Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dikur i pashpresë, sot i lumtur

Dikur i pashpresë, sot i lumtur

 Dikur i pashpresë, sot i lumtur

TREGUAR NGA VISENTE GONZALEZI

Kur morën vesh se e kisha qëlluar veten katër herë me pistoletë dhe prapë nuk kisha vdekur, fqinjët më quajtën Supermen. Por unë nuk isha gjëkundi supermen. Më lejoni t’ju tregoj përse u përpoqa t’i jepja fund jetës.

LINDA në vitin 1951, në Guajakuil, Ekuador. Prindërit ndërtuan një shtëpi ku të jetonin bashkë me nëntë fëmijët, afër detit, në një vend që e quanin «Pushtimet». Familjet e varfra e kishin «pushtuar» atë zonë në mënyrë të paligjshme, dhe kishin ndërtuar shtëpi me mure bambuje dhe çati llamarinash. Meqë ishin ndërtuar në baltë e në moçale, shtëpitë qëndronin mbi shtylla druri. Nuk kishim korrent, gatuanim në një sobë me qymyr dhe bënim gjysmë kilometri në këmbë çdo ditë për të marrë ujë të pijshëm.

Vëllezërit dhe motrat më të mëdhenj u futën që të vegjël në punë për t’iu bërë krah familjes. Kur isha 16 vjeç, pa mbaruar shkollën, gjeta punë si korrier në një fabrikë. Bashkë me shokët filluam pijen dhe jetën e shthurur. Kur më vriste ndërgjegjja, shkoja rrëfehesha në kishë. «Bir, ke bërë një rrëfim ashtu siç duhet»,—thoshte prifti sa herë më përcillte, pa më dhënë kurrfarë ndihme shpirtërore. Kështu, unë vazhdoja po njësoj. Si përfundim, ky avaz, mëkato-rrëfehu-mëkato, m’u duk i kotë dhe nuk shkova më në kishë. Pak a shumë në të njëjtën kohë m’u hapën sytë dhe pashë se ç’padrejtësi kishte përreth. Shumica e varfër rropatej për bukën e gojës, kurse pakica e pasur jetonte mes luksit. Jeta më dukej pa pikë kuptimi. Mendoja se për mua nuk do të kishte as të ardhme dhe as një qëllim në jetë.

Kur, një ditë, mora vesh se katër nga motrat e mia lexonin botime të Dëshmitarëve të Jehovait. Fillova t’i lexoja edhe unë. Sidomos njëri nga librat më bëri për vete, ishte libri E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. Në mënyrë logjike, ai më qartësoi për shumë tema biblike. Më kujtohet që i thashë vetes: ‘Kjo është e vërteta!’ Por siç zbulova gjatë 15 viteve pasuese, ishte tjetër gjë ta jetoje të vërtetën.

Në moshën 22-vjeçare fillova punë në një bankë. Një ditë një shok i punës më tregoi se si «merrte borxh» fshehurazi nga banka dhe pastaj e shlyente prapë «huanë». Edhe unë fillova të merrja «hua», derisa erdhi një ditë që nuk e fshihja dot më krimin tim, kaq shumë kisha marrë. Rashë në dëshpërim, ngaqë e dija se nuk do t’i ktheja dot kurrë ato para. Kështu vendosa të kallëzoja dhe pastaj, si ndëshkim ekstrem, t’i jepja fund jetës.

Pasi i shkrova një letër bankës, bleva një pistoletë me kalibër të vogël. Gjeta një rrëzë në plazh dhe e ia shkrepa vetes dy herë në kokë dhe dy herë në gjoks. Megjithëse u plagosa rëndë, nuk vdiqa. Një çiklist më gjeti dhe u kujdes që të më çonin shpejt në spital. Pasi mora veten, dola në gjyq për vjedhje dhe më futën në burg. Kur u lirova, ndihesha i turpëruar dhe i dëshpëruar, pasi tani isha dënuar një herë për krim.  Meqë shpëtova gjallë, edhe pse me katër plagë plumbash, fqinjët filluan të më quanin Supermen.

Një mundësi për të ndryshuar

Rreth kësaj kohe, tek unë erdhi Pol Sançesi, një misionar i Dëshmitarëve të Jehovait. Gjëja e parë që më ra në sy ishte fytyra e tij shend e verë. Poli ishte njeri kaq i lumtur dhe optimist, saqë e pranova ftesën e tij për të bërë një studim biblik. Mendoja: ‘Mbase ai më ndihmon të gjej lumturi dhe një qëllim në jetë.’

