Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duhet të lexoj?

Pse duhet të lexoj?

 Të rinjtë pyesin . . .

Pse duhet të lexoj?

«S’kam durim të lexoj. Më mirë shikoj televizor.»​—Margarita, 13 vjeçe, Rusi.

«Nëse do të më duhej të zgjidhja të lexoja një libër ose të luaja basketboll, do të zgjidhja basketbollin.»​—Oskari, 19 vjeç, Shtetet e Bashkuara.

NËSE ke gjetur kohë për të lexuar këtë fjali, ka të ngjarë ta kesh kuptuar se leximi është një aftësi e rëndësishme që duhet përvetësuar. Gjithsesi, për ty të lexosh një libër ose një artikull reviste mbase është njësoj si të pish një ilaç. E di që është për të mirën tënde, por preferon ta shmangësh.

Revista Zgjohuni! intervistoi të rinj nga 11 vende për të zbuluar se çfarë thonë ata për vështirësitë dhe dobitë e leximit. Ja se çfarë thanë ata.

Pse e ke të vështirë të lexosh?

«Rrallë më del koha për të lexuar.»—Semsihana, 19 vjeçe, Gjermani.

«Leximi është i lodhshëm. Të them të drejtën unë jam pak përtac.»—Ezekieli, 19 vjeç, Filipine.

«E kam zët kur më detyrojnë të lexoj tema të mërzitshme.»—Kristiani, 15 vjeç, Angli.

«Nëse libri është i hollë, edhe mund të shtyhem ta lexoj. Po nëse është i trashë, më tremb.»—Erika, 18 vjeçe, Japoni.

«Shpërqendrohem kollaj nga gjërat e tjera. Nuk përqendrohem dot.»—Françeskoja, 13 vjeç, Afrikë e Jugut.

 Të rinjtë e krishterë nxiten të lexojnë Biblën. (Psalmi 1:1-3) Është e vështirë për ty? Nëse po, përse?

«Bibla është gjithë ai libër i madh! S’besoj se do ta lexoj dot të gjithin për tërë jetën.»—Ana, 13 vjeçe, Rusi.

«Disa pjesë të Biblës mezi shtyhen dhe nuk janë shumë tërheqëse.»—Jezreli, 11 vjeç, Indi.

«Nuk arrij dot ta lexoj Biblën rregullisht se programin e kam shumë të çorganizuar.»—Elsa, 19 vjeçe, Angli.

«E kam të vështirë ngaqë punët e shtëpisë dhe detyrat e shkollës më marrin shumë kohë.»—Surisada, 14 vjeçe, Meksikë.

«E kam të vështirë ta lexoj Biblën sepse nuk e kufizoj dot kohën që harxhoj me aktivitetet që kam pasion.»—Shoja, 14 vjeç, Japoni.

Qartë, leximi mund të jetë i vështirë. Por, a ia vlen të përpiqesh? Si ke nxjerrë dobi nga leximi?

«Leximi më ka zgjeruar njohuritë, dhe kështu jam më e sigurt kur flas me të tjerët.»—Monisha, 14 vjeçe, Indi.

«Leximi më qetëson, dhe më ndihmon ta heq mendjen nga problemet.»—Alisona, 17 vjeçe, Australi.

«Duke lexuar ‘shkoj’ në vende që nuk kam mundësi t’i vizitoj ndryshe.»—Duani, 19 vjeç, Afrika e Jugut.

«Leximi më ndihmon t’i shqyrtoj gjërat vetë, e jo gjithnjë të varem tek ajo që do të më thonë të tjerët.»—Abiu, 16 vjeç, Meksikë.

Çfarë të ka ndihmuar që të të pëlqejë leximi?

«Që kur isha e vogël, prindërit më inkurajonin të lexoja me zë.»—Tania, 18 vjeçe, Indi.

«Prindërit më nxitnin të përdorja imagjinatën kur lexoja, të përfytyroja ngjarjet.»—Danieli, 18 vjeç, Angli.

