtëpia e mbretit’. Kjo deklaratë e habitshme përputhet me historinë botërore. Në një libër shkruhet: «Ishte një politikë e rregullt e mbretërve persë që të ndihmonin në restaurimin e shenjtëroreve në perandorinë e tyre.»​—Persia and the Bible.

Bibla na tregon se kundërshtarët e judenjve i dërguan një letër Darit të Madh (që quhej edhe Dari I). Në të vinin në dyshim pretendimin e judenjve se Kiri kishte autorizuar rindërtimin e tempullit. Dari urdhëroi të kërkohej dekreti origjinal. Cili ishte rezultati? Në Ekbatanë, në kryeqytetin e Medisë, u gjend një rrotull që përmbante dekretin e Kirit. Atëherë Dari iu përgjigj e shkroi: «Unë, Dari, nxjerr urdhrin. Të zbatohet pa vonuar.» *​—Ezdra 6:2, 7, 12, 13.

Historia botërore i mbështet këto hollësi. Pikë së pari, Ekbatana ishte rezidenca verore e Kirit, dhe ai mund ta ketë nxjerrë dekretin nga atje. Përveç kësaj, gërmimet arkeologjike tregojnë se mbretërit medo-persë ishin mjaft të interesuar për çështjet fetare që preknin mbretërinë e tyre dhe shkruanin letra për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Profeci e besueshme

Në një ëndërr të frymëzuar nga Perëndia, profeti Daniel pa katër bisha me radhë që dilnin nga deti, ku secila përfaqësonte një fuqi botërore që do të pasonte tjetrën. Bisha e parë, luani me krahë, përfaqësonte Babiloninë. E dyta ishte «si ari». Tregimi vazhdon: «Ja çfarë po i thoshin: ‘Ngrihu dhe ha shumë mish.’» (Danieli 7:5) Ariu i frikshëm paraqiste Medo-Persinë.

Tamam sipas profecisë së Danielit, Medo-Persia pati një oreks të paparë për fitore. Jo shumë kohë pas vizionit të Danielit, Kiri mundi medët dhe pastaj luftoi kundër fqinjëve të saj, Lidisë dhe Babilonisë. I biri, Kambisi II, mposhti Egjiptin. Më vonë, sundimtarët medo-persë e shtrinë perandorinë akoma më tej.

Si mund të jemi të sigurt për këtë interpretim? Në një vizion tjetër, por që ka lidhje me të mësipërmin, Danieli pa një dash «të godiste me brirë drejt perëndimit, veriut dhe jugut». Profecia u përmbush kur Medo-Persia ‘goditi’ kombe të tjera, përfshirë edhe Babiloninë e fuqishme. Një engjëll i Perëndisë e interpretoi këtë vizion duke i thënë Danielit: «Dashi me dy brirë përfaqëson mbretin e Medisë e të Persisë.»​—Danieli 8:3, 4, 20.

Përveç kësaj, gati dy shekuj para rënies së Babilonisë, profeti Isaia paratha si emrin e mbretit pers që do ta mposhtte, i cili nuk kishte lindur ende, ashtu edhe strategjinë e pushtimit të Babilonisë. Ai shkroi: «Kështu i  thotë Jehovai të mirosurit të tij, Kirit, të cilin e kapi nga dora e djathtë, për të nënshtruar para tij kombe, . . . për të hapur para tij dyert dykanatëshe, që as portat të mos mbyllen.» (Isaia 45:1) Edhe Isaia, edhe Jeremia parathanë se «lumenjtë» e Babilonisë, ose kanalet që i ushqente Eufrati, të cilët ishin si hendeqe mbrojtëse, do të thaheshin. (Isaia 44:27; Jeremia 50:38) Historianët grekë, Herodoti e Ksenofoni, vërtetojnë saktësinë e profecisë së Biblës, përfshirë edhe faktin se babilonasit po festonin pikërisht natën kur Kiri mori qytetin. (Isaia 21:5, 9; Danieli 5:1-4, 30) Pasi devijoi Eufratin, ushtria e Kirit hyri në qytet nga portat e hapura përgjatë lumit, pa ndeshur asnjë rezistencë. Babilonia e fuqishme ra brenda një nate!

