Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për çfarë flet Bibla?

Për çfarë flet Bibla?

 Për çfarë flet Bibla?

DISA e shohin Biblën si një libër historie, meqë tregon për marrëdhënien e Perëndisë me njerëzit gjatë mijëra viteve. Të tjerë e konsiderojnë një libër që flet për etikën. Ata nxjerrin në pah mbi 600 ligjet dhe rregullat gjyqësore, familjare, morale e fetare që Perëndia i dha kombit të Izraelit. Të tjerë e shohin Biblën si libër që të drejton në aspektin shpirtëror, që zbulon pikëpamjen e Perëndisë.

Ç’është e vërteta, të gjitha këto përshkrime janë me vend. Bibla thotë për veten: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (2 Timoteut 3:16, 17) Vërtet, çdo gjë në Fjalën e Perëndisë është me vlerë, duke përfshirë tregimet historike, ligjet dhe këshillat.

Gjithsesi, Bibla nuk është vetëm një përmbledhje informacionesh të dobishme. Ajo është e pashoqe, pasi është një mesazh nga Perëndia Jehova. Bibla përmban këshilla praktike nga Perëndia për jetën e përditshme. Gjithashtu, zbulon qëllimin e Jehovait për tokën e njerëzimin dhe tregon si do t’i zhdukë shkaqet e vuajtjeve të njerëzve. Ç’është më e rëndësishmja, Bibla na zbulon se për Perëndinë kanë shpifur dhe shpjegon si do ta zgjidhë këtë çështje universale.

Perëndinë e kanë quajtur gënjeshtar dhe sundimtar të keq

Bibla thotë se Perëndia i krijoi njerëzit e parë, Adamin dhe Evën me mendje dhe trup të përsosur dhe i vuri në një ambient të mrekullueshëm. U la në dorë tokën dhe mbretërinë e kafshëve. (Zanafilla 1:28) Si fëmijë të Perëndisë, Adami dhe Eva kishin mundësi të jetonin përgjithmonë në tokë, me kusht që t’i bindeshin Atit të tyre qiellor. Ai u vuri vetëm një kufizim. Jehovai tha: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.»​—Zanafilla 2:16, 17.

Megjithatë, një krijesë frymore që në Bibël quhet Satana Djalli, tha pikërisht të kundërtën: «Ju s’keni për të vdekur aspak.» (Zanafilla 3:1-5) Duke kundërshtuar paturpësisht Perëndinë, Satanai jo vetëm që e quajti Krijuesin gënjeshtar, por edhe la të nënkuptohej se mënyra si sundon Ai është e gabuar, pra se njeriu mund të ecte më mirë pa Perëndinë. Satanai ia mbushi mendjen Evës që mosbindja ndaj Perëndisë do t’i sillte çlirim dhe pavarësi morale. Ai tha se Eva do të ishte «si Perëndi». Kështu, Satanai hodhi baltë mbi emrin dhe qëllimin e mirë të Jehovait.

Kjo bisedë pati pasoja të rënda. Qëllimi i Jehovait për të pastruar emrin dhe reputacionin e tij është tema kryesore e Biblës. Kjo përmblidhet në lutjen model të Jezuit, që shpesh quhet lutja «Ati ynë». Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin: «U shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt . . . në tokë.»​—Mateu 6:9, 10.

Perëndia do ta pastrojë emrin e tij

Satanai ngriti disa çështje themelore: kush thoshte të vërtetën, Jehovai apo Satanai? A sundon Jehovai me drejtësi dhe në të mirë të krijesave të tij? A ka të drejtë të presë që njerëzit t’i binden? A do të ishte vërtet më mirë njerëzimi po të ishte i pavarur? Për të zgjidhur këto çështje, Jehovai i ka lejuar përkohësisht njerëzit të vetëqeverisen.

Cili ka qenë rezultati? Që nga ajo gënjeshtër e parë në Eden, historia  njerëzore ka qenë plot vështirësi dhe vuajtje, duke provuar kështu që Satanai është një gënjeshtar kokë e këmbë dhe se pavarësia nga Perëndia çon vetëm në rrënim. Megjithatë, nga dashuria dhe mençuria e pakufishme, Jehovai ka si qëllim të pastrojë emrin e tij, duke u dhënë fund të gjitha vështirësive që zunë fill në Eden. Ai do ta bëjë këtë me anë të Mbretërisë mesianike. Ç’është kjo Mbretëri?

