Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur peshku të sëmur

Kur peshku të sëmur

 Kur peshku të sëmur

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FIXHI

Arebontoja ishte në mëdyshje, të hante apo të mos hante. E dinte se ishte e rrezikshme, por e kishte marrë uria. Peshku i pjekur në skarë kundërmonte një erë oh, sa të mirë! Si përfundim oreksi e mundi frikën. Por s’kaloi shumë e po i përzihej, i dhembte barku, pastaj filloi të villte dhe kishte diarre. Tani donte të mos e kishte ngrënë atë peshk.

KUR shokët e çuan urgjent në spitalin e ishullit të tij të vogël në Paqësor, Arebontoja ishte gjysmë i vetëdijshëm dhe i çhidratuar, kishte dhembje në gjoks, presion shumë të ulët të gjakut dhe puls të dobët. Ditët pasuese, përveçse i dhembte koka, i merreshin mendtë dhe ishte i këputur, i mpiheshin këmbët, kishte dhembje kur urinonte dhe një ndryshim të çuditshëm të ndjeshmërisë, domethënë të ftohtët i dukej të ngrohtë, dhe të ngrohtët, të ftohtë. Pas tetë ditësh iu normalizuan rrahjet e pulsit, kurse mpirja e gjymtyrëve dhe këputja vazhduan për javë të tëra.

Arebontoja u sëmur nga disa lëndë helmuese natyrore të forta, që infektojnë peshqit e koraleve tropikale të cilët normalisht janë të ngrënshëm. Sëmundja (CPF-ja), e njohur si helmimi ciguatera nga peshku, shfaqet në zonat tropikale dhe subtropikale të Oqeanit Indian dhe Paqësor, si edhe në Karaibe. Peshqit e kapur në këto zona janë burimi kryesor i ushqimit për këta banorë.

CFP-ja nuk është një sëmundje e panjohur. Në fakt, ajo ishte mallkimi i eksploruesve detarë evropianë. Në mënyrë të ngjashme shumë pushues në ditët e sotme kanë vuajtur nga pasojat e saj ligështuese. Kuptohet se peshkimi dhe industria turistike e shumë ishujve kufizohet për shkak të kësaj sëmundjeje. Për më tepër, tregtia ndërkombëtare e peshkut të gjallë dhe të ngrirë të koraleve, ka bërë që të shfaqen raste me CFP edhe në zona të tjera jashtë tropikut. Por në këto vende kjo sëmundje nuk diagnostikohet menjëherë. *

Pse bëhen helmues peshqit që jetojnë në këto korale? A mund të identifikohen peshqit helmues? Shqyrtoni çfarë është gjetur nga kërkimet që vazhdojnë prej dekadash.

Identifikimi i fajtorit

Në përgjithësi mendohet se një mikroorganizëm i quajtur dinoflagjelat është shkaku i lëndëve helmuese që shkakton CFP-në. * Mikrobi jeton në  koralet e vdekura dhe ngjitet pas algave. Peshqit e vegjël që ushqehen me algat gëlltitin edhe lëndët helmuese, ciguatoksinat, që prodhojnë dinoflagjelatët. Këta peshq hahen nga peshqit më të mëdhenj e kështu me radhë, duke rritur sasinë e helmit me shtimin e zinxhirit ushqimor. Megjithatë, peshkun duket se nuk e gjen gjë.

Ciguatoksinat janë ndër substancat biologjike më vdekjeprurëse që njihen deri më sot. Një gazetë qeveritare australiane thotë se shyqyr që «vetëm disa lloje peshqish konsiderohen si shkaktarë të CFP-së». Ciguatoksinat nuk ia shformojnë pamjen, erën ose shijen peshkut dhe nuk shkatërrohen kur ai gatuhet, thahet, kripet, tymoset ose marinohet. Në rastin e Arebontos, ai nuk pikasi gjë kur e hëngri peshkun, derisa filloi të ndiente simptoma të rënda në aparatin tretës, në aparatin kardiovaskular dhe në sistemin nervor.