Me ndihmën e Polit, mësova se Perëndia ka një qëllim për njerëzit dhe se ata që e duan dhe i binden Atij, një ditë do të jetojnë në një tokë parajsore. (Psalmi 37:29) Gjithashtu mësova se padrejtësia dhe varfëria nuk vijnë nga Perëndia, por janë pasoja të rebelimit të njerëzve kundër Tij. (Ligji i përtërirë 32:4, 5) Këto të vërteta ishin si një dritë në jetën time. Megjithatë, të ndryshoja personalitetin ishte ku e ku më e vështirë sesa të studioja Biblën.

Gjeta një punë zyre që më jepte përgjegjësinë të mbaja paratë e kompanisë. Edhe kësaj here iu dorëzova tundimit dhe nisa të vidhja. Kur nuk e mbaja dot më të fshehur vjedhjen, ia mbatha në një qytet tjetër, në Ekuador. Atje ndenja gati një vit. U përpoqa të ikja jashtë shtetit, por nuk ia dola. Kështu, u ktheva në shtëpi.

Poli më gjeti sërish dhe e filluam prapë studimin. Kësaj radhe vendosa t’i zbatoja parimet e Biblës në jetën time dhe t’i shërbeja Jehovait. Me këtë synim në mendje, i tregova Polit për keqbërjen që kisha kryer dhe ai më foli troç kur më këshilloi. Më tregoi shkrime biblike të tilla, si Efesianëve 4:28, ku thuhet: «Vjedhësi të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur.» Kuptova që duhej ta pranoja se kisha bërë vjedhje dhe të vuaja pasojat.

Ndërkohë që mendoja për gjendjen time, fillova të punoja privatisht duke u marrë me art. Një ditë, në studion time erdhi një burrë që interesohej për një pikturë. Por ai ishte hetues dhe kishte një urdhër arresti për mua. Kështu pra, dola prapë në gjyq dhe më dënuan me burg. Poli më vizitoi dhe unë i premtova: «Kurrë nuk do të bëhesh pishman se u përpoqe të më ndihmoje për të kuptuar Biblën.» Studimin e vazhduam në burg.

Jap prova për sinqeritetin tim

Kur dola nga burgu, vendosa t’i shërbeja Jehovait me gjithë zemër, dhe dy vitet pasuese dhashë prova se isha i sinqertë në vendimin tim. Në vitin 1988, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait. Mezi prisja të fitoja kohën e humbur, prandaj fillova shërbimin e plotkohor duke u bërë pionier. Veçanërisht përpiqesha të takoja pjesëtarë të bandave të të rinjve.

Një bandë shpesh shkarraviste muret e Sallës së Mbretërisë. Meqë i njihja pjesëtarët e bandës dhe ua dija shtëpitë, u bëra një vizitë dhe u shpjegova se përse shërben Salla e Mbretërisë. Gjithashtu me mirësjellje u kërkova që të respektonin pronën tonë. Pas kësaj nuk gjetëm më shkarravina nëpër mure.

Më vonë, kur po ristrukturonim sallën dhe po i gërryenim bojën e vjetër, një i ri Dëshmitar, i quajtur Fernando, zbuloi një nga shkarravinat ku shkruhej «Bretkosa» (në spanjisht, La Rana). «Ky isha unë»,—bërtiti ai. Si pjesëtar i bandës, Fernandoja kishte shkruar në mur pseudonimin e tij. E ja tani, erdhi puna që po e hiqte nga muri me dorën e vet !

Kur e pashë për herë të parë Fernandon, ishte komplet i droguar. E ëma e kishte çuar në dy qendra rehabilitimi, por më kot. Prandaj, ajo nuk merrej më me të, por kishte shkuar gjetkë dhe e kishte lënë vetëm në shtëpi. Fernandoja shiti çdo gjë me vlerë, deri te dyert, dritaret dhe çatinë e shtëpisë, për të gjetur paratë për drogën. Një ditë e pashë në rrugë dhe iu afrova. I ofrova një pije freskuese dhe një studim  biblik. Ai pranoi dhe u lumturova që më pas reagoi mirë ndaj së vërtetës. I preu lidhjet me bandën, e la drogën, filloi të vinte në mbledhjet e krishtere e s’kaloi shumë dhe u pagëzua.

