Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sfungjerët—Të thjeshtë, por ama magjepsës!

Sfungjerët—Të thjeshtë, por ama magjepsës!

 Sfungjerët—Të thjeshtë, por ama magjepsës!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

A JU tërheq ideja që të laheni duke përdorur skeletin e një kafshe? Vështirë se po. Gjithsesi, sfungjeri natyral që përdoret për të bërë banjë është faktikisht skeleti fijezor i një kafshe që ka po këtë emër.

«Sfungjerët zënë degën më të lashtë dhe më të ulët të pemës gjenealogjike të kafshëve»,—pohon National Geographic News. Kjo ka bërë që shumë individë të hedhin hipotezën se, kafshët dhe njerëzit evoluan nga një sfungjer i lashtë. Madje një dokumentar televiziv e deklaroi sfungjerin si «kafsha Evë»—«paraardhësi me anë të të cilit nisi jeta».

Çfarë di shkenca për sfungjerët? A janë veçse krijesa të thjeshta, apo janë dëshmi e një projekti të mrekullueshëm?

Pa zemër, pa tru, pa probleme

Sfungjerët mund të duken si bimë, por Aristoteli dhe Plini Plaku saktësisht i përshkruanin si kafshë. Specialistët llogaritin se të paktën 15.000 lloje jetojnë nëpër liqenet dhe oqeanet e mbarë botës, me një larmi të mahnitshme formash e ngjyrash. Ata mund të ngjajnë si gishta të gjatë e të hollë, fuçi, si qilima, erashka elegante, madje edhe si vazo kristali delikate—vetëm për të përmendur disa. Ca janë më të vegjël se kokrra e orizit, ndërsa të tjerë ia kalojnë edhe një njeriu. Shkencëtarët mendojnë se disa sfungjerë mund të jenë qindravjeçarë.

«Sfungjerët dallohen nga kafshët e tjera për sa i përket strukturës, funksionit dhe zhvillimit»,—thotë Encyclopædia Britannica. Si ka mundësi? Ndryshe nga kafshët e tjera, ata nuk kanë organe të brendshme. Por si jetojnë sfungjerët pa zemër, pa tru ose sistem nervor? Qelizat e vogla që janë brenda sfungjerit, kryejnë shumë funksione që e mbajnë atë në jetë. Qeliza të specializuara kapin ushqimin, transportojnë lëndët ushqyese dhe nxjerrin mbeturinat jashtë trupit. Qeliza të tjera punojnë për të ndërtuar përbërësit e skeletit ose të lëkurës. Disa madje mund të ndryshojnë nga një lloj qelize në një tjetër, nëse ia lyp nevoja.

Sfungjerët janë unikë edhe në disa aspekte të tjera. Ngjesheni për ta kaluar në një sitë një sfungjer të gjallë, dhe qelizat do të bashkohen për ta formuar përsëri atë. Thërrmoni dy sfungjerë bashkë dhe do të shihni se qelizat do të ndahen gradualisht për të rindërtuar secilin sfungjer origjinal. «Asnjë bimë ose kafshë tjetër s’mund ta ripërtërijë veten kështu»,—vëren National Geographic News.

Po ashtu sfungjerët i përshtatin në mënyrë të jashtëzakonshme mënyrat e riprodhimit. Disa prej tyre bëjnë gati dhe lëshojnë «anije kozmike» qelizore, për të kolonizuar zona të tjera. Duke udhëtuar në një gjendje jete pezull, «kolonizatorët» më në fund gjejnë një vend, rizgjohen, dhe pastaj në një moment të caktuar «dalin» për të prodhuar një sfungjer të ri. Sfungjerë të tjerë riprodhohen seksualisht; këta këmbejnë rolet, duke marrë rolin e femrës ose të mashkullit sipas nevojës. Disa sfungjerë ngrohin vezë. «Sa më nga afër t’i shqyrtojmë, edhe organizmat më të thjeshtë, aq më shumë ndërlikime shohim»,—thotë i mrekulluar shkrimtari Pol Morris.

Fshesat me korrent të detit

Siç shkruan zoologu Alen Kolins, sfungjerët kanë «një sistem të ushqyeri unik mes kafshëve». Poret e vockla që ndodhen në lëkurën e jashtme, të drejtojnë te një labirint me tunele dhe dhoma që mbushin gjithë sfungjerin. Miliona qeliza të vogla të radhitura rresht njëra pas tjetrës, ose ndryshe të quajtura koanocite, rrethojnë muret e këtij labirinti. Çdo qelizë projekton një fill i cili ngjan si kamxhik, që godet para dhe prapa. «Njësoj  si rremtarët në një galerë romake, [këto qeliza] u shtyjnë një vërshim të vazhdueshëm uji qelizave të tjera të sfungjerit, të cilat janë projektuar për të kapur dhe gëlltitur pjesëzat ushqimore që gjenden në ujë»,—shpjegon shkrimtari Ben Hërder. Duke thithur çdo orë dhjetë herë më shumë ujë sesa vetë madhësia e vet, sfungjeri mban për vete elementët ushqyes, kimikatet helmuese dhe rreth 90 për qind të të gjitha baktereve që ndodhen në ujë. Madje një sfungjer mund ta rregullojë ose ta ndryshojë veprimin e pompimit për t’iu përshtatur ndryshimit të  rrymave të ujit ose për të nxjerrë mbeturinat e brendshme. «Sfungjerët janë . . . fshesat me korrent të detit më efikase»,—pohon dr. Xhon Huperi.

