Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tabaki: Kozmetikë nga drurët

Tabaki: Kozmetikë nga drurët

 Tabaki: Kozmetikë nga drurët

▪ Në pjesën e thatë jugperëndimore të Madagaskarit, gratë i bien plazhit cep më cep për të gjetur guaska që t’ua shesin turistëve. Fytyrat i kanë lyer me një pastë të bardhë që quhet tabaki. Kjo maskë e mrekullueshme shumëpërdorimëshe jo vetëm që mbron lëkurën nga rrezet e forta të diellit, por shërben edhe si produkt kozmetik.

Tabaki përftohet nga pemët e masunxuanit dhe fihamit (që quhet edhe aviavi). Ai nxirret nga urra, pjesa e drurit ku kalon uji. Përgatitja është e thjeshtë: gruaja fërkon një copë të vogël urre në një gur të sheshtë dhe pak nga pak i hedh disa pika ujë që të krijohet kjo pastë. Pastaj lyen një shkop të vogël druri ose kauçuku me fund të rrumbullakët ose majë të hollë dhe vizaton një motiv në fytyrë.

Disa gra lyejnë krejt fytyrën me tabaki dhe lënë vetëm një pjesë të vogël rreth syve. Të tjera preferojnë të lyejnë vetëm ballin, faqet ose mjekrën. Tabaki përdoret për të mbuluar shenjat, për të pakësuar yndyrën e fytyrës ose për të zbukuruar fytyrën. Ndonjëherë përdoren edhe përbërës të tjerë, pra, janë të pafundme mundësitë për të krijuar kombinime ngjyrash, modelesh, me sipërfaqe të lëmuara a të ashpra.

E kujt ia priste mendja se nga druri do të nxirrej një produkt kozmetik?! Atje në Madagaskar, larg nga sallonet e modës së Parisit e të Nju-Jorkut, tabaki është një produkt kozmetik i pazakontë, por praktik.