Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mashtrimi​—Një problem mbarëbotëror

Mashtrimi​—Një problem mbarëbotëror

 Mashtrimi​—Një problem mbarëbotëror

UEJNI ishte joshës e gojëmbël dhe dukej se kishte gjithçka që Kareni dëshironte te një bashkëshort. «Ai ishte tamam burri për të cilin isha lutur dhe kisha shpresuar të gjeja,​—tha Kareni.​—Kush na shihte mendonte se ishim bërë për njëri-tjetrin. Nga sjellja e tij pandeha se linte kokën për mua.»

Megjithatë diçka nuk shkonte. Uejni i tregoi Karenit se vinte i treti për nga përgjegjësia në Organizatën Australiane të Shërbimeve Sekrete. Ai donte të jepte dorëheqjen, por ata nuk do t’ia pranonin. Uejni dinte mjaft sekrete. Do ta vrisnin. Të dy bashkë bënë një plan. Do të martoheshin, do të bashkonin pasuritë e tyre, do të linin Australinë dhe do të iknin në Kanada. Kareni shiti shtëpinë e çdo gjë që kishte dhe paratë ia besoi Uejnit.

U martuan siç e kishin bërë në plan. Uejni iku nga vendi, por Kareni mbeti pas, e braktisur dhe me më pak se gjashtë dollarë në bankë. Shpejt mori vesh se kishte rënë në një rrjetë gënjeshtrash të stërholluara, të sajuara me qëllimin e vetëm për ta mashtruar. Si një aktor, Uejni e kishte luajtur mirë rolin, një rol i përsosur që ta bënte për vete Karenin. E kaluara e tij, gjithçka që kishte për zemër, personaliteti dhe dashuria e tij e madhe për Karenin ishin trillime për të fituar besimin e saj, besim që i kushtoi më shumë se 200.000 dollarë. Një oficer policie tha: «Ajo është e dërrmuar emocionalisht. Edhe sikur të mos i zëmë në gojë paratë, dhimbja që mund t’i shkaktosh një njeriu qenka vërtet e pabesueshme.»

«Ndihem kaq e pështjelluar,​—tha Kareni.​—Njeriu që njihja nuk ishte i vërtetë.»

Kareni është vetëm një nga viktimat e panumërta të mashtrimit në mbarë botën. Nuk dihet se sa para u vidhen të tjerëve me mashtrim, ndonëse është llogaritur se shifra e përafërt arrin në qindra miliardë dollarë dhe rritet çdo vit. Përveç humbjes së parave, viktima si Kareni provojnë një dhembje të madhe emocionale, kur mendojnë se dikush​—shpesh dikush tek i cili kishin besim​—i shfrytëzoi.

 Parandalimi është rruga më e mirë

Mashtrimi është përkufizuar si «një plan ose dredhi e paramenduar për të marrë para, duke u shtirur, duke bërë deklarata ose premtime të rreme». Mjerisht pjesa më e madhe e mashtruesve shpëtojnë pa u ndëshkuar, sepse shpesh është e vështirë të provohet se gjërat janë bërë me paramendim për të mashtruar dikë. Për më tepër, shumë mashtrues i kuptojnë dhe i shfrytëzojnë boshllëqet e ligjit. Ata dinë se si t’i mashtrojnë njerëzit, duke përdorur mënyra të atilla që është e vështirë ose e pamundur t’i hedhësh në gjyq. Për më tepër, të hapësh gjyq me një mashtrues, duke e akuzuar për krim kërkon mjaft kohë dhe para. Zakonisht ata që dënohen për krimet e tyre janë ata që kanë vjedhur miliona dollarë ose kanë bërë diçka kaq tronditëse, saqë kanë tërhequr vëmendjen e publikut të gjerë. Edhe kur një mashtrues kapet dhe ndëshkohet, ka shumë mundësi që t’i ketë harxhuar ose fshehur tashmë paratë e vjedhura. Si pasojë, rrallëherë viktimat marrin dëmshpërblim për paratë që kanë humbur.

Me pak fjalë, në rast se ju kanë vjedhur me mashtrim, mundësitë për të marrë sërish atë që keni humbur janë të pakta ose mungojnë fare. Është shumë më mirë të mos bini viktimë, sesa të kërkoni mënyra për t’i rigjetur paratë e vjedhura. Një burrë i mençur shkroi shumë kohë më parë: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» (Fjalët e urta 22:3) Artikulli vijues do të shpjegojë disa mënyra se si të mbroheni nga mashtrimet.