Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të shkoj mirë me motrën ose vëllanë?

Si të shkoj mirë me motrën ose vëllanë?

 Të rinjtë pyesin

Si të shkoj mirë me motrën ose vëllanë?

Si do ta përcaktoje marrëdhënien tënde me secilin nga vëllezërit a motrat?

․․․․․ Shokë të ngushtë

․․․․․ Në përgjithësi shkojmë mirë

․․․․․ I hapim rrugë njëri-tjetrit

․․․․․ Zihemi gjithë kohën

DISA janë mjaft të lidhur me motrën ose vëllanë. Për shembull, Flutura, 19 vjeçe, thotë: «Motra ime 16-vjeçare, Irena, është një nga shoqet e mia më të mira.» * Edhe Klara 17-vjeçare, thotë për të vëllanë, Erikun 20-vjeçar: «Shkojmë shkëlqyeshëm. Nuk zihemi kurrë.»

Por shumë të tjerë kanë një marrëdhënie si ajo e Lorenës me Malvën. «Zihemi për çdo gjë,​—thotë Lorena,​—qoftë edhe për gjëra të vogla.» Apo je në të njëjtën situatë si Alisa 12-vjeçare që thotë për të vëllanë 14-vjeçar, Denisin: «Më ngre nervat! Hyn si era me shi në dhomën time dhe m’i merr gjërat pa më pyetur e pastaj thotë se m’i ka marrë hua. Është kalama fare.»

A ke ndonjë motër ose vëlla që t’i ngre nervat? Sigurisht, përgjegjësinë për të mbajtur rregull në shtëpi e kanë prindërit. Megjithatë, herët a vonë do të të duhet të mësosh si të shkosh mirë me të tjerët. Këtë mund ta mësosh sa je ende në shtëpi.

Mendo për mosmarrëveshjet që ke pasur me motrën a vëllanë. Për çfarë ziheni në përgjithësi? Hidhi një sy listës më poshtë dhe vër një ✔ në kutitë që vlejnë për rastin tënd ose shkruaj për ndonjë lloj grindjeje tipike që të bën tym.

Sendet personale. Motra ose vëllai m’i merr gjërat pa më pyetur e pastaj thotë se m’i ka marrë hua.

Përplasjet e karakterit. Motra ose vëllai është egoist, vepron pa u menduar shumë ose përpiqet të më kontrollojë jetën.

Privaciteti. Më hyn në dhomë pa trokitur ose më lexon mesazhet a postën elektronike pa marrë leje fare.

Tjetër. ․․․․․

Nëse motra a vëllai të bezdis vazhdimisht​​—duke bërë si shefi yt ose duke të dhunuar privacitetin​​—vështirë të mos grumbullosh mëri. Por një proverb biblik thotë: «Duke shtypur hundën, del gjak; dhe duke mos frenuar zemërimin, vjen sherri.» (Proverbat 30:33) Nëse mban mëri, ka shumë mundësi të kesh një shpërthim zemërimi, pikërisht siç del gjak po të shtypësh hundën. Pastaj gjendja vetëm sa do të rëndohet. (Proverbat 26:21) Si mund të parandalosh që irritimi të mos kthehet në shpërthim zemërimi? Një  nga gjërat e para është të identifikosh problemin e vërtetë.

Kupto ku qëndron rrënja e problemit?

Problemet midis motrave e vëllezërve janë si puçrrat. Nga jashtë puçrra është një plagë e shëmtuar, por shkaku është infeksioni nën lëkurë. Po kështu, përplasja midis motrave e vëllezërve shpesh është vetëm shenja e një problemi të thellë.

Mund ta shtrydhësh puçrrën, por kështu vetëm sa heq simptomën dhe mund të të mbetet shenjë ose infeksioni mund të të keqësohet. Zgjidhja më e mirë është të trajtosh infeksionin, dhe kështu të parandalosh puçrrat e tjera. E njëjta është gjë është edhe me problemet që ke me motrën a vëllanë. Mësohu të kuptosh shkakun e vërtetë dhe do të shkosh përtej grindjes e drejt e në rrënjë të problemit. Kështu do të arrish të veprosh siç këshillon mbreti i mençur Solomon: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut.»​​—Proverbat 19:11.

