Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa I

Egjipti në historinë biblike

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa I

Bibla u shkrua gjatë një periudhe prej 1.600 vjetësh. Historia dhe profecitë e saj lidhen me shtatë fuqi botërore: Egjiptin, Asirinë, Babiloninë, Medo-Persinë, Greqinë, Romën dhe Anglo-Amerikën. Secila prej këtyre fuqive do të shqyrtohet në një seri prej shtatë artikujsh. Cili është qëllimi? Të tregojmë se Bibla është e besueshme dhe e frymëzuar nga Perëndia dhe mesazhi i saj jep shpresë se vuajtjet e shkaktuara nga sundimi i keq i njeriut do të marrin fund.

EGJIPTI, i famshëm për piramidat dhe lumin Nil, ishte fuqia e parë botërore që përmendet në historinë e Biblës. Nën hijen e tij u formua kombi i Izraelit. Moisiu, që shkroi pesë librat e parë të Biblës, lindi dhe u shkollua në Egjipt. A i mbështet arkeologjia dhe historia botërore ato që shkroi Moisiu për këtë vend të lashtë? Le të shohim disa shembuj.

Histori e besueshme

Titujt dhe termat.

Historia e saktë shpesh është ajo që tregon hollësi, si për shembull zakonet, etikën, emrat dhe titujt e zyrtarëve e kështu me radhë. Ç’mund të themi në këtë drejtim për dy librat e parë të Biblës, Zanafillën dhe Daljen? Në lidhje me tregimin e Zanafillës për Jozefin, një prej djemve të patriarkut Jakob, dhe librin biblik të Daljes, Xh. Garou Dankëni thotë në botimin e tij Dritë e re mbi origjinat hebraike (anglisht): «[Shkrimtari biblik] njihte mjaft mirë gjuhën, zakonet, besimet, jetën e oborrit, etikën dhe sistemin administrativ egjiptian.» Ai shton: «[Shkrimtari] përdor saktësisht titujt e atëhershëm dhe pikërisht siç përdoreshin në periudhën përkatëse. . . . Në fakt, asgjë nuk vërteton më bindshëm njohurinë e hollësishme për gjërat egjiptiane në Besëlidhjen e Vjetër dhe besueshmërinë e shkrimtarit, sesa përdorimi i fjalës faraon në periudha të ndryshme.» Gjithashtu, Dankëni pohon: «Kur [shkrimtari] i paraqet personazhet e tij para faraonit, bën që të ndjekin etikën dhe të përdorin gjuhën e duhur të oborrit».

Tullat e thara në diell dhe të bëra me kashtë përdoren edhe sot e kësaj dite në Egjipt

Prodhimi i tullave.

Gjatë skllavërisë së tyre në Egjipt, izraelitët bënin tulla me argjilë të përzierë me kashtë e cila shërbente si material lidhës. (Dalja 1:14; 5:​6-18) * Disa vjet më parë, në librin Materialet dhe industritë e lashta egjiptiane thuhej: «Të pakta kanë qenë ato vende ku [prodhimi i tullave] ishte më i përhapur se në Egjipt, ku tullat e thara në diell, ashtu si më parë, edhe sot janë një material ndërtimi karakteristik i vendit.» Gjithashtu, në këtë libër përmendet që «egjiptianët përdornin kashtën  për të bërë tulla», dhe kjo vërteton këtë hollësi tjetër të dokumentuar në Bibël.

Një pjesë e veglave të rrojës së egjiptianëve​—një brisk dhe një pasqyrë

Heqja e mjekrës.

Burrat hebrenj në lashtësi mbanin mjekër. Megjithatë, Bibla na tregon se Jozefi u rruajt para se të paraqitej te faraoni. (Zanafilla 41:14) Pse u rruajt? Për t’u përshtatur me zakonin dhe etikën e egjiptianëve, të cilët i konsideronin qimet në fytyrë si shenjë papastërtie. «[Egjiptianët] krenoheshin se rruheshin»,—thuhet në librin Jeta e përditshme në Egjiptin e lashtë (anglisht). Në fakt, në varre janë gjetur komplete kozmetike që përfshinin brisqe rroje, piskatore dhe pasqyra, bashkë me mbajtësen e tyre. Është e qartë se Moisiu ishte një kronist i hollësishëm. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për shkrimtarë të tjerë të Biblës, të cilët dokumentuan ngjarje që kishin të bënin me Egjiptin e lashtë.

