Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

 Një vështrim rreth botës

«Çdo vit, afro gjashtë milionë fëmijë​—një çdo pesë sekonda​—vdesin ngaqë nuk hanë mjaftueshëm.»—XHEJMS T. MORRIS, DREJTORI EKZEKUTIV I PROGRAMIT BOTËROR PËR USHQIMIN

Numri zyrtar i vdekjeve të shkaktuara nga uragani Katrina, që goditi Jugun e Shteteve të Bashkuara në gusht 2005, ka arritur më se 1.300 veta.​—THE WASHINGTON POST, SHBA.

Tërmeti që goditi Pakistanin Verior dhe Indinë në tetor 2005, mori më shumë se 74.000 jetë.—BBC NEWS, BRITANI.

Një raport thotë se «çdo vit, afro 1,2 milionë njerëz vdesin në aksidente rrugore».—SOUTH AFRICAN MEDICAL JOURNAL, AFRIKË E JUGUT.

Thesare që hapin telashe

Autoritetet e Kishës Katolike Romake janë në dilemë se si t’i mbrojnë thesaret e artit që i përkasin periudhës së kolonizimit, të cilat zbukurojnë kishat e Perusë. Gjashtë vitet e kaluara, 200 kisha u vunë në shënjestër të hajdutëve. Vetëm në Kusko, këto 15 vitet e fundit janë vjedhur rreth 5.000 vepra arti, kryesisht piktura vaji me vlerë. Askush nuk e di saktësisht se sa vepra janë zhdukur në të gjithë vendin. Për të shmangur hajdutët, disa kisha i kanë fshehur veprat e artit, por në kushte të papërshtatshme. Në një famulli brejtësit prishën disa piktura vaji.

Krizë për punëtorë të aftë në Finlandë

Sektorët industrialë dhe të shërbimeve në Finlandë, kanë jashtë mase nevojë për punëtorë të aftë, që kanë përfunduar një shkollë profesionale, si për shembull për marangozë, hidraulikë, saldatorë, muratorë, mekanikë, makinistë dhe infermierë. Pse? Sepse theksi është vënë tek arsimi i lartë, siç thotë dhe gazeta Helsingin Sanomat. «Është absurde që të kthesh një brez të tërë në doktorë dhe në kandidatë artesh e shkencash,—thotë Heiki Roponeni, i Federatës së Shitësve Finlandezë.—Kualifikimi profesional duhet të vlerësohet më tepër.»

Vendim i favorshëm gjyqësor në Francë

Më 1 dhjetor 2005, Gjykata e Apelit në Paris urdhëroi ministrin e brendshëm francez t’i lejonte Dëshmitarët e Jehovait të shihnin dokumentet ligjore, që në vitin 1996 ishin përdorur për t’i vënë këta në listën e zezë duke i konsideruar si «sekt». Lista ishte përgatitur në seanca me dyer të mbyllura, dhe përmbajtja e dokumenteve ishte mbajtur sekret për arsye të ‘sigurisë shtetërore dhe publike’. Megjithatë gjykata vendosi se sipas dokumenteve, vlerësimi i ndikimit të aktiviteteve të Dëshmitarëve ishte i një «natyre të parëndësishme». Pavarësisht nga kjo, lista është përdorur herë pas here për të justifikuar sjelljen e bazuar te paragjykimet ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Francë.

«Muri i madh i gjelbër»

Kullotja pa kriter, thatësira, shpyllëzimi dhe shfrytëzimi i tepruar i burimeve të ujit, po shndërrojnë zona të mëdha të Kinës në shkretëtira. Prandaj, sipas New Scientis, autoritetet kineze kanë filluar «projektin më të madh ekologjik që ka parë ndonjëherë bota». «Sipas këtij programi, që është bërë i njohur si ‘muri i madh i gjelbër’, janë mbjellë një numër i jashtëzakonshëm pemësh për të krijuar një barrierë që do të pengojë pluhurin të depërtojë brenda vendit.» Gjithashtu po mbillen barishte dhe shkurre për të stabilizuar tokën e shkretë. Duke filluar që në vitin 1978, projekti është thuajse në gjysmë të rrugës për të arritur qëllimin, mbulimin e 35 milionë hektarëve tokë me pemë dhe bimë që nuk kanë nevojë për shumë ujë.