Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është person fryma e shenjtë?

A është person fryma e shenjtë?

 Pikëpamja e Biblës

A është person fryma e shenjtë?

ÇFARË është fryma e shenjtë e Perëndisë? Në fjalët e saj hapëse, Bibla thotë se fryma e shenjtë, e quajtur edhe «forca vepruese e Perëndisë», «endej andej-këtej mbi sipërfaqen e ujërave». (Zanafilla 1:2) Në tregimin për pagëzimin e Jezuit, për Perëndinë thuhet se ishte në ‘qiej’, kurse fryma e shenjtë u pa ‘të zbriste porsi një pëllumb’ mbi Jezuin. (Mateu 3:16, 17) Veç kësaj, Jezui e quajti frymën e shenjtë një «ndihmës».—Gjoni 14:16.

Këto vargje biblike dhe të tjera kanë bërë që disa të nxjerrin përfundimin se fryma e shenjtë është një person, ashtu sikurse Perëndia, Jezui dhe engjëjt janë persona frymorë më vete. Për shekuj me radhë, disa nga fetë kryesore të botës së krishterë, e kanë quajtur frymën e shenjtë një person. Pavarësisht se kjo doktrinë ekziston prej një kohe të gjatë, prapëseprapë shumë anëtarë të kishave janë të pështjelluar, madje disa nuk janë dakord me udhëheqësit e tyre fetarë. Për shembull, sipas një ankete të kohëve të fundit, 61 për qind e të intervistuarve besonin se fryma e Perëndisë është «simbol i pranisë ose i fuqisë së Perëndisë, por jo një qenie e gjallë». Por çfarë thotë Bibla?

Çfarë thotë Bibla?

Një lexues i sinqertë i Biblës s’ka si të mos arrijë në përfundimin se fryma e shenjtë nuk është siç e përshkruajnë doktrinat zyrtare të kishës, pra një person. Shqyrtoni tregimet biblike në vijim.

1. Kur Maria, nëna e Jezuit, vizitoi kushërirën e saj, Elizabetën, Bibla thotë se foshnja që ishte në barkun e Elizabetës hovi «dhe Elizabeta u mbush me frymë të shenjtë». (Luka 1:41) A është logjike të mendojmë se një person «u mbush» me një person tjetër?

2. Kur po u tregonte dishepujve të tij se Jezui ishte ai që do ta pasonte, Gjon Pagëzori tha: «Unë ju pagëzoj me ujë, . . . por ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as t’i heq sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë.» (Mateu 3:11) Sigurisht, Gjoni nuk nënkuptonte se fryma e shenjtë është një person, kur po thoshte se njerëzit do të pagëzoheshin me të.

3. Kur shkoi të takonte një oficer të ushtrisë romake dhe familjen e tij, apostulli Pjetër tha për Jezuin se Perëndia e kishte mirosur «me frymë të shenjtë e fuqi». (Veprat 10:38) Pas pak, «fryma e shenjtë zbriti mbi» familjen e oficerit. Tregimi thotë se shumë u mahnitën, «pasi fryma e shenjtë, dhurata falas e Perëndisë, po derdhej edhe mbi njerëz nga kombet». (Veprat 10:44, 45) Edhe kësaj here, termat e përdorur nuk përputhen me idenë se fryma e shenjtë është një person.

Nuk është e pazakontë që në Fjalën e Perëndisë të personifikohen gjëra që nuk janë persona. Ndër to përfshihet mençuria, aftësia dalluese, mëkati, vdekja dhe dashamirësia e pamerituar. (Proverbat 8:1–9:6; Romakëve 5:14, 17, 21; 6:12) Vetë Jezui tha se «mençuria del e drejtë me anë të të gjithë fëmijëve të saj» ose rezultateve të mira që jep. (Luka 7:35) Kuptohet, mençuria nuk është person  dhe nuk ka fëmijë në kuptim të mirëfilltë. Po kështu, fryma e shenjtë nuk është një person vetëm e vetëm sepse në disa raste është personifikuar.

Çfarë është fryma e shenjtë?

Në Bibël, fryma e shenjtë e Perëndisë përcaktohet si fuqia e Perëndisë në veprim. Prandaj, një përkthim i saktë i tekstit hebraik të Biblës e përkufizon frymën e Perëndisë si ‘forcën vepruese të Perëndisë’. (Zanafilla 1:2) E gjithë Bibla e mbështet qartë këtë koncept.—Mikea 3:8; Luka 1:35; Veprat 10:38.

Ndryshe nga ç’mendohet në përgjithësi, Perëndia nuk ndodhet kudo dhe në çdo kohë. Përkundrazi, ai banon në sferën frymore, në një ‘vendbanim të qëndrueshëm’ ose banesë. (1 Mbretërve 8:39; 2 Kronikave 6:39) Shkrimet flasin edhe për një vend të caktuar ku jeton Perëndia dhe ku ka «fronin» e tij. (1 Mbretërve 22:19; Isaia 6:1; Danieli 7:9; Zbulesa 4:1-3) Megjithatë, që nga ‘vendbanimi i tij i qëndrueshëm’, ai mund të përdorë forcën e tij vepruese për të arritur në çdo skaj, si të sferës frymore, ashtu edhe të asaj fizike.—Psalmi 139:7.

Në vitin 1879, Çarls L. Ajvzi, një dijetar biblik, e ilustroi më së miri aftësinë e Perëndisë për ta ushtruar fuqinë e tij nga një vend i caktuar. Ai shkroi: «Për shembull, ne themi: ‘Hapi grilat që të hyjë dielli në dhomë.’ Nuk po themi që të hyjë tamam dielli, si trup fizik, por rrezet diellore, që vijnë nga dielli.» Po kështu, Perëndia nuk ka nevojë të shkojë në vendet ku ka ndër mend të përdorë forcën e tij vepruese. Ai thjesht përdor frymën e tij të shenjtë, e cila mund të arrijë deri në skajet më të largëta të krijimit. Duke e kuptuar drejt se çfarë është fryma e shenjtë, pra forca e fuqishme vepruese e Perëndisë, mund të jeni të sigurt se Jehovai do t’i plotësojë premtimet e tij.

A DONI TË DINI?

▪ A mëson Bibla se fryma e shenjtë është person?​—Veprat 10:44, 45.

▪ Çfarë është fryma e shenjtë?​—Zanafilla 1:2.

▪ Deri ku mund të arrijë fryma e shenjtë e Perëndisë?​—Psalmi 139:7.