Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

 Një vështrim rreth botës

Një dem në një dyqan me porcelane

A keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë do të ndodhte po të hynte një dem në një dyqan me artikuj porcelani, siç thotë një proverb për një njeri të ngathët e pa finesë? Mirë, pra, BBC News thotë se një gjë e tillë ka ndodhur vërtet. Një dem i shpëtoi nga duart të zotit në një ankand kafshësh në Lankashir, Angli, dhe më pas u turr brenda në një dyqan sendesh antike. «Dyqani shet vetëm artikuj të vjetër porcelani dhe, siç mund të pritej, disa nga këto sende të vlefshme u bënë copë-copë»,​—thuhej në një gazetë që e raportoi këtë ngjarje. Pasi folën me të zotin e demit dhe morën parasysh rreziqet që ekzistonin po të përpiqeshin ta zinin të gjallë kafshën, autoritetet vendosën që më e mira do të ishte ta vritnin demin. Kështu, policia e rrethoi zonën me një shirit dhe e vrau demin që kishte ngecur brenda në dyqan.

 Vendin e parë në botë për vetëtimat

Disa kërkues, gjatë analizimit të të dhënave satelitore, kanë zbuluar se «Brazili ka numrin më të lartë në botë për sa u përket vetëtimave»,​—thotë gazeta O Globo. «Në çdo sekondë [në Brazil] ndodhin dy ose tre shkarkime elektrike dhe në vit 70 milionë gjithsej.» Cili është shkaku? Sipërfaqet e mëdha me pyje të shiut dhe klima e nxehtë. Këto krijojnë mjedisin e përkryer për stuhi të shpeshta me shkarkime elektrike. Përveçse vrasin rreth 100 brazilianë në vit, vetëtimat shkaktojnë rreth 200 milionë dollarë dëme në linjat telefonike dhe elektrike, si edhe në industri e në struktura të tjera. E ndryshe nga mendimi i zakonshëm se rrufeja s’bie dy herë në të njëjtin vend, «rrufetë mund të bien tre, pesë ose edhe dhjetë herë në të njëjtin vend»,​—thotë shkencëtari Osmar Pintu i Riu, që punon në Institutin Kombëtar për Kërkime Hapësinore.

Spiunazh me celular

Në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung thuhej se celularët që kanë edhe aparat fotografik po vënë në rrezik çështjet konfidenciale të biznesit. Ndonëse këto lloje të reja celularësh në fillim u menduan si një mënyrë tjetër për të shtuar shitjet, fotografitë dixhitale që bëhen me anë të tyre janë shumë të qarta dhe konsiderohen si një problem gjithnjë e më i madh nga punonjësit e sigurisë të shumë firmave. Këto aparate jo vetëm që s’bien në sy, por, ndryshe nga aparatet fotografike normale, e transmetojnë menjëherë fotografinë. Kjo i bën një mjet të përkryer për spiunazhin në industri. Edhe sikur shkelësi të kapet, tashmë dëmi është bërë. Për këto arsye, disa firma e kanë ndaluar përdorimin e celularëve me aparate fotografike në sektorët e sigurisë së lartë, si për shembull në repartet e arkitekturës dhe në vendet ku bëhen prova të modeleve të reja të produkteve.

Pasojat tragjike të aksidenteve rrugore

«Aksidentet rrugore marrin çdo vit mijëra jetë më shumë sesa krimet e dhunshme»,​—thuhej në gazetën spanjolle El País. Bilanci i përvitshëm tragjik i aksidenteve rrugore për Evropën është 55.000 të vdekur dhe 3,5 milionë të plagosur. Në Spanjë, në 35 për qind të vdekjeve nga aksidentet rrugore, viktimat janë të moshave 15 deri në 29 vjeç. Kjo i bën aksidentet rrugore shkakun kryesor të vdekjeve për këtë grup-moshë. «Ky është problemi më i rëndë shëndetësor»,​—thotë Zhanë Pikar Maho, zëdhënëse e organizatës La Ligue, një organizatë joqeveritare që i është kushtuar përmirësimit të sigurisë në rrugë. «Nëse s’më besoni,​—thotë ajo,​—flitni me mjekët që kanë të bëjnë me rastet urgjente çdo fundjavë.» Ndër masat e tjera, organizata La Ligue dhe dy grupe të tjera evropiane kërkojnë që firmat prodhuese që në fabrikim të instalojnë nëpër makina mjete që kufizojnë shpejtësinë, si edhe një ‘kuti të zezë’, pra një aparat që do të tregonte shkakun e mundshëm të aksidentit.

