Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë kanë thënë njerëzit?

Çfarë kanë thënë njerëzit?

Francë: «Dëshmitarët e Jehovait janë qytetarë që respektojnë ligjet e Republikës. . . . Ata nuk përbëjnë rrezik për rendin publik. Punojnë, paguajnë taksat, marrin pjesë në zhvillimet ekonomike të vendit tonë dhe bëjnë bamirësi. Është kënaqësi kur sheh njerëz nga të gjitha racat e prejardhjet, të mbledhur në paqe. . . . Nëse të gjithë do të ishin Dëshmitarë, ne policët do të ngelnim pa punë.»​—Zëdhënësi i një sindikate për policët në Francë.

Ukrainë: «Dëshmitarët e Jehovait u ngulitin fëmijëve të tyre parime të larta morale. U mësojnë të shmangin sjellje, veprime dhe madje qëndrime që, [ndonëse] në ditët e sotme konsiderohen si normale, mund t’u bëjnë keq atyre dhe të tjerëve. Kështu i paralajmërojnë fëmijët për drogën, duhanin dhe abuzimin me alkoolin. Ata e dinë rëndësinë e ndershmërisë dhe të punës së palodhur. . . . Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë fëmijëve të kenë cilësi morale, të respektojnë autoritetet, të tjerët dhe pronën e tyre, si dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve.»​—Libri Historia e fesë në Ukrainë, nga profesor Petro Jarotski.

Itali: «Tridhjetë mijë veta në Stadiumin Olimpik dëgjonin në qetësi. . . . Asnjë mbeturinë, asnjë zhurmë, asnjë e bërtitur. Kjo ishte atmosfera e Stadiumit Olimpik dje. . . . Asnjë gjest i papërshtatshëm, asnjë cigare, asnjë kanaçe e hedhur. Vetëm Bibla të hapura, njerëz që mbanin shënime dhe fëmijë që rrinin ulur pa bërë zë.»​—Një artikull në gazetën L’Unità që fliste për një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Romë.

«Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë fëmijëve të kenë cilësi morale . . . dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve»

Britani: «Kryedhjaku i Çeltnamit tha se [Kisha e Anglisë] ka nevojë për grupe njerëzish të kushtuar që të dalin për të predikuar shtëpi më shtëpi si Dëshmitarët e Jehovait.»​—The Gazette, Dioqeza e Glosterit.

 Holandë: Banorët afër Sallës së Mbretërisë (vendi ku mblidhen Dëshmitarët e Jehovait) në qytetin e Lavardenit u dërguan Dëshmitarëve atje një letër që thoshte: «Duam t’ju përgëzojmë që na zbukuroni Nordervekun [rrugën Norder]. Jeni gjithmonë të veshur mirë dhe keni një sjellje të paqortueshme. Fëmijët janë të sjellshëm, të rriturit nuk i parkojnë kurrë makinat aty ku nuk lejohet, nuk hedhin mbeturina në rrugë dhe ambienti përreth Sallës së Mbretërisë është gjithmonë i pastër dhe i rregullt. Shpresojmë që të jeni fqinjët tanë për një kohë të gjatë, sepse jemi shumë të kënaqur që ju kemi këtu.»

Meksikë: Eljo Masferreri, profesor dhe studiues në Shkollën Kombëtare të Antropologjisë dhe Historisë, tha se Dëshmitarët ndihmonin njerëzit që ‘kishin kaluar probleme të mëdha familjare, si: përdhunim, abuzim në familje, alkoolizëm dhe varësi nga droga’. Ai tha se mësimet e Dëshmitarëve «u japin dinjitet njerëzve që kanë pasur ndjenja inferioriteti» dhe i ndihmojnë «t’i kursejnë vetes telashe të mëdha ngaqë jetojnë siç i pëlqen Perëndisë».​—Gazeta Excélsior.

«Njerëz nga të gjitha racat e prejardhjet, të mbledhur në paqe»

Brazil: Një gazetë shkruante: «Organizata e Dëshmitarëve të Jehovait të bën vërtet përshtypje. Vendet ku mblidhen janë gjithmonë të pastra. Çdo gjë është e organizuar më së miri. . . . Pas një organizimi e lënë vendin më pastër se ç’e gjetën. Gjatë fjalimeve mbajnë qetësi absolute. Nuk sheh asnjë që shtyn ose godet të tjerët. Mbizotëron sjellja e mirë. . . . Është vërtet një fe e rregullt. E dinë se ç’do të thotë të adhurosh Perëndinë.»​Gazeta Comércio da Franca.

Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se Krijuesi i di më mirë se kushdo parimet që duhet të ndjekin krijesat e tij. (Isaia 48:​17, 18) Prandaj, ata ia japin atij meritën kur marrin lavdërime për sjelljen e mirë. Jezui tha: «Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.»​—Mateu 5:16.