Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë do të bëj me jetën time?

Çfarë do të bëj me jetën time?

 Të rinjtë pyesin . . .

Çfarë do të bëj me jetën time?

«Në fillim, nuk e vrisja shumë mendjen për të ardhmen. Por kur shkollës po i vinte fundi, e kuptova se po hyja në botën reale, ku duhet të punoja vërtet e do të kisha fatura për të paguar.»—Aleksi, 17 vjeç.

KUR ishe fëmijë, a ëndërroje çfarë do të bëheshe kur të rriteshe? Si ndihesh tani për ato dëshira? A je në mëdyshje se çfarë do të bësh për të mbajtur veten kur të rritesh? Nëse po, nuk je i vetmi apo e vetmja. Libri Të ndihmosh fëmijët të zgjedhin një karrierë (Career Coaching Your Kids) thotë: «Një nga ankthet më të mëdha që përballojnë të rinjtë është vendimi se çfarë karriere të zgjedhin».

Nga ana tjetër, karriera mund të jetë gjëja e fundit që të shkon nëpër mend tani. Mbase mendjen e ke më shumë te dëfrimi. Nuk ka asgjë të keqe të dëfrehesh e t’ia kalosh mirë, sepse Bibla të thotë «gëzohu . . . në rininë tënde». (Eklisiastiu 11:9) Gjithsesi, tani është koha e duhur të fillosh të mendosh se çfarë do të bësh me jetën tënde. «Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij»,—thuhet te Proverbat 14:15. Si mund t’i shqyrtosh hapat e tu?

«Kupto për ku je drejtuar»

Imagjino sikur po planifikon të bësh një udhëtim shumë kilometra larg shtëpisë. Ka shumë mundësi që në fillim të përdorësh një hartë për të përcaktuar drejtimin më të mirë. Është po njësoj me planifikimin e së ardhmes sate. «Ke qindra mundësi para teje»,—thotë Majkëlli, një i ri që tani shërben në një nga zyrat e degës të Dëshmitarëve të Jehovait. Si të zgjidhni mes gjithë atyre mundësive? «Gjithë puna është te synimet»,—thotë Majkëlli.

Shihe synimin si një vend ku do të mbërrish. Ka të ngjarë të mos arrish nëse endesh kuturu. Është ku e ku më mirë të marrësh një hartë, si të themi, e të planifikosh drejtimin që do të ndjekësh. Duke bërë kështu do t’i vësh veshin paralajmërimit te Proverbat 4:26: «Sheshoje rrugën ku ecin këmbët e tua.» Një përkthim tjetër thotë: «Kupto për ku je drejtuar.»—Contemporary English Version.

Në vitet që do të vijnë, do të marrësh plot vendime të rëndësishme për sa i përket adhurimit,  punës, martesës, familjes, si edhe çështjeve të tjera vendimtare. Do ta kesh më të lehtë të marrësh vendime të mençura, në qoftë se më parë e di për ku je drejtuar. Dhe ndërsa planifikon drejtimin tënd në jetë, ka një faktor që nuk mund ta shpërfillësh.

«Kujto Krijuesin tënd»

Në rast se do që të jesh vërtet i lumtur, duhet t’u vësh veshin fjalëve të mbretit të mençur Solomon: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.» (Eklisiastiu 12:1) Dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë duhet të ndikojë në drejtimin që do të zgjedhësh në jetë.

Pse është e rëndësishme kjo? Te Zbulesa 4:11, Bibla thotë: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» Po, të gjitha krijesat në qiell dhe në tokë kanë arsye për t’i qenë mirënjohëse Krijuesit. Po ti, a i je mirënjohës që të ka dhënë «jetë, frymë dhe gjithçka»? (Veprat 17:25) A nuk nxitesh t’i japësh diçka në këmbim Perëndisë Jehova, për të treguar çmueshmërinë tënde për të gjitha ato që të ka dhënë?

Duke mbajtur mirë në mendje Krijuesin e tyre, shumë të rinj Dëshmitarë të Jehovait kanë zgjedhur shërbimin e plotkohor. Në të vërtetë, shërbimi në kohë të plotë është një synim shumë i bukur dhe të sjell një mal me bekime. (Malakia 3:10) Megjithatë ky hap duhet menduar mirë më parë. Për shembull, pyete veten: ‘Çfarë aftësish kam për të mbajtur veten kur të jem në shërbimin e plotkohor?’

Keli, tani 27 vjeçe, bëri plane që kur ishte mjaft e re. Kishte një synim të qartë në mendje: të fillonte shërbimin  e plotkohor. Nga fundi i adoleshencës, Keli filloi «të planifikonte drejtimin» që do të ndiqte për sa i përket punës. «Duhet të zgjidhja një punë që të mbaja veten»,—thotë ajo.

