Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mezi pres t’u them: «Më në fund, përsëri bashkë!»

Mezi pres t’u them: «Më në fund, përsëri bashkë!»

 Mezi pres t’u them: «Më në fund, përsëri bashkë!»

Treguar nga Abigaila Ostini

Isha nëntë vjeçe. Ishte një ditë e bukur prilli në vitin 1995 dhe një grup nga ne, që shkonim në të njëjtin kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait, vendosëm të shkonim për piknik dhe të shijonim peizazhin e Anglisë. U ndamë në disa makina. Unë isha në makinë me prindërit, motrën e madhe, Sarën, dhe me miken e familjes sonë, Deborën. Papritur, një makinë erdhi gjithë shpejtësi nga ana e gabuar dhe u përplas me ne. Vetëm unë mbijetova.

U PËRMENDA në spital dy javë më vonë. Kafka më ishte thyer dhe doktorët kishin vënë disa pllakëza që ta mbanin të ngjitur. Megjithatë u shërova shpejt. Më në fund të afërmit më treguan ç’kishte ndodhur, por nuk u besova. Vazhdoja të mendoja se prindërit dhe motra kishin ardhur të më shihnin, por unë isha në gjumë. Vetëm kur u ktheva në shtëpi, e pranova realitetin e hidhur. Ndihesha përtokë.

Çfarë më ndihmoi ta përballoja këtë tragjedi të tmerrshme?

Trashëgimia ime fetare

Isha më e vogla nga pesë fëmijët. Kur ndodhi aksidenti, Sara ishte 22 vjeçe, Shejni 20, Xhesika 17 dhe Luka 15 vjeç. Kishim prindër të mrekullueshëm që kujdeseshin shumë për ne. Babai, Stivi, shërbente si plak në kongregacionin e Jorkshirit Perëndimor në Shipli, ku mblidheshin Dëshmitarët e Jehovait. Atë e donin të gjithë, ngaqë gjithmonë ishte i gatshëm t’i dëgjonte e t’i ndihmonte të tjerët. Edhe mamanë, Karolën, e donin shumë, sepse kujdesej për të moshuarit e kongregacionit si të ishte bija e tyre. Ajo organizonte raste që ne të rinjtë të mblidheshim së bashku dhe na ndihmonte të gjenim miq të mirë. Shtëpia jonë ishte e hapur për të gjithë. Gjithashtu, prindërit na mësuan të ishim të sjellshëm me fqinjët dhe t’i respektonim.

Çdo të mërkurë në mbrëmje studionim Biblën si familje. Ndonjëherë bënim drama biblike dhe visheshim tamam për rolet. Që kur ishim shumë të vegjël, mami dhe babi na mësonin si të përgatiteshim për mbledhjet e kongregacionit dhe si t’ua jepnim mesazhin biblik njerëzve nga shtëpia në shtëpi. Edhe pse ishin shumë të zënë me rritjen e pesë fëmijëve, prindërit gjenin kohë për ne dhe na ndihmonin të kishim një marrëdhënie të fortë me Jehovain.

Kur mbaruan shkollën, Sara, Shejni dhe Xhesika u bënë pionierë, siç quhen të krishterët që predikojnë në kohë të plotë, ashtu si mikja jonë Debora. Sara dhe unë ishim shumë të lidhura. Ajo ishte si nënë e dytë për mua dhe, gjatë pushimeve të verës, e kalonim kohën bashkë duke ndihmuar të tjerët të mësonin për Biblën. Sa më pëlqente ajo kohë! E shihja sa të lumtur ishin të gjithë pionierët dhe vdisja të rrija me ta. Synimi im ishte të bëhesha pioniere e të predikoja përkrah Sarës pasi të mbaroja shkollën.

Gjatë pushimeve, shpesh familja jonë kalonte kohë me të tjerë nga kongregacioni. Të rinj e të moshuar forconin miqësinë dhe dashurinë  për njëri-tjetrin. As ia kisha idenë sa do të më ndihmonin e ngushëllonin këta miq të mirë në të ardhmen.

Pas aksidentit

Kur dola nga spitali, shkova në shtëpi. Shejni dhe Xhesika punonin me orar të shkurtuar e njëkohësisht shërbenin si pionierë. Ata punonin shumë për t’u kujdesur për të gjithë ne.