Diagnostikimi dhe kurimi

Tani për tani nuk ka analizë laboratorike për CFP-në te njerëzit. Diagnostikimi bazohet te simptomat e ndryshme që zakonisht shfaqen brenda pak orësh pasi është ngrënë peshku, dhe mund të konfirmohet duke analizuar mbetjen e peshkut të ngrënë për të parë nëse kishte lëndë helmuese. (Shih kutinë në faqen tjetër.) Nëse dyshoni për CFP-në, është e mençur të kërkoni ndihmë mjekësore. Ndonëse nuk ka kundërhelm, mjekimi mund të lehtësojë dhembjet që zakonisht zhduken brenda pak ditësh. Gjithsesi CFP-ja e dobëson shumë organizmin, dhe kurimi i menjëhershëm mund të parandalojë që të bëhet sëmundje kronike.

Simptomat mund të jenë të rënda ose jo, në varësi të disa faktorëve. Këto përfshijnë sa helmues ishte peshku, sasia dhe pjesët që janë ngrënë, niveli i ciguatoksinave te pacienti, si edhe vendi ku është kapur peshku, pasi lëndët helmuese ndryshojnë disi nga zona në zonë. Në vend që të fitojnë imunitet ndaj këtyre helmeve njerëzit bëhen më të prekshëm, dhe kur rastet përsëriten bëhen gjithnjë e më të rënda. Edhe alkooli i rëndon simptomat. Një botim që flet për këtë sëmundje tepër të përhapur shpjegon se, që të mos sëmuret prapë, një pacient nuk duhet të hajë peshk për tre deri gjashtë muaj pasi ka kaluar CFP-në.

Rastet e rënda mund të zgjatin për javë, muaj, madje disa herë edhe për vite të tëra, duke shkaktuar simptoma të ngjashme me ato të sindromës së rraskapitjes kronike. Në raste të rralla, pacienti vdes nga gjendja e shokut, nga mosfunksionimi i aparatit të frymëmarrjes ose të zemrës, o nga çhidratimi. Megjithatë raste të tilla zakonisht ndodhin kur janë konsumuar ato pjesë të peshkut ku lëndët helmuese janë më të përqendruara, si për shembull koka ose të përbrendshmet.

Enigmë që nuk po zbardhet

Pothuajse të gjithë peshqit që jetojnë në shkëmbinjtë koralorë dhe grabitqarët e tyre, ka shumë mundësi të kenë ciguatoksina. Por këtu fshihet enigma. Peshq nga një zonë koralore mund të jenë shumë helmues, kurse të njëjtat lloje të kapura në një zonë aty afër, mund të jenë të shëndetshme. Disa lloje që zakonisht konsiderohen shkaktarë të CFP-së në një pjesë të botës, mund të konsiderohen  të parrezikshme në një zonë tjetër. Duke qenë se çlirimi i lëndëve helmuese nga dinoflagjelatët është i paparashikueshëm, edhe vendi ku mund të qëllojnë peshqit helmues është po ashtu i paparashikueshëm.

Një gjë tjetër që e rëndon më tej problemin është vështirësia dhe kostoja e lartë për të përcaktuar saktë se cilët peshq janë helmues. Më e mira që mund të bëjnë autoritetet e shëndetësisë, për momentin, është të informojnë publikun se cilët lloj peshqish nuk duhen ngrënë dhe cilat janë ato zona ku gjenden këta peshq, informacione këto të bazuara në raportet e rasteve me CFP. Llojet që dyshohen si më të rrezikshme janë: peshku barrakudë, mycteroperca venenosa, scomberomorus cavalla, levreku i kuq, shkrepi, lutjanus buccanella, si edhe gjarpri i detit. Zakonisht peshqit e vjetër dhe të mëdhenj janë më të rrezikshëm. Në disa vende është e ndaluar me ligj shitja e peshkut që ka shumë mundësi të mos jetë i sigurt. Megjithatë, peshqit që jetojnë në oqeane, të cilët nuk ushqehen me peshqit e koraleve, si edhe peshqit që jetojnë në ujërat e freskëta, në përgjithësi konsiderohen të ngrënshëm.

