Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të gjejmë paqe në vendin e punës?

Si të gjejmë paqe në vendin e punës?

 Si të gjejmë paqe në vendin e punës?

PËRSE disa njerëz u bien në qafë të tjerëve? Bibla na ndihmon ta shohim më qartë çështjen. Ajo shpjegon se po jetojmë «në ditët e fundit» të këtij sistemi, prandaj po kalojmë «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Shumë njerëz janë ‘të dashuruar pas vetes, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk janë të gatshëm për asnjë marrëveshje, janë shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur’. (2 Timoteut 3:1-5) Në këto kohë të trazuara, sjellje të tilla janë të përhapura dhe sulmet psikologjike kolektive janë një nga pasojat e hidhura të kësaj. Atëherë, si mund të gjeni paqe në vendin e punës?

Zgjidhni mosmarrëveshjet

Shpesh ngacmimet fillojnë kur midis shokëve të punës lind një mosmarrëveshje, dhe kjo lihet e pazgjidhur. Prandaj, pa i futur hundët në punët e të tjerëve, kushtojuni menjëherë vëmendje keqkuptimeve që kanë lidhje me ju personalisht. Qetësojini ndjenjat e lënduara të të tjerëve, duke treguar takt dhe respekt. Sqarojini gjërat duke folur vetëm për vetëm me kolegët dhe jo në grup. Nëse duket se dikush ka ndonjë problem me ju, përpiquni ta zgjidhni çështjen. Mbani parasysh këshillën e Jezuit: «Rregulloji shpejt çështjet me atë që ankohet kundër teje.»​—Mateu 5:25.

Për më tepër, çdokush përfiton nëse mban një komunikim të mirë me të tjerët. Përveç kësaj, përpiquni të komunikoni me respekt me shefin pa i dhënë përshtypjen sikur po orvateni që t’ju marrë me sy të mirë.  Gjithashtu mos harroni që komunikimi i mirë me kolegët dhe vartësit do të jetë një ilaç i mirë për stresin. Mbreti Solomon shkroi: «Planet dështojnë ku nuk ka arsye [bisedë konfidenciale, BR], por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.»​—Fjalët e urta 15:22.

Prandaj bëni çmos për të shkuar mirë me shokët e punës. Kjo nuk do të thotë «t’u shkosh pas fijes të tjerëve» duke bërë me gjysmë zemre çdo gjë që ju thonë e duke shkelur mbi parimet tuaja vetëm për të mos prishur qejf. Gjithsesi sjellja e ngrohtë dhe miqësore mund të shkrijë një atmosferë të akullt. Kini kujdes jo vetëm se çfarë u thoni të tjerëve, por edhe si ua thoni. Edhe për këtë Bibla jep këshilla të mençura: «Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin.» (Fjalët e urta 15:1) «Një gjuhë e shëndoshë [qetësia e gjuhës, BR] është një dru i jetës.» (Fjalët e urta 15:4) «Me durimin i mbushet mendja një princi.» (Fjalët e urta 25:15) «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë, në mënyrë që të dini se si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.»​—Kolosianëve 4:6.

«Arsyetueshmëria juaj le të bëhet e njohur»

Apostulli Pavël u dha këtë këshillë të krishterëve në Filipi: «Arsyetueshmëria juaj le të bëhet e njohur ndër të gjithë njerëzit.» (Filipianëve 4:5) Për të ndjekur këtë parim, vërini vetes norma të arsyeshme sjelljeje. Mos jini as tepër të sigurt te vetja, as tepër të ndrojtur. Nëse kolegët ju vënë në lojë, mos u matni me ta duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë. Nuk fitoni asgjë po të silleni herë mirë e herë keq. Trajtojini të tjerët me respekt dhe dinjitet dhe ka më shumë të ngjarë që edhe ata t’ju përgjigjen në të njëjtën mënyrë.

Mos mendoni vetëm për sjelljen, por edhe për veshjen. Pyeteni veten: ‘Çfarë përshtypjeje japin rrobat e mia? A është provokuese paraqitja ime? A kam një pamje të shkujdesur? Mos do të ishte më mirë që të vishja gjëra më të përshtatshme për vendin e punës?’

Në shumicën e kulturave, punëtorët e palodhur e të ndërgjegjshëm respektohen dhe vlerësohen shumë. Prandaj, përpiquni të fitoni respektin e të tjerëve, duke bërë një punë me cilësi. Jini të besueshëm dhe të ndershëm. Kjo nuk do të thotë të kërkoni përsosmëri në çdo punë që bëni. Një grua që u bë pre e sulmeve në punë më vonë pranoi se edhe ajo vetë kishte luajtur rol në rrënimin e saj emocional. «Doja të isha e përsosur»,​—thotë ajo. Kjo grua e kuptoi se përsosmëria është një synim i paarritshëm dhe tha: «Jam një punonjëse e mirë, por nuk është e thënë që çdo gjë ta bëj të përsosur.»

