Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vend pune apo zonë lufte?

Vend pune apo zonë lufte?

 Vend pune apo zonë lufte?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

«Më ishte sosur durimi. Kisha më shumë se 30 vjet në atë kompani. Kisha arritur të bëhesha administrator. Por ja, një ditë erdhi shefi i ri. Ishte në moshë të re, energjik dhe plot ide. Mendonte se isha pengesë për shoqërinë, prandaj filloi të kapej me mua. Pasi kalova muaj të tërë mes fyerjesh, gënjeshtrash dhe poshtërimesh, m’u bënë nervat copë. Prandaj kur më ofruan një shpërblim nëse do të dilja para kohe në pension, pranova.»​—Peteri. *

PETERI ishte viktimë e sulmeve psikologjike në vendin e punës. Në Gjermani, aty ku jeton Peteri, afro 1,2 milionë njerëz janë bërë shënjestër e sulmeve psikologjike në vendin e punës. Në Holandë, 1 në 4 veta, herët a vonë, i has këto sulme. Në një raport të Organizatës Ndërkombëtare të Punës thuhet se sulmet psikologjike në vendin e punës përbëjnë një problem që sa vjen e bëhet më i përhapur në Australi, Austri, Britani, Danimarkë, Suedi dhe në Shtetet e Bashkuara. Por çfarë janë saktësisht sulmet psikologjike kolektive?

«Luftë nervash»

Sipas revistës gjermane Focus, sulmet psikologjike kolektive janë «acarime të shpeshta, të përsëritura dhe të vazhdueshme». Ato nuk përfshijnë vetëm vënien në lojë, ndoshta duke përdorur sarkazmën, kritikat, talljet ose ndonjë rreng. Sulmet psikologjike kolektive nënkuptojnë një veprim të paramenduar për të shkaktuar terror psikologjik. Synimi është që viktima të ndihet i përjashtuar nga shoqëria. *

Taktikat e këtyre ngacmimeve fillojnë që nga armiqësitë foshnjarake e deri te veprimet kriminale. Viktima bëhet shënjestër e shpifjeve, sharjeve, sjelljes agresive dhe trajtimit me ftohtësi. Disa viktima i mbingarkojnë qëllimisht me punë ose i caktojnë vazhdimisht të bëjnë punët më të pakëndshme që nuk do t’i donte askush. Shokët e punës mund  të sabotojnë përpjekjet e viktimës për ta bërë mirë punën, ndoshta duke i fshehur informacione. Në disa raste, keqbërësit i kanë çarë viktimës gomat e makinës ose janë futur pa leje në kompjuterin e tij.

Ka raste kur viktimës i bie në qafë vetëm një njeri. Por më shpesh, atë e sulmon një grup punonjësish. Prandaj, shprehja «sulm psikologjik kolektiv» është e përshtatshme, sepse nënkupton që një grup i bën presion një individi, duke e shqetësuar ose sulmuar qëllimisht.

Ndoshta gjëja më befasuese është që në shumë raste ngacmimet bëhet me përkrahjen e shefit. Nga disa studime të bëra në Evropë u vu re se në rreth 50 për qind të rasteve shefi ishte përfshirë drejtpërdrejt dhe shumë shpesh ishte i vetmi që e shqetësonte viktimën. Siç thotë gazeta e përditshme Frankfurter Allgemeine Zeitung, të gjitha këto taktika ta kthejnë punën në «një luftë të gjatë dhe stresuese nervash».

Pasojat përtej vendit të punës

Shpesh, pasojat e ngacmimeve arrijnë përtej vendit të punës. Shumë viktima vuajnë nga probleme të rënda shëndetësore si pasojë e këtij trajtimi mizor. Ndër pasojat e sulmeve psikologjike janë depresioni, çrregullimet e gjumit dhe krizat e panikut. Ç’ndodhi me Peterin që u përmend në fillim të artikullit? Vlerësimi i tij për veten shkoi në zero. Një grua me emrin Margaret, e cila po ashtu jeton në Gjermani, mjeku e këshilloi të kurohej në një  klinikë për sëmundjet mendore. Shkaku? Ngacmimet në vendin e punës. Sulmet psikologjike kolektive mund të ndikojnë për keq edhe në martesë ose në jetën familjare.

Në Gjermani, sulmet në vendin e punës janë përhapur kaq shumë, saqë një shoqëri sigurimi për shëndetin ka vënë në dispozicion një linjë telefonike për të ndihmuar viktimat. Shoqëria zbuloi se më shumë se gjysma e atyre që telefononin nuk ishin në gjendje të punonin për një periudhë deri në gjashtë javë, gati një e treta deri në tre muaj dhe mbi 10 për qind për më shumë se tre muaj. Një revistë mjekësore gjermane thotë se «afro 20 për qind e të gjitha vetëvrasjeve janë pasojë e sulmeve psikologjike kolektive».

Shihet qartë se ngacmimet mund të bëjnë që puna të kthehet në një makth. A ka ndonjë mënyrë për t’i shmangur? Si mund të gjendet paqja në vendin e punës?

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë seri artikujsh emrat janë ndryshuar.

^ par. 6 Statistikat tregojnë se gratë, në krahasim me burrat, bien më shpesh pre e ngacmimeve në punë. Megjithatë, ky përfundim mund të vijë ngaqë gratë janë më të prirura të flasin për këtë problem e të kërkojnë ndihmë.

[Figurat në faqen 4]

Sulmet psikologjike e kthejnë punën në një luftë nervash