Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Masazh bebeve?

Masazh bebeve?

 Masazh bebeve?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

ANITA, një nënë e re nga Nigeria, e lan dhe pastaj i bën masazhe të lehta bebes së saj. Edhe nëna, edhe foshnja kënaqen pa masë. «Kjo është një traditë që ndjekin nënat nigeriane për t’u kujdesur për bebet e tyre,—shpjegon Anita.—Mamaja na bënte gjithnjë masazhe mua dhe vëllezërve të mi. Masazhi është një mënyrë e shkëlqyer për të forcuar muskujt e bebes dhe për ta çlodhur. Ndërkohë që i bëj masazh vogëlushes, i këndoj dhe i flas, kurse ajo më përgjigjet duke gugatur e duke më buzëqeshur. Sa bukur është!»

T’u bësh masazh bebeve është e zakonshme në shumë zona, dhe po përhapet edhe në disa vende perëndimore. Sipas Organizatës Spanjolle për Masazhet e Foshnjave, masazhi është një teknikë delikate, e butë dhe e kënaqshme, që e ndihmon prindin të komunikojë fizikisht dhe emocionalisht me foshnjën. Përfshin t’i fërkosh bebes me butësi, por edhe me vendosmëri, shputat, këmbët, si edhe kurrizin, kraharorin, stomakun, krahët dhe fytyrën.

Çfarë dobie ka foshnja nga masazhi? Para së gjithash, ndien dashuri dhe përzemërsi. Një i sapolindur nuk ka nevojë vetëm të ushqehet, por edhe të ndiejë dashurinë prindërore. Ndjesia e të prekurit zhvillohet që në çastet e para të jetës. Prandaj, kur nëna ose babai e fërkojnë butë foshnjën, i transmetojnë dashuri edhe në kuptimin fizik. Foshnjës i përcillet më tepër informacion, si fizik, ashtu edhe emocional. Pra, masazhi ndihmon që të krijohet një lidhje e ngrohtë mes prindërve dhe foshnjës, sapo ajo lind.

Përveçse shpreh dashuri, masazhi e qetëson foshnjën, dhe kjo e ndihmon të flejë më mirë, më gjatë e të ketë më pak shqetësime. Po ashtu, masazhi i forcon muskujt, si edhe rregullon sistemin e qarkullimit të gjakut, të tretjes dhe të frymëmarrjes. Disa thonë se nxjerr dobi edhe sistemi imunitar i bebes. Gjithashtu, ngaqë ngacmon ndjesinë e të prekurit, të parit dhe të të dëgjuarit, masazhi mund të forcojë kujtesën dhe aftësinë për të mësuar.

Edhe disa spitale e kanë studiuar vlerën e masazhit te foshnjat. Për shembull, nga një studim u zbulua se bebet e lindura para kohe, që u ishte bërë masazh, dilnin nga spitali shtatë ditë më përpara sesa bebet që nuk u ishte bërë masazh, dhe kishin shtuar 47 për qind më shumë në peshë.

Është e qartë se nuk janë vetëm të rriturit që përfitojnë nga një masazh i mirë. Sigurisht, për bebet një masazh është shumë më tepër sesa thjesht një fërkim për t’u çlodhur. Ato marrin dashuri nëpërmjet duarve të ngrohta e gishtërinjve të butë, si edhe një buzëqeshje të ëmbël.