Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

 Nga lexuesit tanë

Moti Me anë të kësaj letre ju falënderoj për serinë e artikujve «Ç’po ndodh me motin?» (8 gusht 2003). U habita kur lexova fjalinë që thoshte: «Ndonëse sjellin shumë vështirësi, këto ngjarje katastrofike mund të kenë edhe një ndikim të dobishëm.» Por m’u desh ta pranoja këtë gjë kur lexova fjalinë tjetër: «Ato mund t’i nxitin njerëzit që të tregojnë dashuri dhe interes për të tjerët.» Përveç ngjarjeve katastrofike, çdo ditë hasim edhe vështirësi nga më të ndryshmet. Dua ta mbaj gjithnjë ndër mend se në çdo gjë që ndodh mund të ketë edhe diçka pozitive.

S. T., Japoni

Ndihmë në rast katastrofash Kam lexuar artikullin «Diçka që asnjë stuhi nuk e zhduku dot». (8 gusht 2003) Mënyra se si i përballuan Dëshmitarët e Jehovait rastet urgjente të shkaktuara nga katastrofat natyrore, më bëri ta çmoja edhe më shumë faktin që jam pjesë e kësaj organizate. Faleminderit që botoni artikuj të tillë, që na ndihmojnë të shfaqim cilësi që asnjë stuhi nuk mund t’i zhdukë.

M. P., Itali

Personalisht kam përjetuar disa katastrofa, ku përfshihen përmbytje dhe tërmete. Në vitin 1989 po predikoja nga shtëpia në shtëpi kur papritur ra një tërmet. Djali 14-vjeçar që më shoqëronte filloi të vrapojë i tmerruar. E kapa për dore dhe u luta për të që të mblidhte veten. Brenda pak sekondash u gjendëm të rrethuar nga kabllot elektrike që ranë përtokë. Njerëzit i zuri paniku. Edhe në dyshemenë prej betoni të shtëpisë sime ishte bërë një e çarë e madhe. Megjithatë, po atë pasdite, iu kthyem shërbimit nga shtëpia në shtëpi për të ndihmuar të tjerët t’i bënin ballë situatës. Sa kujtime më ngjalli ky artikull!

B. S., Shtetet e Bashkuara

Faleminderit shumë që botoni artikuj kaq inkurajues siç ishte edhe artikulli «Diçka që asnjë stuhi nuk e zhduku dot». Qava kur e lexova. S’ka dyshim që asnjë stuhi nuk mund ta zhdukë dashurinë që kemi për të bashkëkrishterët dhe dashurinë altruiste për fqinjët tanë.

I. A., Japoni

Abuzimi me drogën Shumë faleminderit për serinë e artikujve «Abuzimi me drogën në familje: Çfarë mund të bëni?» (8 prill 2003) Kam ca kohë që studioj Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, por nuk kam qenë në gjendje të bëj përparim frymor për shkak të këtij problemi. Kur lexova kutinë «Ndihmë për të hequr dorë nga droga», e kuptova se leximi i përditshëm i Biblës dhe zbatimi i parimeve të saj do të më ndihmojnë në përpjekjet e mia për të hequr dorë. Ka ndikuar shumë edhe dijenia se Perëndia interesohet vërtet për mua.

R. S. A., Brazil

Fëmijë të tensionuar Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë për serinë e artikujve: «Fëmijët: A po rriten para kohe?» (22 prill 2003) Pikërisht për këtë kisha nevojë. Si nënë e vetme dhe ungjillëzuese në kohë të plotë, kam një program shumë të ngjeshur. Shpesh pyes veten: «A jam një nënë e mirë? A jam tepër kërkuese me vajzën time?» Lehtësohem kur e di se ku duhet të përmirësohem. Tani dua ta gëzoj fëmijërinë e vajzës sime dhe dua që edhe ajo ta shijojë atë. Të gjithë artikujt që shkruani janë ndërtues, por artikujt të tillë më japin shumë zemër.

M. D. E., Meksikë

Një fëmijë kërkon Perëndinë Jam 11 vjeçe. Kam lexuar artikullin «Dua të di më shumë për Jehovain». (22 prill 2003) U inkurajova kur mësova që një vajzë vetëm një vit më e madhe se unë po bënte përpjekje të mësonte për Jehovain. Tani dua të dal dhe t’u dëshmoj të tjerëve.

Y. T., Japoni