«Babi më sugjeroi të filloja të lexoja ato libra të Biblës që më dukeshin më tërheqës, si për shembull Psalmet dhe Proverbat. Tani më pëlqen ta lexoj Biblën, nuk e kam një barrë.»—Shareni, 16 vjeçe, Afrika e Jugut.

«Që kur isha katër vjeç, prindërit mbushën një tavolinë dhe një raft me të gjithë librat që kishin hequr mënjanë për mua që kur kisha lindur.»—Ari, 14 vjeçe, Japoni.

 Pse sipas teje është i rëndësishëm leximi i Biblës?

«Njerëzit besojnë shumë gjëra për Biblën, të cilat nuk janë të vërteta. Është shumë më mirë t’i kontrollosh vetë këto gjëra.» (Veprat 17:11)—Methju, 15 vjeç, Shtetet e Bashkuara.

«Bibla kërkon të mendohesh mirë. Prandaj leximi më ka ndihmuar të shprehem me bindje dhe qartë kur u flas të tjerëve për besimin tim.» (1 Timoteut 4:13)—Xhejni, 19 vjeçe, Angli.

«Kur lexoj Biblën, më duket sikur Jehovai po më flet drejtpërdrejt. Disa herë prekem shumë.» (Hebrenjve 4:12)—Obedi, 15 vjeç, Indi.

«Po mësoj të gjej kënaqësi duke lexuar Biblën, sepse aty thuhet çfarë mendon Jehovai për mua dhe më jep këshilla të shkëlqyera.» (Isaia 48:17, 18)—Viktoria, 14 vjeçe, Rusi.

Kur e lexon Biblën dhe literaturën biblike?

«Kam një program. Gjëja e parë që bëj çdo mëngjes është leximi i një kapitulli të Biblës.»—Liza, 17 vjeçe, Brazil.

«E lexoj Biblën dhe botimet e tjera të krishtere në tren, kur udhëtoj për në shkollë. Kam katër vjet me këtë zakon.»—Taiki, 19 vjeç, Japoni.

«Lexoj pak nga Bibla çdo natë para se të fle.»—Maria, 15 vjeçe, Rusi.

«Lexoj katër faqe ose nga ‘Kulla e Rojës’ ose nga ‘Zgjohuni!’ çdo ditë. Kështu i mbaroj revistat para se të vijnë të tjerat.»—Erika, 18 vjeçe, Japoni.

«E lexoj Biblën çdo mëngjes para se të shkoj në shkollë.»—Xhejmsi, 17 vjeç, Angli.

Siç tregojnë komentet në fillim të artikullit, falë leximit mund të rritësh besimin te vetja, si edhe të zgjerosh njohuritë. Leximi i Biblës dhe i literaturës së bazuar në të—përfshirë këtu edhe këtë revistë—do të të ndihmojnë gjithashtu të ‘afrohesh me Perëndinë’. (Jakovi 4:8) Prandaj, edhe nëse e ke të vështirë të lexosh, mos u dorëzo!

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Pse është e rëndësishme që të lexosh Fjalën e Perëndisë?

▪ Si mund ‘ta blesh kohën’ për të lexuar Biblën dhe literaturën biblike?—Efesianëve 5:15, 16.

[Kutia në faqen 16]

BËJ LIDHJEN E INFORMACIONEVE

Bëj lidhjen e asaj që po lexon me atë që tashmë di për veten dhe për gjithçka që të rrethon. Bëji vetes pyetjet e mëposhtme:

Lidhi informacionet me njëra-tjetrën A përshkruhen njësoj rrethanat ose problemet edhe në librat, revistat ose tregimet e tjera që kam lexuar? A kanë personazhet të njëjtat tipare me ato të njerëzve të tjerë për të cilët kam mësuar?

Lidhi informacionet me veten Si lidhet ky informacion me rrethanat, kulturën dhe problemet e mia? A mund ta përdor këtë material për të përballuar problemet ose për ta përmirësuar jetën?

Lidhi informacionet me gjërat që të rrethojnë Çfarë më mëson ky material për natyrën, ambientin, kulturat e ndryshme ose problemet shoqërore? Çfarë më mëson për Krijuesin?