Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ishulli që doli dhe u zhduk prapë

Ishulli që doli dhe u zhduk prapë

 Ishulli që doli dhe u zhduk prapë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Itali

MË DATËN 28 qershor 1831 bregun perëndimor të ishullit mesdhetar të Sicilisë e goditi një tërmet i fuqishëm. Në det, një marinar i ndjeu lëkundjet dhe mendoi se anija kishte ndeshur një cekëtinë.

Për ditë të tëra më pas, ujërat pranë bregut të Sicilisë vazhduan të ishin të trazuara. Në sipërfaqe pluskonin peshq të ngordhur. Në ajër ndihej një erë e rëndë squfuri dhe në breg të detit uji nxirrte gurë vullkanikë të lehtë e porozë.

Më 10 korrik, kapiteni i anijes napoletane Terezina, Xhovani Korrao, po lundronte në detin Mesdhe kur pa një pamje që s’arrinte ta besonte dot: një shtyllë të madhe uji e tymi që ngrihej rreth 20 metra mbi nivelin e detit. Dëgjoi edhe «një zhurmë të fortë si të një bubullime».

Ferdinandi II i Mbretërisë së dy Sicilive urdhëroi që anija luftarake Etna të hetonte ngjarjen. Lajmi për këto ndodhi arriti edhe në Maltë, që atëherë ishte nën sundimin britanik. Që të mos ia kalonin të tjerët, sër Henri Hothami, zëvendësadmiral britanik në atë ishull, dërgoi po ashtu anije «për të përcaktuar pozicionin e saktë në harta dhe për të bërë çfarëdo vëzhgimesh të tjera për natyrën e kësaj dukurie».

Në këtë mënyrë nisi një debat që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

 Lind një ishull

Më 19 korrik 1831, në një zonë midis Sicilisë dhe bregut të Afrikës mund të shihej një ishull i ri, i cili kishte lindur nga shpërthimi i një vullkani të nënujshëm. Çarlz Suinbërni, komandant i anijes britanike Rapid, po i binte përqark cepit perëndimor të Sicilisë kur pa një shtyllë avulli ose tymi shumë të bardhë, e cila ishte e lartë dhe me forma jo të rregullta. Suinbërni e manovroi anijen drejt e aty. Teksa binte nata, mund të shiheshin shkëndija të shndritshme të përziera me tym, të cilat dalloheshin mirë edhe nën dritën e hënës. Në mes të asaj shtylle shpërthente herë pas here një zjarr me flakë shumë të ndritshme. Sapo agoi, kur tymi u shpërnda pak, ai mundi të shihte «një kodër të vogël me ngjyrë të errët që ngrihej disa metra mbi det».

Brenda një muaji ishulli u ngrit rreth 65 metra mbi ujë dhe kishte një perimetër rreth 3,5 kilometra. «Është e natyrshme që kjo ngjarje ka zgjuar emocione shumë të forta në ishujt përreth,​—thuhej në Malta Government Gazette,​—dhe shumë njerëz tashmë kanë shkuar për të parë këtë pamje.» Ndër ta ishte profesori Fridrih Hofman, gjeolog prusian, i cili qëlloi të ishte në Sicili në atë kohë për të bërë kërkime. Hofmani iu afrua deri në një kilometër ishullit dhe arriti ta shihte «shumë qartë». Megjithatë, duke pasur frikë nga ndonjë rrezik, Hofmani nuk pranoi të zbriste nga anija e të shkelte në ishull.

Kapiteni Hamfrej Senhaus nuk ishte kaq i kujdesshëm, kështu që më 2 gusht, sipas një raporti, zbriti në ishull dhe vendosi flamurin e Mbretërisë së Bashkuar. Ishullit i vuri emrin Graham, në nder të sër Xhejms Grahamit, i cili ishte lord i parë i Admiraliatit.

Universiteti i Katanias në Sicili ia besoi kërkimet për këtë ishull Karlo Xhemelaros, profesor i historisë së natyrës. Ky e quajti ishullin Ferdinandea, për nder të Ferdinandit II. Pa i bërë përshtypje lajmi për flamurin që tashmë qëndronte mbi ishull, Ferdinandi e shpalli zyrtarisht ishullin pjesë të mbretërisë së tij, ndonëse ishte jashtë ujërave territoriale të Sicilisë.

Të fundit në skenë ishin francezët. Gjeologu Konstant Prevost e quajti ishullin Julia, pasi ishte shfaqur në muajin korrik (Juillet). Edhe ai vendosi flamurin e vendit të tij mbi ishull. Siç shkroi më vonë, qëllimi i këtij veprimi ishte «t’i informonte të gjithë ata që do të vijnë më pas se Franca nuk e humbet asnjëherë rastin për të treguar interesin e saj për çështjet shkencore».

Debatet për pronësinë e ishullit u intensifikuan. Sipas një artikulli të kohëve të fundit në gazetën Times të Londrës, Britania, Italia dhe Franca ishin «në prag të luftës» për ato pak pëllëmbë tokë.

Zhdukja e ishullit

Debatet për ishullin, që edhe sot e kësaj dite quhet me emra të ndryshëm si Julia, Ferdinandea ose Graham, * zgjatën veçse pak kohë. «Ishulli po zhytet prapë në ujë ditë pas dite,​—shkroi Hofmani pasi kishte bërë një vizitë atje në shtator,​—dhe po të vazhdojë shembja që po shohim me sytë tanë, . . . stuhitë e këtij dimri do të mjaftojnë për ta zhdukur [ishullin] brenda pak muajsh.»

Deri në dhjetor ishulli ishte shembur në vetvete dhe gjithçka që kishte mbetur ishte një rrip toke i rrezikshëm disa metra nën ujë. «Gjithçka që mbeti nga ishulli Julia,​—shkroi vullkanologu italian Xhuzepe Merkali,​—ishin emrat e shumtë që i vunë udhëtarët nga kombe të ndryshme të cilët patën fatin të shihnin me sytë e tyre lindjen dhe zhdukjen e tij.»

Do të dalë përsëri?!

Me kaq mbaron kjo histori? Jo! Zona ku doli ishulli është ende aktive nga ana gjeologjike. Sipas historianit sicilian Salvatore Macarela, sot ky vend është «po aq i rëndësishëm nga ana strategjike sa ç’ishte në shekullin e 19-të». Disa gjeologë besojnë se ishulli do të dalë përsëri. Që tani po shtohen tensionet se kujt do t’i përkasë ishulli që akoma s’është rishfaqur.

Kështu, historia e ishullit që doli dhe u zhduk prapë është bërë një faqe tjetër e trishtueshme e historisë së sundimit njerëzor. Gazetari italian Filipo d’Arpa shprehet shumë mirë kur e quan këtë histori «një shembull që ilustron se sa qesharak është pushteti».

[Shënimi]

^ par. 16 Për ishullin u propozuan të paktën edhe katër emra të tjerë: Korrao, Hotham, Nerita dhe Shàka.

[Figura në faqen 26]

Një pikturë për shpërthimin e vitit 1831

[Burimi]

Copyright Peter Francis/The Open University