Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

 Një vështrim rreth botës

Në Brazil, përdorimi i amfetaminave që të heqin oreksin për t’u dobësuar, është rritur 500 për qind nga 1997-a në 2004-n.​—FOLHA ONLINE, BRAZIL

Pilotët e linjave ajrore kanë tri herë më shumë të ngjarë të vuajnë nga perdet në sy, dhe kjo mbase sepse janë më shumë të ekspozuar ndaj rrezatimit kozmik.​—THE WALL STREET JOURNAL, SHBA.

Dekadën tjetër, pothuajse gjysma e 1,27 miliardë fëmijëve aziatikë nuk do të kenë disa nga nevojat bazë, si për shembull ujin e pastër, ushqimin, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe strehimin.—PLAN ASIA REGIONAL OFFICE, TAJLANDË.

Thithja e tymit të cigareve është «më e rrezikshme sesa mendohej deri tani». Gjatë 18 muajve pasi u ndalua pirja e duhanit në zyra, restorante dhe ambiente të tjera të mbyllura në Pueblo, Kolorado, SHBA, numri i infarkteve te banorët ra 27 për qind.—TIME, SHBA.

Rritet numri i divorceve në Spanjë

Në vitin 2000, numri i martesave ishte dyfish më i lartë sesa numri i ndarjeve dhe i divorceve. Por në 2004-n, dy në çdo tre martesa dështuan. Që nga viti 1981, kur doli ligji për divorcin, mbi një milion fëmijë përjetuan ndarjen e prindërve të tyre. Si shpjegohet kjo rritje e numrit të divorceve? Sipas psikologes Patricia Martines, «kjo paqëndrueshmëri në marrëdhëniet martesore [po] shkaktohet kryesisht nga ndryshimet kulturore, humbja e normave fetare e morale, integrimi i gruas si fuqi punëtore, si edhe nga mosbashkëpunimi i burrave në punët e shtëpisë».

Dhjamosja në Kinë

Sipas The Guardian e Londrës, Kina «brenda 10 viteve vijuese do të ketë 200 milionë njerëz mbi peshë në një fazë alarmuese». Dyqanet fast food «i gjen ngado në shumë qytete; gjithnjë e më tepër, njerëzit e shtresës së mesme bëjnë më pak ushtrime, përdorin më shumë makinat dhe harxhojnë më tepër kohë pa lëvizur para televizorit, kompjuterit dhe videolojërave». Numri i fëmijëve që konsiderohen të dhjamosur po rritet 8 për qind çdo vit, dhe në Shangai mbi 15 për qind e fëmijëve në shkollat fillore janë tashmë të dhjamosur.

Lumi tregon përdorimin e madh të drogës

Kampionët e ujit të marra nga lumi Po i Italisë, tregojnë se përdorimi i kokainës nga banorët që jetojnë në atë luginë, është shumë herë më i lartë sesa përllogaritjet zyrtare, sipas një studimi të botuar në revistën Environmental Health. Përdoruesit e kokainës nxjerrin me urinën një element kimik që quhet benzoylecgoninen. Prania e këtij elementi, që është përbërës i kokainës, te njeriu përdoret shpesh para një gjykate si dëshmi e konsumimit të kokainës. Sasia e këtij kimikati që përfundon në lumë nëpërmjet kanalizimeve të ujërave të zeza, tregon se rreth katër kilogramë kokainë, ose 40.000 doza, konsumohen çdo ditë në zonat përreth këtij lumi. Një shifër kjo 80 herë më e lartë se përllogaritjet e mëparshme.

Vdekje që mund të shmangen

«Sivjet, gati 11 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare do të vdesin nga shkaqe që kryesisht mund të parandalohen»,—pohon në një raport për vitin 2005, Organizata Botërore e Shëndetësisë. Gati 90 për qind e këtyre vdekjeve shkaktohen nga këto pak shkaqe: kushtet e vështira kur kanë lindur, si për shembull lindja e parakohshme, infeksionet, asfiksimi gjatë lindjes, infeksionet në rrugët e poshtme të frymëmarrjes, kryesisht pneumonia; diarreja; malarja; fruthi dhe HIV/SIDA. «Shumica e këtyre vdekjeve mund të shmangen nëpërmjet mjekimeve të sotme që mund të sigurohen lehtësisht, të cilat janë të përballueshme nga ana ekonomike dhe shumë të efektshme»,—thuhet në raport. Përveç kësaj, mbi gjysmë milion gra vdesin çdo vit gjatë shtatzënisë ose gjatë lindjes, kryesisht «se nuk shkojnë të trajtohen nga mjekë të aftë».