Vërshimi gjithnjë i ushqimit dhe i ujit tek sfungjeri, e bën atë shtëpinë ideale për karkalecat, gaforret dhe gjallesat e tjera të vogla. Një sfungjer mirëpret 17.128 «banorë». Baktere, alga dhe kërpudha të panumërta bashkëpunojnë ose jetojnë në simbiozë me sfungjerët. Bakteret mund të përbëjnë mbi 50 për qind të peshës së sfungjerit, kur ky është i njomë.

Shkencëtarët kanë zbuluar se sfungjerët dhe gjallesat që bashkëjetojnë me ta, janë një burim premtues për ilaçe të reja dhe të veçanta në llojin e tyre. Disa mendojnë se ilaçe të tilla mund të jenë të dobishme për të luftuar SIDA-n, kancerin, malarien, si edhe sëmundje të tjera. Duke iu referuar një sfungjeri të tillë të përbërë, kërkuesja Shirli Pompon thotë: «Natyra ofron molekula shumë më interesante nga ato që mund të krijojmë ne me anë të kompjuterëve.»

Fantazi e kristaltë

Ndryshe nga sfungjerët e banjës që janë të butë dhe fijezor, shumë janë të ashpër ose të ngurtë. Këto lloje përmbajnë miliona kristale të imëta që quhen gjemba. Kur i sheh në mikroskop, bukuria dhe larmia e këtyre kristaleve të lë me gojë hapur. Duke u lidhur së bashku në mënyra të ndryshme, gjembat formojnë skelete të ndërlikuara, d.m.th. një veshje mbrojtëse, madje edhe litarë 3 metra të gjatë dhe 1 centimetra të trashë. Një sfungjer mishngrënës për të kapur prenë përdor rrjetat e peshkimit që funksionojnë si rrodhe.

Një lloj sfungjeri që jeton në ujëra të thella i njohur si sfungjeri-xham (gjinia Euplectella aspergillum), i përdor gjembat për të endur një rrjetë të ndërlikuar si qelq me një bukuri magjepsëse. Fibrat silicore tej mase të pastra, ngjajnë shumë me kabllot me fibra optike që projektohen për tregti. «Këto fibra optike biologjike janë shumë të forta,—shpjegon një shkencëtare.—Mund t’i lidhni fort nyje, dhe ndryshe nga fibrat që shiten, prapëseprapë nuk thyhen.» Shkencëtarët akoma nuk arrijnë ta kuptojnë se si zhvillohen këto fibra të sofistikuara në det dhe në temperaturë të ulët. «Në këtë rast, një organizëm relativisht i thjeshtë e ka një zgjidhje për problemin e ndërlikuar që del në fushën e optikës së integruar dhe në bërjen e materialeve të ndërtimit»,—thotë Çeri Murrai e qendrës kërkimore Bell Laboratories.

Rastësi apo projekt?

Pasi pa karakteristikat e shumta dhe të jashtëzakonshme të sfungjerëve, Huperi vëren: «‘Sfungjeri i thjeshtë’ është në fakt një [kafshë] shumë e ndërlikuar, e cila edhe sot nuk kuptohet plotësisht.» Prandaj është e arsyeshme të pyesim: ‘Si dhe pse u krijua kjo gjë kaq e ndërlikuar? A është përgjegjëse kryesisht rastësia? Apo përkundrazi, sfungjerët japin dëshmi për një Projektues inteligjent?’

Edhe pse disa mund ta hedhin poshtë ekzistencën e një Krijuesi, shumë të tjerë do të jenë dakord me fjalët që psalmisti ka thënë shumë kohë më parë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti. . . . Krijesa të vogla e të mëdha.»—Psalmi 104:24, 25.

[Diagrami dhe figurat në faqen 23]

Struktura tipike e një sfungjeri. Fotografi e zmadhuar e qelizave që pompojnë ujin

[Figura në faqen 24]

Gjembat e sfungjerit

[Figura në faqen 24]

Sfungjeri-xham

[Burimet e figurave në faqen 23]

Kalë deti: Rudie H Kuiter; 3 fotografitë e vogla djathtas: Dr. John Hooper, Queensland Museum

[Burimet e figurave në faqen 24]

Sipër: Eye of Science/Photo Researchers, Inc.; poshtë: Kim Taylor/​Warren Photographic