Kur unë dhe Fernandoja predikonim bashkë shtëpi më shtëpi, shpesh njerëzit na njihnin dhe thoshin të habitur: «Bretkosa!» ose «Supermeni!» dhe na pyetnin ç’po bënim. Mahniteshin kur shihnin që një ish-gangster dhe një ish-hajdut po i vizitonin me Bibël në dorë.

Një herë, unë po i dëshmoja një burri, kurse Fernandoja po fliste me fqinjin tjetër. Duke treguar nga Fernandoja, më tha: «E sheh atë djalin atje? Një herë ma vuri tytën e armës në kokë.» E qetësova duke i thënë se Fernandoja e kishte lënë rrugën e vjetër dhe tani po jetonte sipas parimeve biblike. Kur Fernandoja mbaroi bisedën me fqinjin, e thirra dhe e prezantova me atë burrë. Ai tha: «Djalosh, dua të të lavdëroj për ndryshimet që ke bërë në jetën tënde.»

S’mbahet mend se sa herë mua dhe Fernandos na kanë dhënë përgëzime të tilla. Kjo ka hapur udhën për një dëshmi të mirë dhe ka çuar në disa studime biblike. Po, që të dy e kemi për nder të na njohin si Dëshmitarë të Jehovait.

Një ngjarje e rëndësishme në jetën time

Në vitin 2001, kur mbusha 50 vjeç, u habita, por njëkohësisht u drithërova që më ftuan të ndiqja Shkollën e Stërvitjes për Shërbim që do të bëhej në Peru. Në këtë shkollë, Dëshmitarë të kualifikuar kalojnë tetë javë duke marrë udhëzime dhe mësime të thella të bazuara në Bibël, që do t’i ndihmojnë në shërbim.

Çdo lëndë të shkollës e kisha me qejf, me përjashtim të njërës—oratorisë publike, që e kisha tmerr. Shumë nga studentët që ishin më të rinj në moshë bënin fjalime të shkëlqyera dhe dukeshin goxha të sigurt. Por kur u çova të mbaj fjalimin tim të parë, m’u kthyen sërish ndjenjat e pavlefshmërisë që më kishin trazuar që kur isha i vogël. Gjunjët dhe duart e djersitura më dridheshin e po ashtu edhe zëri. Megjithatë, Jehovai më ndihmoi me frymën e tij të shenjtë dhe me anë të vëllezërve të dashur. Madje një nga instruktorët u interesua personalisht për mua dhe pas mësimit më ndihmonte të përgatitja fjalimet. Mbi të gjitha më mësoi të kisha besim te Jehovai. Nga fundi i shkollës, për herë të parë në jetën time, filloi të më pëlqente të flitja para auditorit.

Një provë e fortë për sigurinë që ndieja kur flitja para auditorit, ishte rasti që m’u dha në kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait në Guajakuili. Përpara 25.000 vetave tregova si u bëra Dëshmitar. Gjithsesi kur po flitja, i pushtuar nga emocioni për privilegjin që po inkurajoja aq shumë njerëz, zëri nisi të më dridhej. Pastaj, një prej delegatëve të kongresit m’u afrua dhe më tha: «Vëlla Gonzalez, kur tregove përvojën tënde, nuk mbeti sy pa u përlotur në auditor.» Më shumë se gjithçka tjetër, kisha dashur që historia ime të inkurajonte ata që ndoshta po përpiqeshin të mposhtnin zakonet e vjetra.

Tani shërbej si plak dhe si pionier i rregullt dhe kam pasur kënaqësinë e madhe të ndihmoj 16 veta që të marrin njohuri të saktë për të vërtetën biblike. Më gufon zemra nga gëzimi që prindërit dhe katër nga motrat e mia ia kanë kushtuar jetën Jehovait. Nëna i qëndroi besnike Perëndisë derisa vdiq në vitin 2001. Kurrë s’do të mund ta falënderoja aq sa duhet Jehovain që më lejoi ta njihja; dhe e di se s’ka mënyrë më të mirë për ta treguar mirënjohjen time, sesa të ftoj edhe të tjerë që t’i afrohen atij.—Jakovi 4:8.

[Figura në faqen 12]

Fernandoja, «Bretkosa», ish-anëtar i një bande, të cilin e ndihmova

[Figura në faqen 12]

Pol Sançesi, misionari që studioi Biblën me mua

[Figura në faqen 13]

Visente Gonzalezi sot