Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

 Nga lexuesit tanë

Si të gjesh dhe si të mbash një punë (8 korrik 2005) E vlerësova sugjerimin tuaj për të shqyrtuar çdo ofertë pune, edhe nëse dukej punë e rëndomtë. Kohët e fundit doja ta lija punën tetorëshe për të filluar një me orar të reduktuar, që kështu t’i kushtoja më tepër kohë shërbimit të krishterë. Megjithatë i bëja naze punës. Pastaj m’u ofrua një punë tjetër, të cilën e pranova. Është punë e rëndomtë, por po përpiqem që të jem e kënaqur. Të paktën nuk jam e rraskapitur mendërisht, kur kthehem në shtëpi, dhe mund të përqendrohem më mirë në studimin personal të Biblës.

M. I., Japoni

1 Maji: Çfarë domethënie ka për ju? (22 prill 2005) Jam në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe festa e 1 Majit festohet çdo vit në shkollën time. Bëhen prova me kostume, dhe kërkohet që të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe tetëvjeçare ta shohin shfaqjen. Kam qenë e pranishme më parë, por kjo festë trazonte ndërgjegjen e motrës sime, që është më e madhe se unë. Falë këtij artikulli kuptova se ajo kishte të drejtë. Shumë faleminderit. Erdhi tamam në kohën duhur.

K. K., Shtetet e Bashkuara

Përballon sëmundjen me një ndjenjë humori (22 prill 2005) Kam gjashtë vjet që po luftoj me kancerin në vezore, dhe disa herë jam operuar e kam bërë kimioterapi. Ashtu si Konçi, përpiqem të mbështet kongregacionin dhe të mos lë asnjë mbledhje ose kongres, sa herë që jam në gjendje. Kanceri është sëmundje e mundimshme prandaj i vlerësoj shumë komentet e Konçit lidhur me reagimin që duhet të kemi kur marrim lajme të këqija. E në fakt ne pacientëve me kancer na ndodh shpesh të dëgjojmë lajme të tilla nga mjekët. Përvoja e Konçit më dha zemër jashtë mase.

B. F., Shtetet e Bashkuara

Jam me lupus, madje një herë humba kujtesën për ca kohë. Ndërsa po merrja veten, u përpoqa të ruaja ndjenjën e humorit. Kohët e fundit, kur u shtrova në spital nga gastriti, u mundova të bëja të njëjtën gjë. Jam dakord me fjalët e Konçit: «Nuk është shaka të jesh i sëmurë, por duhet të përpiqeni të mos e humbni ndjenjën e humorit.»

M. A., Venezuelë

Një vështrim rreth botës (8 korrik 2005) Lidhur me pjesën «Vitaminat dhe kanceri», doja të thosha se shumë specialistë të ushqimit nuk janë dakord me pikëpamjet e dr. Sulivanit që citohen në artikull. Raportet në botime të panumërta shkencore, si edhe një numër i madh studimesh, kanë treguar se substancat që ju keni renditur, kanë provuar se janë të dobishme për të parandaluar dhe për të kuruar disa lloje kanceri. Mendoj se duke botuar informacione të njëanshme të kësaj natyre, mund të rrezikohet qëndrimi asnjanës i revistës Zgjohuni!

A. B., Holandë

«Zgjohuni!» përgjigjet: Është e qartë se siç përmend edhe ky lexues, studimet kanë treguar se substancat e përmendura në artikullin tonë kanë pasur në disa raste efekte të dobishme te pacientët me kancer. Na vjen keq për çdo keqkuptim që mund të ketë shkaktuar botimi i këtij artikulli. «Zgjohuni!» merr një pozicion asnjanës kur bëhet fjalë për kurat mjekësore. Fakti që ne i paraqitim lexuesit informacione që kanë të bëjnë me shëndetin, s’do të thotë se ne i mbështetim ato. Po ashtu, kur citojmë një botim ose një specialist të një fushe të caktuar studimore, e kuptojmë se—siç ndodh shumë shpesh—botime dhe specialistë të tjerë mund të mendojnë ndryshe. Ne ia lëmë në dorë lexuesit të marrë vendime të bazuara në informacione të sakta kur ka të bëjë me shëndetin e tij.