Kjo ngjarje çoi në përmbushjen e mahnitshme të një profecie tjetër. Më përpara profeti Jeremia kishte parathënë se populli i Perëndisë do të çohej në mërgim në Babiloni për 70 vjet. (Jeremia 25:11, 12; 29:10) Ajo profeci u përmbush pikërisht në kohë, dhe të mërguarit u lejuan të ktheheshin në atdhe.

Një shpresë e besueshme

Pak pasi Medo-Persia mposhti Babiloninë, Danieli shkroi profecinë që hedh dritë mbi ngjarjen më të rëndësishme lidhur me plotësimin e qëllimit të Perëndisë për njerëzimin. Engjëlli Gabriel e informoi saktësisht Danielin se kur do të shfaqej Mesia, ‘fara’ e premtuar te Zanafilla 3:15. Engjëlli i Perëndisë tha se «që nga dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin deri te Mesia, Udhëheqësi, do të kalojnë shtatë javë, si edhe gjashtëdhjetë e dy javë», pra gjithsej 69 javë. (Danieli 9:25) Kur filloi kjo periudhë profetike?

Edhe pse Kiri i lejoi judenjtë të ktheheshin në vendin e tyre menjëherë pas rënies së Babilonisë, shumë vjet më pas Jerusalemi dhe muret e tij ende ishin lënë pas dore. Në vitin 455 p.e.s., mbreti Artakserks i dha leje kupëmbajtësit të vet jude, Nehemisë, të kthehej në Jerusalem e të drejtonte punimet e rindërtimit. (Nehemia 2:1-6) Kjo shënoi fillimin e 69 javëve.

Megjithatë, 69 javët nuk ishin javë të mirëfillta prej shtatë ditësh, por prej vitesh. Në fakt, disa Bibla e përkthejnë termin ‘javë’ si ‘javë vjetore’. * (Danieli 9:24, 25) Mesia do të shfaqej pas një periudhe prej 69 ‘javësh’ me nga 7 vjet secila, gjithsej 483 vjet. Profecia u përmbush në vitin 29 të e.s., kur Jezui u pagëzua, pikërisht 483 vjet nga viti 455 p.e.s. *

Plotësimi i saktë i profecisë së Danielit i shtohet dëshmive të bollshme që vërtetojnë identitetin e Jezuit. Gjithashtu, kjo dëshmi mbështet shpresën tonë për të ardhmen. Jezui, si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, do t’i japë fund sundimit të ashpër njerëzor. Pas kësaj, ai do të përmbushë akoma më shumë profeci të Biblës, përfshirë edhe ato që flasin për ringjalljen e të vdekurve që të jetojnë pafund në Parajsën në tokë.​—Danieli 12:2; Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:3-5.

[Shënimet]

^ par. 9 Dar quheshin të paktën tre mbretër.

^ par. 20 Ndër përkthimet e Biblës që përdorin shprehjen ‘javë vjetore’, janë: Tanakh​—A New Translation of the Holy Scriptures, The Complete Bible​—An American Translation, The Bible​—Containing the Old and New Testaments, nga Xhejms Mofati dhe ECM-ja.

^ par. 20 Për një diskutim më të hollësishëm të profecisë, përfshirë diagramin e 69 javëve vjetore, shih faqet 197-199 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?

[Tabela dhe figurat në faqen 18]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

455 p.e.s. 29 i e.s.

Nga koha kur u dha urdhri që të rindërtohej Jerusalemi deri kur u shfaq Mesia kaluan saktësisht 483 vjet

[Figura në faqet 16, 17]

Cilindri i Kirit përshkruan politikën e rikthimit të robërve në atdheun e tyre

[Figura në faqen 17]

Varri i Kirit mund të shihet ende në gërmadhat e Pasargadës së lashtë në Iranin e sotëm

[Burimet e figurave në faqen 17]

Faqja 16, sipër, fotografi sipas kronologjisë: reliev në mur egjiptian dhe busti i Neronit: Fotografi e marrë me mirësjelljen e Muzeut Britanik; reliev në mur persian: Muzeu i Luvrit, Paris; poshtë, Cilindri i Kirit: Fotografi e marrë me mirësjelljen e Muzeut Britanik; faqja 17, varri i Kirit: © Richard Ashworth/​age fotostock