Zgjidhja që jep Perëndia​—Mbretëria e tij

Miliona njerëz e thonë shpesh përmendësh lutjen «Ati ynë». Përse të mos ndaleni një çast dhe të mendoni se çfarë do të thotë? Mendoni për këto fjalë: «Ardhtë mbretëria jote.» (Mateu 6:10) Kjo Mbretëri nuk është thjesht një gjendje abstrakte e zemrës, siç kanë nxjerrë si përfundim disa. Përkundrazi, siç tregon termi «mbret», ajo është një qeveri, një qeveri qiellore në duart e Jezu Krishtit, ‘Mbretit të mbretërve’. (Zbulesa 19:13, 16; Danieli 2:44; 7:13, 14) Bibla mëson se ai do të sundojë në mbarë tokën, do të sjellë paqe dhe harmoni të përhershme midis të gjithë njerëzve dhe do ta pastrojë tokën nga çdo ligësi. (Isaia 9:6, 7; 2 Selanikasve 1:6-10) Në këtë mënyrë Mbretëria e Perëndisë, dhe jo ndonjë qeveri njerëzore, do të përmbushë fjalët e Jezuit: «U bëftë vullneti yt . . . në tokë.»

Që të përmbushen këto fjalë, Jezui dha jetën si shpërblesë për të çliruar pasardhësit e Adamit nga mëkati dhe vdekja. (Gjoni 3:16; Romakëve 6:23) Prandaj, nën Mbretërinë e Perëndisë, të gjithë ata që tregojnë besim në flijimin e Krishtit do të shohin se pasojat e mëkatit të Adamit do të hiqen dhe gradualisht njerëzve do t’u kthehet përsosmëria. (Psalmi 37:11, 29) Më në fund s’do të ekzistojnë problemet shëndetësore që na mundojnë, sidomos në moshë të shkuar. Edhe dhembjet emocionale që vijnë nga sëmundjet e vdekja, do të kenë ‘shkuar’.​—Zbulesa 21:4.

Si mund të jemi të sigurt se Perëndia do t’i mbajë premtimet? Një arsye është se me qindra profeci që gjenden në Bibël tashmë janë plotësuar. (Shih faqen 9.) Pra është e qartë se besimi në Bibël nuk është utopi e verbër ose ëndërr e kotë, por bazohet tek arsyeja dhe provat e bollshme.​—Hebrenjve 11:1.

Këshilla praktike për ditët tona

Përveçse na jep një bazë të fortë për të pasur shpresë, Bibla na ndihmon edhe të jemi më të lumtur sot. Për shembull, Fjala e Perëndisë na jep këshilla praktike të pakrahasueshme për martesën, jetën familjare, marrëdhëniet mes njerëzve, lumturinë dhe shumë tema të tjera. Le të ndalemi vetëm te disa shembuj.

Të mendohesh para se të flasësh. «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate, por gjuha e të mençurve është shërim.»​—Proverbat 12:18.

Shmangni xhelozinë zemërngushtë. «Zemra e qetë është jetë për trupin, kurse xhelozia është kalbësirë për kockat.»​—Proverbat 14:30.

Disiplinojini fëmijët. «Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» «Djali i lënë pa fre, e turpëron nënën e tij.»​—Proverbat 22:6; 29:15.

Falni. Jezui tha: «Lum të mëshirshmit, sepse do t’u tregohet mëshirë!» (Mateu 5:7) Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Dashuria i mbulon të gjitha shkeljet.» (Proverbat 10:12) Nëse dikush ka kryer kundër jush një mëkat aq të rëndë, saqë e keni të pamundur të falni e të harroni, Bibla këshillon: «Shko, flitni vetëm për vetëm dhe tregoji hapur ku ka gabuar.»​—Mateu 18:15.

Shmangni dashurinë për para. «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa . . . janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Timoteut 6:10) Vëreni se Bibla dënon ‘dashurinë për para’, jo paratë në vetvete.