Tregtia.

Jeremia, që shkroi dy librat e Mbretërve, dha hollësi specifike për tregtinë e kuajve dhe të karrocave që bënte mbreti Solomon me egjiptianët dhe hititët. Bibla thotë se një karrocë kushtonte «gjashtëqind monedha argjendi dhe një kalë . . . njëqind e pesëdhjetë», domethënë sa çereku i çmimit të një karroce.​—1 Mbretërve 10:29.

Sipas librit Arkeologjia dhe feja e Izraelit (anglisht), historiani grek, Herodoti dhe zbulimet arkeologjike vërtetojnë se gjatë mbretërimit të Solomonit lulëzonte tregtia e kuajve dhe e karrocave. Në të vërtetë, libri pohon se «ishte vendosur këmbimi standard i katër . . . kuajve me një karrocë egjiptiane», dhe kjo është në përputhje me shifrat e dhëna në Bibël.

Luftërat.

Edhe Jeremia me Ezdrën flasin për pushtimin e Judës nga faraoni Shishak, madje duke përcaktuar se ndodhi «vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit» në Judë ose në vitin 993 p.e.s. (1 Mbretërve 14:25-28; 2 Kronikave 12:1-12) Dokumentimi biblik për këtë pushtim ka qenë i vetmi për një kohë të gjatë. Pastaj u zbulua një reliev mbi murin e një tempulli egjiptian në Karnaki (Teba e lashtë).

Në reliev përshkruhet Shishaku që qëndron me dorën të ngritur për të goditur robërit para perëndisë Amon. Aty gjenden edhe emrat e qyteteve të pushtuara izraelite, shumë prej të cilave janë identifikuar si vende të përmendura në Bibël. Për më tepër, në dokument përmendet edhe «Ara e Abrahamit»​—rasti më i hershëm  që përmendet patriarku i Biblës, Abrahami, në dokumentimet egjiptiane.​—Zanafilla 25:7-10.

Kuptohet, shkrimtarët biblikë nuk hodhën në letër fantazitë e tyre. Duke ditur që mbanin përgjegjësi para Perëndisë, ata paraqitën të vërtetën, edhe kur nuk u leverdiste​—si në rastin e fitoreve të Shishakut mbi Judën. Ky sinqeritet bie në kontrast me kronikat e zbukuruara dhe të fryra të skribëve të lashtë egjiptianë, të cilët nuk dokumentonin gjëra që ulnin sunduesit ose popullin e tyre.

Profeci e besueshme

Vetëm Perëndia Jehova, Autori i Biblës, mund të parashikojë në mënyrë të pagabueshme të ardhmen. Vini re për shembull çfarë paratha Ai nëpërmjet Jeremisë për të ardhmen e dy qyteteve egjiptiane: Memfisit dhe Tebës. Memfisi, ose Nofi, një herë e një kohë ishte një qendër e rëndësishme tregtare, politike dhe fetare. Megjithatë, Perëndia tha: «Nofi do të bëhet për të ngjallur habi, do t’i vënë zjarrin dhe do të mbetet pa banor.» (Jeremia 46:19) Dhe pikërisht kështu ndodhi. Libri Në hapat e Moisiut, Ligjvënësit (anglisht) thotë se «rrënojat madhështore të Memfisit» u zhvatën nga pushtuesit arabë, që i përdorën si gurore. Ai shton se në ditët e sotme «brenda kufijve të qytetit të lashtë asnjë gur nuk del mbi dheun e zi».