Parashikohet që numri i rasteve me CFP të rritet. Pjesërisht sepse koralet e vdekura krijojnë një ambient të përshtatshëm që i jep dorë shtimit të dinoflagjelatëve helmues. Raportet tregojnë se një numër në rritje koralesh janë të sëmura ose po vdesin.

Pavarësisht nga natyra e paparashikueshme e CPF-së, ju mund të zvogëloni rrezikun duke zbatuar disa parime bazë. (Shih kutinë lart.) Arebontoja desh vdiq ngaqë nuk ndoqi këto udhëzime. E hëngri peshkun me gjithë kokë, dhe ky peshk njihet që paraqet rrezikshmëri të lartë. Ai kishte ngrënë edhe herë të tjera si ai peshk pa pësuar gjë, ashtu si shumë banorë të tjerë, dhe prandaj kishte besim të tepruar.

A do të thotë kjo se duhet të mos hani fare ushqime deti, nëse për shembull një ditë do të shkoni për pushime në një vend tropikal? Jo aspak! Thjesht duhet të keni kujdes, të mbani parasysh paralajmërimet dhe të zgjidhni me mençuri llojin e peshkut që doni të shijoni.

[Shënimet]

^ par. 6 Si pasojë e diagnostikimit të gabuar dhe mosraportimit, nuk dihet numri i vërtetë i rasteve me CFP në tërë botën. Burime të ndryshme përllogaritin se përreth botës çdo vit ndodhin afro 50.000 raste.

^ par. 9 Lloji i dinoflagjelatëve është Gambierdiscus toxicus.

[Kutia dhe figura në faqen 21]

Simptomat e zakonshme

▪ Diarre, të përziera, vjellje, dhembje barku

▪ Ethe, djersitje, marrje mendsh, dhembje koke, kruarje

▪ Mpirje ose sëmbim përreth gojës, duarve ose shputave të këmbëve

▪ Ndryshim të ndjeshmërisë—të ftohtët duket të ngrohtë, dhe të ngrohtët, të ftohtë

▪ Dhembje të muskujve, të kyçeve dhe gjatë urinimit

▪ Puls të dobët, presion të ulët të gjakut, këputje

[Kutia dhe figura në faqen 21]

Zvogëloni rrezikun

▪ Pyetni në departamentin vendës të peshkimit ose ndonjë specialist në këtë fushë, se cilat lloje peshqish nuk duhet të hani dhe në cilat zona kapen peshqit helmues.

▪ Mos hani peshq që janë kapur në zonat ku kohët e fundit është raportuar për sëmundjen ciguatera.

▪ Mos hani peshqit e vjetër dhe të mëdhenj që jetojnë nëpër korale.

▪ Mos hani kokën, mëlçinë ose të përbrendshmet.

▪ Sapo të kapni një peshk koralor, pastrojeni mirë brenda.

[Figurat në faqet 20, 21]

Llojet që dyshohen zakonisht

(EMRAT E ZAKONSHËM MUND TË NDRYSHOJNË)

Lutjanus buccanella

Mycteroperca venenosa

Barrakuda

Levreku me vija

Scomberomorus cavalla

Gjarpri i detit

[Figura në faqen 20]

Dinoflagjelatët, burim i lëndëve helmuese

[Burimet e figurave në faqen 20]

Të gjithë peshqit përveç gjarprit të detit: Illustrated by Diane Rome Peebles-Provided by the Florida Fish and Wildlife Conservation Commission, Division of Marine Fisheries Management; gjarpri i detit: fotografi nga John E. Randall; dinoflagjelatët: pamja nga D. Patterson and R. Andersen, provided courtesy of micro*scope (http://microscope.mbl.edu)

[Burimi i figurës në faqen 21]

Peshqit në sfond: Illustrated by Diane Rome Peebles - Provided by the Florida Fish and Wildlife Conservation Commission, Division of Marine Fisheries Management