Mos jini tepër të ndjeshëm ndaj komenteve negative. Jo çdo kritikë e padrejtë është një sulm. Në Bibël, mbreti Solomon shkroi: «Mos u nxito në frymën tënd të zemërohesh . . . Përveç kësaj mos u vër veshin tërë fjalëve që thuhen, . . . sepse zemra jote gjithashtu e di që ti  vet i ke mallkuar shumë herë të tjerët.»​—Predikuesi 7:9, 21, 22.

Duhet pranuar se ndjekja e këtyre parimeve të shëndosha nuk garanton se kurrë nuk do të jeni viktimë e sulmeve psikologjike. Edhe pse mund të bëni çmos, disa kolegë përsëri mund t’ju bien në qafë. Si t’ia bëni në këtë rast?

Kërkoni ndihmë

«Kur të tjerët, për muaj të tërë, më silleshin ftohtë, kalova një gjendje emocionale të trazuar»,​—pohon Gregori. Përvoja e tij është tipike për viktimat, të cilat përjetojnë lloj-lloj ndjenjash të mundimshme, siç janë: zemërimi, faji, turpi, pështjellimi dhe ndjenjat e pavlefshmërisë. Presioni që provon nga sulmet psikologjike mund të çojë në dëshpërim edhe një njeri të qëndrueshëm emocionalisht. Po, edhe Bibla thotë se «shtypja e bën të pamend njeriun e urtë». (Predikuesi 7:7) Pra ç’mund të bëhet?

Studimet tregojnë se është mirë që sulmet psikologjike të mos i përballoni vetëm. Ku mund të gjejë ndihmë viktima? Disa shoqëri të mëdha kanë gjetur mënyra për të ndihmuar punonjësit e tyre që mendojnë se po i keqtrajtojnë. Këto shoqëri e dinë se është në të mirën e tyre t’i zhdukin sulmet psikologjike. Sipas një llogaritjeje, punonjësit që sulmojnë një shok pune janë të shpërqendruar rreth 10 për qind të kohës së punës. Nëse një masë e tillë është në dispozicion, viktima duhet të kërkojë ndihmë. Një këshilltar i paanshëm, qoftë nëse është i shoqërisë, qoftë nëse është i jashtëm, mund të hapë rrugën që të gjithë ata që janë përfshirë në këtë problem të bisedojnë dhe të vënë disa rregulla për mënyrën se si duhet të sillen në punë.

Nuk ka zgjidhje të garantuar

Sigurisht që duhet pranuar se nuk ka zgjidhje të garantuar për sulmet psikologjike. Edhe ata që zbatojnë parimet biblike të cilat u përmendën në këtë artikull ndoshta shohin se keqtrajtimi në punë vazhdon. Këta njerëz mund të jenë të sigurt se qëndrueshmëria e tyre dhe përpjekjet për të shfaqur cilësi të perëndishme në një atmosferë armiqësore nuk kalojnë pa u vënë re nga Perëndia Jehova.​—2 Kronikave 16:9; Jeremia 17:10.

Në varësi të shkallës dhe të shpeshtësisë së keqtrajtimeve, disa që janë gjendur në këtë rrethanë kanë vendosur të kërkojnë një punë tjetër. Të tjerë kanë pak mundësi për të zgjedhur, ndoshta sepse puna mezi gjendet dhe vendet ku mund të drejtohen për ndihmë janë të pakta. Monika, që u përmend në artikullin e kaluar, me kalimin e kohës pa se problemi u zgjidh kur një nga sulmuesit kryesorë iku nga puna. Si pasojë, atmosfera në punë u bë disi më e qetë dhe ajo e përfundoi stazhin pa qenë nevoja të kërkonte punë gjetkë.

Peteri, që përmendëm në artikullin e parë, shpëtoi përfundimisht nga ky problem duke dalë para kohe në pension. Megjithatë, gjatë kohës që përballonte keqtrajtimet, atë e ndihmoi mbështetja e gruas së tij. «Ajo e dinte se çfarë po kaloja dhe më jepte shumë forcë»,​—thotë ai. Ndërkohë që kalonin vështirësi, Monikën dhe Peterin i ngushëllonte sidomos besimi i tyre si Dëshmitarë të Jehovait. Pjesëmarrja në shërbimin publik ua shtonte respektin për veten, kurse shoqëria me bashkëbesimtarët tregoi edhe një herë se kush ishin miqësitë e qëndrueshme.

Në cilatdo rrethana qofshi, bëni ç’është e mundur për të pasur marrëdhënie të mira në vendin e punës. Nëse të tjerët ju sulmojnë, përpiquni të ndiqni këshillën e apostullit Pavël: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë. . . . Mos lër të mundesh nga e keqja, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.»​—Romakëve 12:17-21.

[Diçitura në faqen 8]

Sjellja miqësore mund të shkrijë një atmosferë të akullt

[Diçitura në faqen 9]

«Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë.»​—ROMAKËVE 12:18

[Figura në faqet 8, 9]

Kushtojuni menjëherë vëmendje keqkuptimeve me të tjerët