Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur pamja të bëhet fiksim

Kur pamja të bëhet fiksim

 Kur pamja të bëhet fiksim

KUR jemi para pasqyrës, shumë prej nesh vëmë re diçka që mendojmë se ka nevojë për t’u përmirësuar. Prandaj ndërrohemi, rregullojmë flokët, bëjmë pak tualet dhe vazhdojmë me rutinën e përditshme. Një shqetësim i tillë për veten është më se normal dhe me vend. Por te disa shqetësimi për pamjen e jashtme e kalon atë që mund të quhet një shqetësim normal dhe kthehet në një sëmundje që quhet çrregullim dismorfik i trupit ose BDD.

Manuali Merk për diagnozën dhe terapinë e përkufizon BDD-në si «shqetësim të tepruar për një defekt në pamje që shkakton vuajtje të konsiderueshme dhe që ndërhyn në veprimtaritë shoqërore, në punë dhe në fusha të tjera të rëndësishme». * Ky defekt ose mund të jetë fryt i imagjinatës së tyre ose mund të jetë i vogël dhe u duket më i madh se ç’është. Për këtë arsye kjo gjendje është quajtur shëmti imagjinare.

Profesori J. Kevin Tomson i Universitetit të Floridës Jugore në Shtetet e Bashkuara, thotë se kjo sëmundje është gati e rrallë. Ajo «prek ndoshta 1-2 për qind të të gjithë popullsisë dhe 10-15 për qind të pacientëve psikikë që nuk janë të shtruar në spital». Megjithatë ai shton: «Disa studiues besojnë se numri i rasteve me këtë sëmundje po rritet, sepse metodat e diagnostikimit po përmirësohen dhe shoqëria sa vjen e fiksohet më tepër pas pamjes.» Megjithëse mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, kjo sëmundje fillon të shfaqet kryesisht te adoleshentët. Për sa u përket të rriturve, ajo ndikon njësoj si te burrat ashtu edhe te gratë. Por është krejt e kundërta me çrregullimet në të ngrënë të cilat janë më të shpeshta te gratë.

Shqetësimi i tepërt për pamjen, që është tipike për njerëzit me këtë sëmundje, zakonisht bën që këta njerëz të shkojnë herë pas  here para pasqyrës dhe në disa raste të veçohen nga shoqëria. Por, siç thotë Manuali Merk, më e keqja është se «shqetësimet dhe problemet që vijnë nga kjo sëmundje mund të bëjnë që të shtrohen herë pas here në spital dhe të orvaten për vetëvrasje». Nuk është çudi që disa nga këta kërkojnë të bëjnë operacion plastik. Dr. Ketrin Filipsi, e cila ka shkruar një libër për BDD-në, thotë: «Zakonisht u këshilloj të mos bëjnë operacion plastik. Operacioni nuk zhbëhet më, dhe shumica e njerëzve me këtë sëmundje mendojnë se as operacioni nuk u ka përmirësuar gjë.» *

Ka raste kur BDD-ja shfaqet në moshë shumë të re. Revista George Street Journal * tregon për një djalë 6-vjeçar «që besonte se i kishte dhëmbët të verdhë, se kishte ‘vënë’ bark dhe se flokët nuk i rrinin mirë. Të tjerët nuk shihnin tek ai asnjë nga këto ‘defekte’. Çdo mëngjes e kishte zakon të rrinte gati një orë para pasqyrës duke krehur flokët. Nëse nuk i rrinin ‘siç donte ai’, e zhyste kokën në ujë, fillonte të krihej nga e para, dhe kështu shpesh bëhej vonë për në shkollë». Një ditë, kur shkoi te mjeku, u ul në gjunjë për t’u parë në pjesën metalike të një karrigeje.

Mos lejo që bota të diktojë në pikëpamjen tënde

Revistat tërheqëse, gazetat dhe reklamat televizive i bombardojnë njerëzit me imazhet e trupit të përsosur. Logjika e reklamuesve është e thjeshtë: paraqit një imazh të caktuar si normë dhe njerëzit do t’i lënë paratë, që mezi i kanë fituar, për të arritur atë pamje. Shto presionin e bashkëmoshatarëve dhe vërejtjet e pavend të familjes ose të shokëve dhe ja, s’ka përse të na vijë çudi që disa njerëz fillojnë ta humbin pikëpamjen e drejtpeshuar për pamjen e tyre. * Sigurisht që një pikëpamje jo e drejtpeshuar as që krahasohet me një çrregullim mendor obsesiv.

