Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Më i rrezikuari nga familja e maceve

Më i rrezikuari nga familja e maceve

 Më i rrezikuari nga familja e maceve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

Aftësitë e shikimit dhe reflekset e rrëqebullit kanë qenë mjaft të njohura prej kohësh. Kur një njeri është i mprehtë, spanjollët thonë se ka «sy rrëqebulli». Mjerisht rrëqebulli iberik (Lynx pardinus) tani njihet për diçka tjetër që nuk ka të bëjë me shikimin apo me mprehtësinë. Ai është radhitur «ndër llojet e maceve më të rrezikuara në botë». *

Vite më parë rrëqebullin iberik e gjeje anembanë Portugalisë dhe Spanjës e ndoshta deri në Pirenejtë francezë. Sot mund të gjesh vetëm disa grupe të shpërndara sa andej-këtej në pjesën jugperëndimore të Gadishullit Iberik. Megjithatë, vetëm dy prej këtyre grupeve kanë mundësi për t’u shumuar e për të mbijetuar, dhe është për t’u shqetësuar pasi numri i përgjithshëm i rrëqebujve ka pësuar rënie të madhe.

Sipas disa llogaritjeve numri i rrëqebujve iberikë ka rënë ndjeshëm në më pak se 200. Çfarë ka çuar në këtë rënie drastike? Disa thonë se arsyeja kryesore është pakësimi i madh i lepujve, ushqimit të tij kryesor, të cilët janë shfarosur nga një sërë epidemish shkaktuar nga miksomatoza, një virus vdekjeprurës për lepujt. Për më tepër disa rrëqebuj kanë rënë viktimë e grackave të gjuetarëve të paligjshëm ose janë shtypur në rrugë nga makinat. Habitatet e përshtatshme po zvogëlohen gjithnjë e më shumë. Një njoftim i kohëve të fundit, i bërë nga Fondi Botëror për Natyrën, konstaton se këto probleme kanë bërë që ata pak që kanë mbetur të izolohen në zona të vogla.

Megjithëse, një shumë prej rreth 35 milionë dollarësh amerikanë është planifikuar për të shpëtuar rrëqebullin e rrezikuar, kohët e fundit një grup ekspertësh e kanë përshkruar situatën si «dramatike». Kjo sepse, sipas Nikolas Gusmanit, koordinatorit të Planit Kombëtar për Mbrojtjen e Rrëqebullit Iberik, nga ata rrëqebuj që jetojnë në terren të hapur, pra më pak se 200, ‘vetëm 22 deri 32 janë femra në gjendje për t’u riprodhuar’. Ai shtoi: ‘Mbijetesa e këtij lloji do të varet nga këto femra.’ Është për të ardhur keq, por historia e rrëqebullit iberik pasqyron situatën në të cilën ndodhen edhe shumë krijesa të bukura të tokës.

[Shënimi]

^ par. 3 Rrëqebulli iberik ose spanjoll është cilësuar si «në rrezik të madh» në Listën e Kuqe, një listë ku përfshihen ato kafshë që rrezikojnë të zhduken. Kjo listë është përgatitur nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe të Burimeve Natyrore.

[Burimet e figurave në faqen 18]

Fotografia © Fernando Ortega

rrëqebull i rrezikuar