Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë nga ‘Perëndia i ngushëllimit’

Ndihmë nga ‘Perëndia i ngushëllimit’

MBRETI DAVID ishte njeri që përjetoi shumë angështi e ‘mendime që e turbullonin’. Prapëseprapë, kurrë nuk dyshoi se Krijuesi na kupton në gjithçka. Davidi shkroi: «O Jehova, ti më ke hetuar fund e krye dhe më njeh. Ti e di kur ulem e kur ngrihem, shqyrton nga larg çdo mendim timin. Pa e nxjerrë ende gjuha ime fjalën, ti, o Jehova, di gjithçka.»​—Psalmi 139:1, 2, 4, 23.

Edhe ne mund të jemi të sigurt se Krijuesi ynë na kupton ne dhe ndikimin ligështues që mund të ketë depresioni në mendjen dhe trupin tonë të papërsosur. Ai e di çfarë e shkakton depresionin dhe si ta përballojmë sa më mirë të jetë e mundur në rrethanat e sotme. Për më tepër, ai ka treguar si do ta zhdukë përgjithmonë depresionin. E kush mund të na ndihmojë më shumë se Perëndia ynë i dhembshur «që ngushëllon të përvuajturit»?!​—2 Korintasve 7:6.

Por, ata që vuajnë nga depresioni mund të pyesin si mund t’i ndihmojë Perëndia kur kanë ndjenja të trazuara.

A mund t’i afrohet Perëndisë kush vuan nga depresioni?

Perëndia u qëndron kaq afër shërbëtorëve të tij me depresion, sa është sikur të banojë bashkë me ‘të dërrmuarin dhe të përvuajturin në frymë, që të rigjallërojë frymën e të përvuajturve dhe zemrën e të dërrmuarve’. (Isaia 57:15) Sa ngushëlluese është të dimë se «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar»!​—Psalmi 34:18.

Si mund të marrë ngushëllim nga Perëndia kush vuan nga depresioni?

Në çdo çast të ditës, adhuruesit e Perëndisë mund t’i afrohen ‘Dëgjuesit të lutjes’, i cili mund të na ndihmojë të përballojmë ndjenjat dhe rrethanat e ankthshme. (Psalmi 65:2) Bibla na nxit t’ia zbrazim zemrën atij: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»​—Filipianëve 4:6, 7.

Po sikur ndjenjat e pavlefshmërisë të na bëjnë të mendojmë se lutjet tona nuk dëgjohen?

Si pasojë e depresionit, mund të nxjerrim përfundimin se përpjekjet tona për t’i pëlqyer Perëndisë nuk mjaftojnë. Megjithatë, Ati ynë qiellor i kupton ndjenjat tona të brishta «dhe nuk harron që jemi pluhur». (Psalmi 103:14) Edhe «po të na dënojë zemra», ne mund ‘ta bindim zemrën tonë’ se «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë». (1 Gjonit 3:19, 20, Diodati i Ri) Prandaj, gjatë lutjes mund të përdorësh shprehje që i ke lexuar në vargje biblike, si: Psalmi 9:9, 10; 10:12, 14, 17; dhe 25:17.

Po sikur të jemi tepër të turbulluar sa nuk e shprehim dot ç’ndiejmë?

 Kur emocionet e dhembshme bëhen kaq mbytëse sa është e vështirë të lidhësh fjalët, mos u dorëzo! Vazhdo ta kërkosh ‘Atin e mëshirave të buta dhe Perëndinë e çdo ngushëllimi’, duke e ditur se ai i kupton ndjenjat dhe nevojat e tua. (2 Korintasve 1:3) Maria e përmendur më parë në këtë seri, thotë: «Ndonjëherë, kur jam shumë e turbulluar, nuk di për çfarë të lutem. Por e di se Perëndia më kupton dhe më ndihmon.»

Si u përgjigjet Perëndia lutjeve tona?

Bibla nuk lë të kuptohet se Perëndia do të na i heqë të gjitha vështirësitë tani. Gjithsesi, Perëndia na jep forcën për të përballuar  «çdo gjë», edhe depresionin. (Filipianëve 4:13) Martina pohon: «Kur më filloi depresioni, i lutesha Jehovait të më shëronte menjëherë, sepse mendoja se nuk do të rezistoja dot më. Tani jam e kënaqur që lutem çdo ditë për forcë.»

Shkrimet janë burim jetësor i forcës që vjen nga Perëndia për të ndihmuar kë vuan nga depresioni që ta përballojë. Sara, e cila ka 35 vjet që lufton me depresionin, e provoi vetë sa e vlefshme është ta lexosh Biblën çdo ditë. Ajo tregon: «E vlerësoj sinqerisht atë që ka bërë mjekësia për mua. Por mbi gjithçka, kuptoj sa vlerë ka nga ana shpirtërore dhe praktike leximi i Fjalës së Perëndisë. E kam bërë zakon leximin e saj.»

Kurrë më depresion!

Kur Jezu Krishti ishte në tokë, tregoi fuqinë që i kishte dhënë Perëndia për të shëruar sëmundje të dhembshme. Jezui mezi priste t’i lehtësonte njerëzit që vuanin nga sëmundje të mundimshme. Për më tepër, ai vetë e dinte sa ligështi sjellin ndjenjat pikëlluese. Natën para se të përjetonte një vdekje të dhembshme, «me klithma të forta dhe lot, Krishti i bëri përgjërime dhe kërkesa Atij që ishte në gjendje ta shpëtonte nga vdekja». (Hebrenjve 5:7) Ndonëse për Jezuin në atë kohë ishte tejet e mundimshme, sot ne nxjerrim dobi, pasi ai e di si ndihemi dhe «është në gjendje t’u vijë në ndihmë atyre që po vihen në provë».​—Hebrenjve 2:18; 1 Gjonit 2:1, 2.

Bibla zbulon se Perëndia ka si qëllim të zhdukë të gjitha rrethanat shqetësuese që nxitin depresionin. Ai premton: «Unë po krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re. Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër. Por ju ngazëlloni e jini gjithmonë të gëzuar për atë që krijoj.» (Isaia 65:17, 18) ‘Qiejt e rinj’, Mbretëria e Perëndisë, do t’i japë ‘tokës së re’, shoqërisë me njerëz të drejtë në tokë, një shëndet të përsosur fizik, emocional dhe frymor. Të gjitha sëmundjet do të zhduken një herë e mirë.

«Nga njëra prej gropave më të thella, thirra emrin tënd, o Jehova! Dëgjoma zërin! Mos i mbyll veshët kur të kërkoj lehtësim dhe kur të thërras për ndihmë. Ditën që të thirra, u afrove dhe më the: ‘Mos ki frikë!’»​—Vajtimet 3:55-57