Për shembull, Alisa, që përmendëm më sipër, tha për të vëllanë, Denisin: «Hyn si era me shi në dhomën time dhe m’i merr gjërat pa më pyetur e pastaj thotë se m’i ka marrë hua.» Kjo është simptoma. Po cili mendon se është shkaku i vërtetë? Ka mundësi të jetë çështje respekti. *

Në përpjekje për të zgjidhur problemin, Alisa mund t’i thotë Denisit që të mos i shkelë kurrë në dhomë e të mos ia marrë më gjërat. Por kjo do të ishte vetëm një zgjidhje për simptomën që ka shumë mundësi t’i fuste më shumë në grindje. Megjithatë, nëse Alisa do ta bindte Denisin të respektonte privacitetin dhe gjërat e saj, marrëdhënia e tyre do të përmirësohej patjetër.

 Mëso t’i zgjidhësh ose t’i shmangësh mosmarrëveshjet

Sigurisht, identifikimi i rrënjës së problemit përbën vetëm një pjesë të zgjidhjes së problemit. Ç’mund të bësh për ta zgjidhur një problem dhe të mos keni përplasje të tjera në të ardhmen? Përpiqu të bësh gjashtë hapat e mëposhtëm.

1. Bini dakord për disa rregulla bazë. «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim»,​—shkroi mbreti Solomon. (Proverbat 15:22) Që të shmangësh acarimin, mendo për shkakun e vërtetë të problemit që identifikove. Shikoni nëse të dy mund të bini dakord për disa rregulla që do t’ju ndihmojnë të zgjidhni problemin. Për shembull, nëse grindeni për sendet personale, rregulli numër një mund të jetë: «Gjithmonë pyet para se të marrësh diçka që nuk të përket.» Rregulli numër dy: «Respekto të drejtën e vëllait a të motrës për të thënë: ‘Jo, nuk mund ta marrësh.’» Kur të vendosni rregullat, mendoni për urdhërimin e Jezuit: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:​12) Në këtë mënyrë mund të bëni rregulla që të dy mund t’i ndiqni. Pastaj flisni me prindërit për t’u siguruar nëse janë dakord me marrëveshjen që keni bërë.​—Efesianëve 6:1.

2. Ji i pari për të zbatuar rregullat. Apostulli Pavël shkroi: «Ti pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten? Ti që predikon ‘mos vidh’, vjedh për vete?» (Romakëve 2:21) Si ta zbatosh këtë parim? Për shembull, nëse do që motra ose vëllai yt të respektojë privacitetin tënd, atëherë edhe ti duhet të trokasësh para se të hysh në dhomën e motrës a të vëllait ose të marrësh leje para se t’ia lexosh mesazhet ose postën elektronike.

3. Mos u fyej shpejt. Pse është një këshillë e mirë kjo? Sepse, siç thotë një proverb biblik, «fyerja prehet në gji të budallenjve». (Eklisiastiu 7:9) Nëse fyhesh kollaj, asnjëherë nuk do të jesh i lumtur. Në fakt, motra ose vëllai do të thotë ose do të bëjë gjëra që të mërzitin. Por pyet veten: «A i kam bërë ose a i kam thënë ndonjë gjë të ngjashme në të kaluarën?» (Mateu 7:​1-5) «Kur isha 13 vjeçe,​​—thotë Xheni,—​më dukej se mendimi im ishte më i rëndësishmi dhe duhej dëgjuar. Motra e vogël tani po kalon një fazë të ngjashme. Kështu që përpiqem të mos mërzitem me ato që më thotë.»

4. Fal dhe harro. Problemet serioze duhen diskutuar dhe zgjidhur. Por, a duhet të diskutosh me motrën ose vëllanë për çdo gabim të tyre? Perëndia Jehova e vlerëson kur je i gatshëm ‘të kapërcesh shkeljen’. (Proverbat 19:11)  Alisona 19-vjeçare thotë: «Unë dhe motra, Rakela, zakonisht arrijmë t’i sheshojmë problemet. Të dyja kërkojmë falje shpejt dhe pastaj shpjegojmë se cili mendojmë që ishte shkaku i grindjes. Ndonjëherë e mendoj mirë dhe e lë për të nesërmen që të flas për problemin. Shpesh, të nesërmen në mëngjes duket sikur mosmarrëveshja është fshirë nga kujtesa, dhe kështu që nuk është e nevojshme të flasim për të.»

