Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

 Një vështrim rreth botës

Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimeve për Kancerin është siguruar për shkallën e rrezikshmërisë të pajisjeve për nxirje me rreze ultravjollcë. Dikur thoshte se «mund të jenë kanceroze për njerëzit», kurse tani thotë se «janë kanceroze për njerëzit».​—THE LANCET ONCOLOGY, BRITANI.

Në Argjentinë nga 10 gra shtatzënë, 9 nuk kishin dashur të ngelnin shtatzënë.​—CLARÍN, ARGJENTINË.

«Biologët zbulojnë shpesh lloje të reja. Ata identifikojnë mesatarisht rreth 50 lloje në ditë. Vetëm në vitin 2006 u veçuan si lloje të reja afro 17.000 bimë dhe kafshë. Këto përbëjnë rreth 1% të 1, 8 milionë të llojeve që janë emërtuar.»​—TIME, SHBA.

A janë një mbrojtje armët?

A të mbron arma në rast sulmi? Një studim nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA, arriti në përfundimin se në përgjithësi nuk të mbron. Pasi përjashtuan situatat ku përfshihet policia, vetëvrasjet dhe shkrepjet pa dashje, studiuesit kuptuan se një njeri që mban armë rrezikon «4,5 herë më shumë të qëllohet në një sulm, sesa ata që nuk kanë armë». Studiuesit pranuan se disa e mbrojnë mirë veten me armën e tyre, por mundësitë që të ndodhë kjo janë të pakta. Sipas studimit, mendimi se një armë është «mbrojtje në vende të rrezikshme, duhet të diskutohet dhe të rishqyrtohet me kujdes».

Murgj me buzëkuqë

Një agjenci lajmesh në Bangkok thotë se murgj të rinj në Tajlandë po «njollosin reputacionin e besimit konservator budist» duke u lyer me buzëkuq, duke veshur rroba shumë të ngushta, «duke tundur vithet kur ecin dhe duke mbajtur çantë grash». Të shqetësuar për sjelljen e murgjve të rinj homoseksualë, autoritetet fetare kanë propozuar që murgjit të stërviten për sa u përket normave të sjelljes e të veshjes. Një nga predikuesit më të njohur të budizmit shpjegoi se në vetvete homoseksualizmi nuk është i ndaluar për murgjit, «përndryshe do të ishin përjashtuar më shumë se gjysma e tyre».

Trena vetëm për gra

Për vite me radhë, gratë në trenat e tejmbushur të Indisë kanë vuajtur nga fyerjet, prekjet provokuese, pickimet, shikimet ngultas dhe nga ngacmimet seksuale të burrave. Gazeta e Kalkutës, The Telegraph, raporton se për shkak të ankesave në rritje, qeveria ka vendosur që në disa raste të mos i lejojnë fare burrat të hipin në tren. Si rezultat, në katër qytetet më të mëdha të Indisë​—Nju-Delhi, Mumbai, Çenai dhe Kalkutë​—një numër i kufizuar trenash «Vetëm për gratë» janë rezervuar për to. Thuhet se pasagjeret janë shumë të kënaqura.