Keli u kualifikua si ndihmësdentiste pas një kursi profesional të shkollës së mesme. Madje fitoi një konkurs shtetëror. Megjithatë suksesi nuk e bëri të humbte nga sytë synimin kryesor. «Ajo që doja ishte të filloja shërbimin në kohë të plotë,—thotë Keli.—Gjithë të tjerat ishin dytësore.» Keli ende është në shërbimin e plotkohor. «Mendoj se ky ishte vendimi më i mirë që mund të kisha marrë»,—thotë ajo.

Pyet për drejtim

Imagjino sikur po udhëton në një zonë të panjohur. Në njëfarë pike mbase të duhet të pyesësh dikë për drejtim, edhe nëse ke një hartë me vete. Mund të bësh njësoj kur planifikon të ardhmen. Merr mendimin e të tjerëve. Proverbat 20:18 thotë: «Me anë të këshillës planet janë të sigurta.» Në radhë të parë mund t’u drejtohesh prindërve. Mund të kërkosh edhe këshillat e të krishterëve të pjekur, që shfaqin në jetë mençurinë që vjen nga Perëndia. «Shiko ata të rritur që janë një shembull i shkëlqyer në kongregacionin tënd, ose aty afër,—këshillon Robertoja.—Mund të dëgjosh prej tyre gjëra që s’të kishin shkuar në mend.»

Më shumë se kushdo tjetër, Perëndia Jehova dëshiron të të ndihmojë të bësh ato zgjedhje që do të të bëjnë vërtet të lumtur. Prandaj, kërkoji të të ndihmojë të ‘vazhdosh të dallosh se cili është vullneti i tij’ lidhur me të ardhmen tënde. (Efesianëve 5:17) Nëse beson te Jehovai me gjithë zemër, «ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua».—Proverbat 3:5, 6.

Artikuj të tjerë të serisë «Të rinjtë pyesin . . . » mund t’i gjeni në Internet, në faqen www.watchtower.org/ypa

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Çfarë aftësish ke?

▪ Në ç’mënyrë mund t’i përdorësh këto aftësi për të lavdëruar Jehovain?

▪ Cila formë e shërbimit të plotkohor që përmendej në këtë artikull, të tërheq në veçanti?

[Kutia në faqen 23]

RRUGË PA KRYE

Bibla thotë: «Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.» Rruga e pasurisë është plot me gropa. Në fund, mund të jetë një rrugë pa krye që të çon në borxhe, ankth dhe të shkatërron marrëdhënien me Perëndinë.—1 Timoteut 6:9, 10.

[Kutia dhe figurat në faqet 24, 25]

SHËRBIMI I PIONIERIT

Një pionier është një i krishterë i pagëzuar, shembullor, që ka programuar të harxhojë të paktën 70 orë çdo muaj për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Duke u stërvitur dhe duke fituar përvojë, pionierët bëhen mësues më të aftë të Biblës.

SHËRBIMI NË BETHEL

Anëtarët e familjes Bethel shërbejnë në zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait, dhe ndihmojnë për përgatitjen, prodhimin dhe transportimin e literaturës biblike. Çdo caktim në Bethel është një privilegj dhe shërbim i shenjtë.

SHËRBIMI ATY KU KA MË TEPËR NEVOJË

Disa pionierë kanë mundësi të transferohen në zona ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Të tjerë mësojnë një gjuhë të huaj dhe shërbejnë në një vend tjetër ose në një kongregacion të asaj gjuhe.

SHËRBIMI NDËRKOMBËTAR

Shërbëtorët ndërkombëtarë udhëtojnë në vende të tjera për të ndihmuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe zyrave të degëve. Kjo është një formë e shërbimit të shenjtë, e ngjashme me punën e atyre që ndërtuan tempullin e Solomonit.—1 Mbretërve 8:13-18.

SHKOLLA E STËRVITJES PËR SHËRBIM

Kursi 8-javor stërvit pleq dhe shërbëtorë ndihmës të kualifikuar beqarë, për çështjet organizative dhe oratorinë. Disa të diplomuar caktohen në vendin e tyre; të tjerë caktohen jashtë shtetit.

SHËRBIMI MISIONAR

Pionierë të kualifikuar, të shëndetshëm dhe rezistentë stërviten që të shërbejnë në vende të huaja. Misionarët bëjnë një jetë të lumtur dhe të kënaqshme.

[Kutia dhe figura në faqen 24]

ÇFARË DO TË BËJ ME JETËN TIME?

Kjo DVD, prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait, ka intervista me të rinj nga Brazili, Britania, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët janë shprehur në mënyrë të sinqertë. Së shpejti do të jetë në dispozicion në disa gjuhë.

[Figura në faqen 23]

«Gjithë puna është te synimet.»​—Majkëlli, anëtar i familjes Bethel

[Figura në faqen 24]

«Ishte vendimi më i mirë që mund të kisha marrë.»​—Keli, pioniere prej gjashtë vjetësh

[Figura në faqen 25]

«Shiko ata që janë shembull i shkëlqyer.»​—Robertoja, anëtar i familjes Bethel