Kjo statujë kolosale e shtrirë, e gjetur afër Memfisit, dikur arrinte në rreth 12 metra lartësi

Teba, që më parë quhej No-Amon ose vetëm No, pësoi të njëjtin fund, bashkë me perënditë e saj të pafuqishme. Për këtë kryeqytet të dikurshëm të Egjiptit dhe qendër kryesore të adhurimit të perëndisë Amon, Jehovai tha: ‘Ja, unë do ta drejtoj vëmendjen kundër Amonit, kundër faraonit, Egjiptit dhe perëndive të tij. Unë do t’i dorëzoj në duart e Nabukodrezarit, mbretit të Babilonisë.’ (Jeremia 46:25, 26) Siç ishte profetizuar, mbreti babilonas pushtoi Egjiptin dhe qytetin e rëndësishëm të No-Amonit. Pastaj, pas goditjes tjetër që i dha sundimtari pers, Kambisi II, në vitin 525 p.e.s., ky qytet pak nga pak ra derisa u shkatërrua përfundimisht nga romakët. Vërtet, profecitë e sakta e ngrenë Biblën më lart se librat e tjerë, dhe kjo na siguron për atë që thotë për të ardhmen tonë.

Një shpresë e besueshme

Profecia e parë e dokumentuar në Bibël u shkrua nga Moisiu gjatë kohës që Egjipti ishte fuqi botërore. * Kjo profeci që gjendet te Zanafilla 3:15, thotë se Perëndia do të siguronte një  ‘farë’ ose pasardhës, i cili do të shtypte Satanain dhe ‘farën’ e tij, domethënë ata që ndjekin Satanain në udhën e tij të ligë. (Gjoni 8:44; 1 Gjonit 3:8) Pjesa kryesore e «farës» së Perëndisë doli se ishte Mesia, Jezu Krishti.​—Luka 2:9-14.

Mbretërimi i Krishtit do të shtrihet në të gjithë tokën, nga e cila ai do të zhdukë gjithë ligësinë dhe qeveritë shtypëse njerëzore. ‘Njeriu nuk do të sundojë më mbi njeriun në dëm të tij.’ (Eklisiastiu 8:9) Për më tepër, ashtu si Josiu udhëhoqi Izraelin e lashtë për në Tokën e Premtuar, Jezui do të udhëheqë me sukses «një shumicë të madhe» njerëzish me frikë Perëndie për në një «Tokë të Premtuar» edhe më të madhe​—një tokë të spastruar nga ligësia, që do të kthehet në parajsë globale.​—Zbulesa 7:9, 10, 14, 17; Luka 23:43.

Kjo shpresë e çmuar na kujton një profeci tjetër të dokumentuar gjatë kohës së Egjiptit të lashtë. Kjo profeci që gjendet te Jobi 33:24, 25, thotë se Perëndia do t’i çlirojë njerëzit nga ‘gropa’, ose varri, me anë të ringjalljes. Po, përveç atyre që do të mbijetojnë gjatë shkatërrimit të ardhshëm të të ligjve, miliona e miliona që tani kanë vdekur do të ringjallen me shpresën e jetës së përhershme në Parajsë në tokë. (Veprat 24:15) «Tenda e Perëndisë është me njerëzit,—thuhet te Zbulesa 21:3, 4.—Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»

Kjo temë e historive dhe profecive të besueshme do të vazhdojë të trajtohet edhe në artikullin e ardhshëm të kësaj serie, i cili do të përqendrohet tek Asiria e lashtë, fuqia botërore pas Egjiptit.

^ par. 7 Nëse nuk keni Bibël, mund t’u kërkoni një Dëshmitarëve të Jehovait. Por nëse keni mundësi të përdorni Internetin, mund ta lexoni Biblën aty në gjuhë të ndryshme në adresën www.watchtower.org (tani për tani përkthimi i Biblës në shqip në këtë adresë nuk është i disponueshëm).

^ par. 18 Profecinë që gjendet te Zanafilla 3:15 e tha Perëndia në kopshtin e Edenit dhe e dokumentoi më vonë Moisiu.