5. Përfshi prindërit në rolin e arbitrit. Nëse ti me motrën a vëllanë nuk arrini të zgjidhni një çështje të rëndësishme, prindërit mund t’ju ndihmojnë të bëni paqe. (Romakëve 14:19) Por mos harro se aftësia për të sheshuar një mosmarrëveshje pa ndërhyrjen e prindërve, është shenjë pjekurie e vërtetë.

6. Vlerëso cilësitë e mira të motrës a të vëllait. Me siguri motra ose vëllai ka cilësi që i admiron. Shkruaj një gjë që vlerëson te secili prej motrave a vëllezërve.

Emri Çfarë vlerësoj?

․․․․․ ․․․․․

Në vend që të fiksohesh pas të metave të motrës a të vëllait, pse të mos gjesh mundësinë t’i thuash se çfarë vlerëson tek ai ose ajo?​—Psalmi 130:3; Proverbat 15:23.

Fakt: Kur të largohesh nga shtëpia, ndonjëherë do të të rrethojnë njerëz që do të t’i ngrenë nervat, qoftë shokët e punës, qoftë njerëz të tjerë të pasjellshëm, të pandjeshëm dhe mendjemëdhenj. Shtëpia është vendi ku mësohet si të përballosh në paqe vështirësi të tilla. Nëse ke një motër ose vëlla me të cilin e ke të vështirë të shkosh mirë, shiko anën pozitive. Ai ose ajo po të ndihmon të zhvillosh aftësi të vlefshme për jetën.

Bibla e pranon se një motër ose vëlla mund të mos jetë gjithmonë shoqja ose shoku më i ngushtë për ty. (Proverbat 18:24) Por miqësia juaj mund të forcohet kur «vazhdoni të duroni . . . njëri-tjetrin», edhe nëse të jep «shkak për t’u ankuar». (Kolosianëve 3:13) Nëse e duron, motra ose vëllai do të të acarojë më pak. Madje edhe ti do ta mërzitësh më pak atë.

[Shënimet]

^ par. 8 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 20 Për më shumë ndihmë, shih  kutinë më poshtë.

PËR TË MENDUAR

● Pse është e rëndësishme të kuptosh ku qëndron rrënja e problemit?

● Në cilin nga gjashtë hapat e mësipërm ke nevojë të punosh më shumë?

[Kutia në faqen 27]

IDENTIFIKO RRËNJËN E PROBLEMIT

  Dëshiron të jesh më i aftë për të identifikuar rrënjën e mosmarrëveshjeve me motrën a vëllanë? Nëse po, lexo ilustrimin e Jezuit për djalin që iku nga shtëpia dhe shpërdoroi gjithë trashëgiminë e tij.​—Luka 15:11-32.

Shiko me kujdes si reagoi vëllai i madh kur u kthye në shtëpi i vëllai. Pastaj përgjigjju pyetjeve të mëposhtme.

Cila ishte shkëndija që e shtyu vëllanë e madh të reagonte ashtu?

Sipas teje, cila ishte rrënja e problemit?

Si u përpoq i ati ta zgjidhte problemin?

Çfarë duhej të bënte vëllai i madh që të zgjidhej problemi?

Tani mendo për një nga rastet e fundit që je grindur me motrën a vëllanë. Pastaj shkruaj përgjigjen përbri pyetjeve.

Cila ishte shkëndija e grindjes?

Cila mendon se mund të jetë rrënja e problemit?

Çfarë rregullash mund të vendosni që të zgjidhni këtë problem dhe të parandaloni të tjera në të ardhmen?

[Kutia dhe figurat në faqet 28, 29]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Dua të jem shoqe me motrat për gjithë jetën, kështu që duhet të filloj që tani të jem shoqe me to.»

«Bëjmë shumë gjëra si familje, dhe kjo na ndihmon të jemi më të bashkuar. Nuk grindemi aq sa më përpara.»

«Në disa gjëra ndryshojmë shumë, si dita me natën. Megjithatë nuk ka si motra ime. Nuk do ta ndërroja me asnjë në botë!»

«Pa motrën dhe vëllanë, të gjitha kujtimet e mia do t’i merrte era. Atyre që kanë motra e vëllezër do t’u thosha: ‘Vlerësojini!’»

[Figurat]

Tia

Bianka

Samanta

Merilini

[Figura në faqen 27]

Problemet midis motrave e vëllezërve janë si puçrrat. Për t’i hequr duhet të trajtosh shkakun e problemit, e jo vetëm simptomat