Është jonormale dhe aspak e vërtetë të mendosh se meqë nuk je i bukur ose tërheqës, të tjerët nuk do të të kushtojnë vëmendje. Zakonisht njerëzit nuk i zgjedhin miqtë duke u nisur nga pamja e jashtme. Është e vërtetë, pamja mund të ndikojë në përshtypjen e parë, por ato që hedhin bazën e vërtetë të një miqësie janë karakteri, parimet dhe vlerat morale. Në njëfarë mënyre secili nga ne është si një libër. Mund të ketë një kopertinë tërheqëse, por nëse përmbajtja është e mërzitshme, lexuesi sa ta fillojë do ta lerë. Pavarësisht nga kopertina, në qoftë se libri është interesant njerëzit nuk do ta lënë pa lexuar. Kështu që, pse të mos përqendroheni në cilësitë e karakterit tuaj? Kështu ju këshillon edhe Fjala e Perëndisë, Bibla.​—Fjalët e urta 11:22; Kolosianëve 3:8; 1 Pjetrit 3:3, 4.

Ç’është e vërteta, pamja jonë ndryshon me kalimin e moshës. Në rast se jeta, miqësia dhe lumturia jonë do të vareshin nga pamja e bukur rinore, atëherë e ardhmja jonë do të ishte vërtet për të të ardhur keq! Por, në rastin tonë mund të jetë shumë më ndryshe. Si ka mundësi?

Bukuri që nuk do të vdesë kurrë

Fjalët e urta 16:31, BR thuhet: «Flokët e thinjur janë një kurorë bukurie, kur gjenden në udhën e drejtësisë.» Në sytë e Perëndisë Jehova dhe në sytë e atyre që kanë të njëjtën pikëpamje, njerëzit që i shërbejnë Perëndisë deri në pleqëri mbeten gjithmonë tërheqës. Në fakt, për shkak të zellit dhe përkushtimit hyjnor që kanë treguar, për ta flokët e thinjura janë si një kurorë bukurie. Njerëz kaq të çmuar meritojnë dashurinë dhe respektin tonë të thellë.​—Levitiku 19:32.

Për më tepër, në botën e re që është afër, Jehovai, siç ka premtuar, do t’i zhbëjë pasojat që ka pasur mëkati i trashëguar te besnikët e tij, të rinj a të moshuar qofshin. Ditë pas dite do ta shohin dhe do ta ndiejnë se trupi i tyre përmirësohet derisa më në fund të arrijë kulmin e përsosmërisë fizike. (Jobi 33:25; Zbulesa 21:3, 4) Sa perspektivë e mrekullueshme! A do të doje të ishe edhe ti pjesë e kësaj? Nëse po, atëherë përpiqu që të përqendrohesh në bukurinë që ka vërtet rëndësi dhe mos lejo që mendimet e cekëta dhe mizore të botës të diktojnë në pikëpamjen tënde. Kështu do të jesh një njeri më i lumtur e më tërheqës.​—Fjalët e urta 31:30.

[Shënimet]

^ par. 3 Revista The Medical Journal of Australia thotë: «Shqetësimi i tepërt për pamjen e jashtme është një simptomë e zakonshme e disa çrregullimeve mendore.» Këtu futen depresioni, neuroza obsesive-kompulsive dhe çrregullimet në të ngrënë, si për shembull anoreksia nervore. Prandaj BDD-ja mund të jetë e vështirë për t’u diagnostikuar.

^ par. 5 Ju lutemi shihni artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A duhet të bëj operacion plastik?» në numrin e 22 gushtit 2002 të kësaj reviste. Sigurisht që një njeri me çrregullime të mëdha mendore mund të ketë nevojë për ndihmën e një mjeku profesionist në fushën e shëndetit mendor.

^ par. 6 Një botim i Universitetit Braun në Roud-Ajlënd, Shtetet e Bashkuara.

^ par. 8 Për informacione të mëtejshme, ju lutemi të shihni kapitullin «Sa e rëndësishme është pamja e jashtme?» në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.