Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ulet urgjentisht avioni!

Të ulet urgjentisht avioni!

 Të ulet urgjentisht avioni!

TREGUAR NGA SESAR MUNJOS

Pas pushimeve të këndshme që kisha kaluar me familjen time në qytetin Monterei, Meksikë, isha gati të kthehesha në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Meksiko, ku kam privilegjin të shërbej. Ishte e diel, 1 dhjetor 2002. Numri i fluturimit tim ishte 190, dhe avioni u ngrit në orën 7.00 të mbrëmjes.

 GATI një orë e gjysmë më vonë, pas një fluturimi të qetë, avioni filloi të ulej. Papritur, avioni u ngrit rrufeshëm dhe u trembëm nga një zhurmë e tmerrshme që erdhi nga pjesa e poshtme e avionit. Pastaj, kapiteni na njoftoi se kapakët e rrotave të uljes nuk ishin hapur. Ishin bllokuar. Nga frika, disa nga pasagjerët filluan të qanin. Disa të tjerë luteshin me zë. Pyesja veten se si do t’i vente filli.

Kapiteni na njoftoi se duhet të bënte diçka që të zhbllokonte kapakët e rrotave. Kështu ndërkohë që fluturonim mbi qytetin e Meksikos, ai e shkundi avionin lart e poshtë, sa majtas djathtas për gati një orë. Kjo ishte më e keqe se çdo shkundje që kisha provuar në parkun e lojërave shumë të shpejta. Sigurisht, kjo nuk ishte lojë. Pastaj kapiteni njoftoi: «Me keqardhje ju njoftojmë se kapakët nuk u hapën. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të ulim urgjentisht avionin pa rrotat e uljes.» Të gjithë pamë nga njëri-tjetri me ankth duke menduar më të keqen.

Morëm udhëzime se çfarë duhet të bënim gjatë uljes urgjente. Hoqëm këpucët dhe çdo gjë që ishte e rrezikshme e u ulëm në pozicionin që na këshilluan. Mendoja se do të përplaseshim patjetër mbi pistë. Në atë moment iu luta Perëndisë Jehova dhe një qetësi e madhe më pushtoi.​—Filipianëve 4:6, 7.

Kisha dëgjuar shpesh që kur dikush është fare afër vdekjes, çaste nga jeta i kalojnë para syve dhe ndjen keqardhje për gjërat që nuk ka bërë. Më vinte keq që nuk i kisha folur për Mbretërinë vajzës që ishte ulur pranë meje dhe vendosa që, nëse do të shpëtoja do të shfrytëzoja çdo rast për të dëshmuar. I bëra edhe një shqyrtim të shpejtë shërbimit që i kisha bërë Jehovait.

Kur avioni filloi zbritjen, pashë zjarrfikëse, ambulanca dhe shumë njerëz që ishin në gatishmëri. Pastaj, kur avioni goditi me bark pistën, ndiem një tronditje të tmerrshme. Gjatë rrëshqitjes dolën shkëndija nga fërkimi i avionit me pistën. Nga të dyja anët e pistës, zjarrfikëset filluan menjëherë t’i hidhnin ujë avionit që ta ftohnin.

Më në fund, pas disa momentesh ankthi të madh, avioni ndaloi. Të gjithë shpërthyem në duartrokitje, pasi ishim shumë të lumtur dhe të lehtësuar që piloti ia kishte dalë mbanë. Pas kësaj na thanë të dilnim menjëherë nga avioni. U sulëm drejt daljeve dhe, nga rrëshqitëset zbritëm mbi barin në anë të pistës.

Duke qëndruar në largësi që të ishim jashtë rrezikut dhe duke u dridhur nga ajo që kishim kaluar, vështroja avionin e shtrirë sa gjatë e gjerë përmes pistës. Lumturisht, vetëm pak pasagjerë u plagosën, por lehtë. Disa të tjerë morën ndihmën mjekësore për tronditje emocionale në ambulancat aty pranë.

Kisha planifikuar që të mbërrija në shtëpi rreth orës 9.00 të darkës, por mbërrita katër orë më vonë. Me gjithë ato që kaluam, isha i lumtur që isha gjallë. Kjo eksperiencë më ka futur në mendime. E pashë me sytë e mi se sa e pasigurt është jeta. Kur kupton që mund të humbasësh çdo gjë vetëm për pak minuta, bëhesh më i përulur. Atëherë kur nuk dihet nëse do të shpëtosh apo jo, mund të jetë shumë vonë për të korrigjuar mënyrën e jetesës ose për të bërë vepra të mira që të kesh emër të mirë para Perëndisë. Tani e çmoj shumë më tepër mundësinë që kam për të jetuar me mençuri dhe për të dhënë më të mirën çdo ditë që kaloj në shërbim të Perëndisë Jehova.​—Psalm 90:12.