Na ndihmuan edhe shumë Dëshmitarë nga kongregacioni ynë. Sa shumë bënë për ne! Na siguronin ushqimin, pastronin, bënin pazarin dhe na lanin rrobat derisa u bëmë të zotët e vetes. Ishim vërtet mirënjohës. Shumë Dëshmitarë nga të katër anët na dërguan dhurata dhe kartolina të panumërta për të na mbështetur, e kjo ishte dëshmi e dashurisë së thellë brenda organizatës së Jehovait.

Pas afro një viti, motra dhe vëllezërit e mi menduan se unë kisha nevojë për një jetë të qëndrueshme familjare. Disa familje të dashura nga kongregacioni ishin ofruar, kështu që familja ime u ul dhe shqyrtoi se çfarë do të kishin bërë mami dhe babi për të mirën time dhe për besimin tim te Perëndia. Një familje ishte shumë e veçantë. Billi, që shërbente si plak, dhe gruaja e tij, Dona, kishin qenë miq të ngushtë të familjes sonë dhe kishin një vajzë 5-vjeçare që quhej Loisa. Ata më mirëpritën në shtëpinë e tyre dhe që atëherë janë kujdesur me dashuri për mua, si të isha vajza e tyre. Megjithëse prindërit e Loisës kujdeseshin edhe për mua, ajo nuk ka qenë kurrë xheloze dhe sot jemi aq të lidhura, sa dy motra gjaku.

Si e përballova tragjedinë?

Në fillim pyesja pse i ndodhi familjes sonë kjo tragjedi e tmerrshme, sidomos kur mendoja që prindërit, Sara dhe Debora e donin aq shumë Jehovain dhe të tjerët. Por pastaj më erdhi në mendje tregimi biblik i Jobit, i cili e mbajti të fortë besimin te Perëndia, edhe pse humbi fëmijët. (Jobi 1:​19, 22) Mendova: «Po, ishte Satanai që solli vuajtjet dhe vdekjen në botë dhe do të kënaqej nëse aksidenti do të na pengonte t’i shërbenim Perëndisë.» (Zanafilla 3:​1-6; Zbulesa 12:9) Gjithashtu kujtova se Jehovai na ka dhënë shpresën e mrekullueshme të ringjalljes. (Gjoni 5:​28, 29) Do t’i takojmë përsëri familjen dhe Deborën dhe kësaj here në një tokë parajsore. Në fakt, dashuria për Jehovain m’u rrit edhe më shumë.

Kur takoj njerëz që kanë kaluar tragjedi si unë, më vjen keq nëse nuk dinë gjë për premtimin e çmuar të ringjalljes që gjendet në Bibël. Kjo më nxit t’u tregoj për shpresën tonë, sepse jam e sigurt që vetëm falë Jehovait dhe organizatës së tij e kemi përballuar kaq mirë këtë periudhë të errët, duke ditur se ka dritë në fund të tunelit.

Ndoshta përvoja jonë ka ndihmuar edhe në një mënyrë tjetër, duke i bërë disa prindër të pyesin veten: «A i kemi mësuar fëmijët aq mirë rreth Jehovait sa, po të na ndodhte gjë, të vazhdonin t’i shërbenin atij pa ne?»

Jam përpjekur të jetoj sikur mami dhe babi të ishin gjallë. E di se ata do të donin të punoja fort për të ndihmuar të tjerët, ashtu siç bënë edhe vetë. Që kur mbarova shkollën, kam shërbyer si pioniere e tani edhe Loisa po shërben përkrah meje si e tillë. Vëllezërit dhe motra ime janë martuar dhe po i shërbejnë Jehovait të gëzuar në kongregacionet e tyre.

Mezi e pres botën e re të Perëndisë dhe ringjalljen. Atëherë nuk do të ketë më dhembje dhe vdekje. (Zbulesa 21:​3, 4) Dijenia se do të jemi së bashku përsëri, më ndihmon të eci përpara. Mezi pres të përqafoj mamin, babin, Sarën dhe Deborën e t’u them: «Më në fund, përsëri bashkë!»

[Figura në faqen 23]

Abigaila (e dyta nga e majta) me familjen adoptuese sot