Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimi i një familjeje përballë vuajtjes

Besimi i një familjeje përballë vuajtjes

 Besimi i një familjeje përballë vuajtjes

PËR Indian, një vajzë e këndshme nëntëvjeçare nga Viskonsini, SHBA, sëmundjet nuk janë diçka e panjohur. Ajo tashmë ka bërë tri operacione të vështira dhe u është nënshtruar shumë e shumë procedurave mjekësore më të lehta. «Për gjashtë vjet,​—thotë Lori, mamaja e saj,​—jeta e Indias ka qenë spitali, urgjenca dhe vizita te mjeku.»

Gjithçka filloi kur India ishte 18-muajshe. Ajo nisi të shfaqte disa simptoma të pazakonshme, ku përfshihej diarre kronike, temperaturë e lartë, fryrje në stomak dhe një rënie jonormale në peshë. Veç këtyre kishte dhembje barku. Për dy vjet me radhë, çdo natë, e vogla India zgjohej vazhdimisht nga gjumi duke qarë, rënkuar e ndonjëherë duke bërtitur nga dhembjet.

Ndërkohë që mjekët përpiqeshin të gjenin çfarë kishte, India vuante tmerrësisht. «E thënë thjesht, foshnja jonë po vdiste nga uria»,​—thotë Lori. Babai i Indias, Marku, shton: «Për më shumë se një vit, shikonim vogëlushen tonë të tretej dita ditës dhe nuk dinim si ta ndihmonim. Mbaj mend se një natë ndërkohë që ndiheshim krejt të pashpresë, po bisedoja me Lorin për varrimin e Indias, pasi në atë kohë kjo gjë na dukej e pashmangshme.»

Më në fund, mjekët zbuluan se India vuante nga koliti ulceroz, një sëmundje që prek mukozën e zorrës së trashë. Gjithashtu ajo kishte kolangit sklerozues parësor, një sëmundje që dëmton kanalet nëpërmjet të cilave vreri del nga mëlçia. Këto sëmundje mund të kuroheshin. Megjithatë, vajza duhej të operohej dhe për kolitin ulceroz duhej të fillonte ilaçe. Që të dyja sëmundjet kërkonin mbikëqyrje dhe kujdes të vazhdueshëm gjatë periudhës së shërimit.

Kanë kaluar më shumë se shtatë vjet që kur India u sëmur. Falë kujdesit të mjekëve të ndërgjegjshëm ajo po shkon drejt shërimit. Marku dhe Lori, si Dëshmitarë të Jehovait, mendojnë se besimi në Fjalën e Perëndisë e sidomos gjërat që thuhen aty për sëmundjet,  vdekjen dhe shpresën për një ringjallje në të ardhmen, i kanë ndihmuar të përballojnë vështirësitë. Kështu ka ndodhur edhe me Indian. «India ka folur gjithmonë lirshëm për shpresën e ringjalljes për të cilën flitet në Bibël,​—thotë Lori.​—Kjo shpresë është shumë reale për të.»

Një herë, kur ishte në dhomën e lojërave në spital, India takoi një vajzë që e kishte të motrën me leucemi. Lori tregon çfarë ndodhi: «Vajza i tha që kishte frikë se mos i vdiste e motra. Prandaj India filloi t’i tregonte se çfarë është vdekja sipas Biblës dhe se ajo vetë nuk kishte frikë nga vdekja. Të nesërmen, mamaja e vajzës m’u afrua dhe më bëri disa pyetje. Ajo ishte habitur që India mund të fliste kaq hapur dhe pa frikë për gjëra të tilla.»

Marku dhe Lori kanë parë se lutjet e bashkëbesimtarëve i kanë ndihmuar jashtë mase. Marku thotë: «Në të kaluarën, kur u thosha njerëzve se do të lutesha për ta ose kur lutesha me ta, gjithnjë dëshiroja të bëja diçka më shumë se kaq. Tani e kuptoj se sa vlerë kanë lutjet me të tjerët dhe për të tjerët. Lutja ishte gjëja më e rëndësishme që të tjerët mund të bënin për ne kur kalonim kohë të vështira. Sa vëllazëri të dashur që kemi!»

Gjithashtu Marku mendon se sëmundja e Indias i ka ndihmuar të kuptojnë se cilat janë gjërat më të rëndësishme për ta. «Pikëpamja jonë për gjërat materiale ka ndryshuar krejtësisht,​—thotë ai.​—Sa të kota të duken ato kur e ke fëmijën të sëmurë! Për ne, gjërat që kanë vlerë të vërtetë në jetë ishin dhe janë ende marrëdhënia me Perëndinë Jehova dhe vëllazëria jonë e dashur.»

Marku, Lori, India, vëllai dhe motrat e saj mezi e presin kohën, për të cilën foli profeti Isaia, kur asnjë «nuk do të thotë: ‘jam i sëmurë.’»​—Isaia 33:24; Zbulesa 21:4.

[Figura në faqen 22]

India Erikson

[Figura në faqen 23]

Spitali i Fëmijëve në San-Diego

[Figura në faqen 23]

India me familjen e saj