Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si vihen në shënjestër?

Si vihen në shënjestër?

 Si vihen në shënjestër?

Monika sapo kishte mbaruar shkollën kur filloi stazhin si sekretare në një zyrë juristësh. Ajo shpresonte që kalimi nga jeta shkollore në punë të ishte i lehtë.

Horsti punonte si mjek dhe ishte aty nga mesi i të 30-ave. Ishte i martuar, me fëmijë dhe kishte perspektivë të bëhej mjek me emër e të kishte të ardhura të mira.

Si Monika, ashtu edhe Horsti u bënë viktima të sulmeve në vendin e punës.

NGA rasti i Monikës dhe i Horstit nxjerrim një mësim me vlerë: nuk është e lehtë të parashikosh se kush mund të bëhet pre e sulmeve psikologjike. Po, kushdo, pavarësisht nga profesioni, mund të vihet në shënjestër të ngacmimeve. Pra, si mund të mbroheni? Një mënyrë është të mësosh të kesh marrëdhënie paqësore në vendin e punës, madje edhe me ata punonjës që janë tipa të vështirë.

 Si të shkosh mirë me shokët e punës

Shumë njerëz bëjnë një punë që u kërkon të bashkëpunojnë me një skuadër punonjësish dhe të ndihmojnë që kjo skuadër të punojë mirë si një e tërë. Nëse kolegët shkojnë mirë me njëri-tjetrin, edhe puna ecën mirë. Nëse jo, kjo gjë do të jetë në kurriz të punës dhe do të shtojë rrezikun e sulmeve psikologjike.

Çfarë mund ta pengojë mbarëvajtjen e një grupi punonjësish që punojnë si skuadër? Një arsye mund të jenë ndryshimet e shpeshta në personel. Në një rrethanë të tillë është e vështirë të ndërtohen marrëdhënie miqësore. Përveç kësaj, punonjësit e rinj nuk e dinë procedurën e zakonshme të punës dhe kjo bën që të ngadalësohet ritmi i punës edhe për punonjësit e tjerë. Kur puna grumbullohet, ka të ngjarë që grupi të ndiejë një stres të vazhdueshëm.

Për më tepër, në qoftë se një skuadër nuk ka synime të qarta, ndjenja e unitetit do të jetë e dobët. Për shembull, kjo mund të ndodhë kur një shef që vuan nga pasiguria harxhon më shumë kohë për të mbrojtur pozitën e tij, sesa duke drejtuar punën. Madje, ai mund të përpiqet të mbajë nën kontroll të tjerët duke i ndërsyer kolegët kundër njëri-tjetrit. Ajo që e keqëson edhe më shumë gjendjen është organizimi i dobët. Ndarja e detyrave mund të jetë kaq e paqartë, saqë disa punonjës nuk e kuptojnë se ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e tyre. Për shembull, mund të lindin konflikte midis dy punonjësve kur të dy mendojnë se kanë autoritetin që të hedhin firmën e dytë në fatura për të miratuar ose jo atë që ka miratuar tjetri.

Në kushte të tilla komunikimi bëhet i vështirë dhe shpesh, në rast se e lëndojnë njëri-tjetrin, punonjësit nuk ulen për t’u sqaruar. Zilia e helmon atmosferën në punë dhe kolegët konkurrojnë kush e kush ta ketë më mirë me shefin. Keqkuptimet e vogla merren si fyerje të rënda. Pra, qimja bëhet tra. Kështu është bërë gati terreni për sulme psikologjike.

Zgjidhet «dashi i kurbanit»

Për një periudhë kohe, njëri nga punonjësit mund të bëhet «dashi i kurbanit». Cilëve ka më shumë mundësi t’u ndodhë kjo gjë? Ka shumë të ngjarë të jetë dikush që bie në sy si i ndryshëm nga të tjerët. Për shembull, mund të jetë i vetmi mashkull në një ambient grash ose një femër që punon në një vend ku shumica janë burra. Një njeri që duket i sigurt në vetvete mund ta marrin për mendjemadh, kurse një njeri të rezervuar mund ta quajnë hileqar. Viktima e mundshme mund të dallohet nga të tjerët edhe përsa i përket moshës, pasi mund të jetë më e moshuar a më e re se të tjerët, ose ndoshta ngaqë është më e kualifikuar për atë punë.

Revista mjekësore gjermane mta thotë se cilido qoftë ky «dash i kurbanit», kolegët «tregohen të ulët e të pacipë me viktimën që kanë zgjedhur dhe në këtë mënyrë u duket sikur e shkarkojnë disi stresin që kalojnë personalisht». Përpjekjet e viktimës për të përmirësuar gjendjen e krijuar nuk kanë shumë sukses e madje mund t’i keqësojnë gjërat. Ndërkohë që sulmet bëhen më të shpeshta e më të vazhdueshme, viktima ndihet gjithnjë e më e veçuar nga të tjerët. Kur gjërat arrijnë në këtë pikë, ka shumë mundësi që të mos jetë në gjendje ta përballojë vetë situatën e krijuar.

Sigurisht, në punë gjithnjë ka ekzistuar rreziku për t’u keqtrajtuar nga të tjerët. Por shumë vetave mund t’u kujtohet se dikur kolegët ishin më të gatshëm për ta ndihmuar shoku-shokun. Rrallë ndodhte që të bëheshin grup për të sulmuar dikë. Por me kalimin e viteve ka ndodhur ajo që një mjek e përshkroi si «rënie e përgjithshme e frymës së solidaritetit dhe në përgjithësi njerëzit s’dinë më se ç’do të thotë të të vijë turp nga vetja». Sot njerëzit s’e kanë për gjë të të sulmojnë hapur në punë.

Prandaj, të gjithë atyre që janë të punësuar me të drejtë u intereson përgjigjja e këtyre pyetjeve: A mund të parandalohen ngacmimet në punë? Si mund të arrihet paqja në vendin e punës?

[Figura në faqen 6]

Synimi i ngacmimeve është që viktima të ndihet i përjashtuar nga shoqëria e punës