Vit i mbrapshtë për akullnajat alpine

Vera përvëluese e vitit 2003 «do të mbahet mend si stina më e keqe» për akullnajat alpine, sipas gazetës italiane Corriere della Sera. Stina e verës sa ka ardhur e është bërë më e nxehtë dhe temperaturat mesatare janë rritur, kështu që bora dhe akulli që ishin grumbulluar nëpër malet e Italisë Veriore kanë filluar të shkrijnë «me një shpejtësi të paparë ndonjëherë». Një nga surprizat që ka nxjerrë kohët e fundit shkrirja e akullit ishte një top austriak me peshë 3.300 kilogramë, i cili u gjet në lartësi 3.178 metra mbi nivelin e detit. Ky top ishte vendosur për të sulmuar pozicionet italiane të luftimit gjatë Luftës I Botërore. «Zbulime të tilla janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në 20 vjetët e fundit,​—thuhej në artikull.​—Muajt e nxehtë të verës i kanë kthyer akullnajat tona në frigoriferë që u është lënë dera hapur.»

Problemi i vetëvrasjes në Korenë e Jugut

Në Korenë e Jugut vetëvrasjet janë shtuar vazhdimisht çdo vit që nga 1999-a, sipas The Korea Times. «Muajt e fundit,​—thuhej në gazetë,​—pothuajse çdo ditë dëgjojmë histori tragjike të njerëzve që vetëvriten, kryesisht të shtyrë nga vështirësi ekonomike, siç janë borxhet me kartat e kreditit, por edhe nga dëshpërimi që ndiejnë. Sipas statistikave të Agjencisë Kombëtare Policore, [në vitin 2002] gjithsej 13.055 veta kryen vetëvrasje, një rritje 6,3 për qind në krahasim me shifrën 12.277 të vitit të mëparshëm. Kjo do të thotë se 36 njerëz në ditë dhe 1,5 në orë kanë vrarë veten.» Por ka diçka edhe më alarmuese se kjo. Në The Korea Times thuhej: «Prindërit e dëshpëruar tani vrasin jo vetëm veten e tyre, por edhe fëmijët.» Një shembull ishte ai i një gruaje 37-vjeçare që vrau veten kur mori vesh se i shoqi kishte humbur në bursë një shumë të barabartë me 140.000 dollarë. U gjendën të vrarë edhe të dy fëmijët e saj, djali 14 vjeç dhe vajza 12 vjeçe. «Psikologët thonë se një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po mendojnë për vetëvrasjen, sepse shoqëria nuk u jep ndonjë shpresë për të kapërcyer vështirësitë»,​—përfundonte artikulli.

Udhëtarët preken më shpejt nga sëmundjet

«Në mbarë botën, më shumë se një në nëntë udhëtarë vuan nga sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes»,​—thuhej në The Medical Post të Kanadasë. Ky zbulim ishte rezultat i një studimi të bërë nga GeoSentinel, një rrjet i krijuar nga bashkëpunimi i Shoqatës Ndërkombëtare të Mjekësisë për Udhëtarët me Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Rrjeti mbledh të dhëna në fushën shëndetësore dhe lidh me njëra-tjetrën 25 klinika për udhëtarët në mbarë botën. Në periudhën janar 1997-dhjetor 2002, në këto klinika ishin vizituar 18.817 udhëtarë dhe 2.173 prej tyre ishin diagnostikuar me sëmundje të ndryshme, që nga laringjiti e infeksioni në vesh dhe në sinuse, deri te pneumonia, bronkiti dhe infeksioni mykobakteror. Udhëtarët që shkojnë në ndonjë vend ku rreziku i sëmundjeve është i lartë, këshillohen të sigurohen se i kanë bërë kohët e fundit vaksinat dhe të bëjnë një vaksinë të gripit, pavarësisht nga stina. Sipas dr. Izabela Nutallit, specialiste e sëmundjeve infektive në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, higjiena e mirë është mbrojtja numër një kundër sëmundjeve bakterore ose virale. Ajo tha: «Një mesazh që duam ta përsëritim gjithnjë është: ‘Lani duart.’»