Një «letër» nga Ati ynë qiellor

Pra, Bibla trajton shumë tema. Siç e pamë, ajo flet në radhë të parë për Perëndinë dhe qëllimin e tij. Por flet edhe për ne njerëzit dhe si mund të jetojmë të lumtur tani dhe përgjithmonë  nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë. Në njëfarë kuptimi, Bibla është si një letër nga ‘Ati ynë në qiej’, Jehovai. (Mateu 6:9) Nëpërmjet saj, Jehovai na ka treguar mendimet e tij të vyera dhe na ka zbuluar vullnetin dhe personalitetin e tij të bukur.

Duke lexuar Biblën e duke medituar rreth saj, fillojmë «ta shohim» Perëndinë siç është vërtet. Zemra jonë preket, dhe krijojmë një marrëdhënie të dashur me të. (Jakovi 4:8) Sigurisht Bibla nuk është vetëm një libër me histori, profeci dhe ligje. Ajo vlen edhe për të ndërtuar një marrëdhënie me Perëndinë. Pikërisht kjo e bën Biblën një libër të pashoq dhe shumë të çmuar.​—1 Gjonit 4:8, 16.

[Diçitura në faqen 19]

Tema e Biblës përmblidhet bukur në vargjet e para të lutjes model të Jezuit

[Kutia dhe figura në faqen 21]

SI TA LEXOSH BIBLËN

Bibla është një libër mjaft tërheqës. Tregimet dhe mësimet e saj morale janë kaq të mirënjohura, saqë luajnë një rol të rëndësishëm në letërsinë e shumë gjuhëve. Bibla na ndihmon të njohim Krijuesin tonë, Perëndinë Jehova. Gjithashtu, është një burim i thellë mençurie. Një proverb biblik thotë: «Mençuria është gjëja parësore. Fito mençuri dhe me gjithçka që fiton, fito kuptueshmëri.» (Proverbat 4:7) Si mund të përfitosh sa më shumë nga leximi i Biblës?

Përpiqu ta programosh leximin kur je më i kthjellët. Mos e lexo shpejt e shpejt. Synimi yt duhet të jetë ta ushqesh mendjen me mendimet e Perëndisë dhe t’i përvetësosh ato. Pas leximit, medito për ato që lexove dhe krahasoji me ato që di. Kjo do të ta thellojë kuptueshmërinë dhe çmueshmërinë.—Psalmi 143:5.

Disa mund të pyesin: ‘Nga duhet ta filloj Biblën?’ Sigurisht mund t’ia nisni nga fillimi. Megjithatë, disa që e lexojnë për herë të parë, e kanë më të lehtë të fillojnë me Ungjijtë​—Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni​—tregimet që flasin për jetën dhe shërbimin e Jezuit. Pastaj disa vazhdojnë me librat e bukur poetikë dhe plot mençuri​—Psalmet, Proverbat dhe Eklisiastiun. Kjo mund të të shtojë kureshtjen për pjesët e tjera të Biblës. (Shih më poshtë.) Mos të të ngulitet edhe ty mendimi i gabuar se ke nevojë të lexosh vetëm atë që shpesh e quajnë Dhiata e Re. Mbaj parasysh se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm».​—2 Timoteut 3:16.

Një mënyrë e efektshme për të studiuar Biblën është sidomos sipas temave. Për shembull, mjeti ndihmës për studim Çfarë mëson vërtet Bibla?, që përdorin Dëshmitarët e Jehovait kur predikojnë, trajton tema të kohës, siç janë: «Si të kesh një jetë të lumtur familjare?», «Adhurimi që miraton Perëndia» dhe «Ku janë të vdekurit?»​—Shih kutinë në faqen 18.

[Kutia në faqen 21]

LEXIMI I BIBLËS SIPAS TEMAVE

Si erdhi jeta dhe si u bë mëkatar njeriu Zanafilla

Lindja e kombit të lashtë të Izraelit Nga Dalja deri te Ligji i përtërirë

Tregime plot ndodhi interesante Nga Josiu deri tek Estera

Poezi dhe këngë plot ndjenjë Jobi, Psalmet, Kënga e Solomonit

Mençuri për jetën Proverbat, Eklisiastiu

Profeci dhe drejtim moral Nga Isaia deri te Malakia, dhe Zbulesa

Jeta dhe mësimet e Jezuit Nga Mateu deri te Gjoni

Themelimi dhe përhapja e krishterimit Veprat

Letra për kongregacionet Nga Romakëve deri te Juda