Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I mësuam Kristit të dojë Perëndinë

I mësuam Kristit të dojë Perëndinë

 I mësuam Kristit të dojë Perëndinë

VAJZA jonë, Kristi, lindi në vitin 1977. Pak kohë më vonë mjeku na dha një lajm tronditës. Kristi kishte lindur me probleme të rënda dëgjimi dhe me një formë të lehtë paralize cerebrale. Atëherë s’e kuptonim sa shumë do të na e ndryshonte jetën kjo.

Disa muaj më vonë, së bashku me tim shoq, Gerin, filluam të ndiqnim disa kurse të veçanta në qytetin e Melburnit, Australi, ku mësuam si të komunikonim me vajzën. Shkuam edhe në Laboratorin Kombëtar Akustik të Melburnit. Atje, Kristit, që atëherë ishte dhjetë muajshe, i vunë aparate të vogla dëgjimi. Mirëpo ajo s’i pëlqente fare ato dhe, meqë ishin të lidhura me fije të holla, i hiqte sapo ia vinim në vesh. Duhej të vinte edhe një pajisje për të mbajtur bateritë e aparateve që ishin goxha të rënda.

Për shkak të paralizës cerebrale Kristi mezi mësoi të ecte. Për t’ia dalë mbanë, bënte seanca javore me një fizioterapiste. Në moshën trevjeçare filloi të ecte vetë, edhe pse binte shumë herë. Fizioterapinë e vazhdoi deri sa mbushi pesë vjeçe. Ndërkohë ishim transferuar në qytetin Benalla që ishte aty afër, pasi aty Geri kishte punën e tij.

Arsimimi i Kristit

Një mësues për ata që s’dëgjojnë na tha se Kristi do të kishte nevojë për arsimim të veçantë. Kjo nënkuptonte një transferim tjetër, kësaj here në Bendigo, një qytet ku kishte shkollë për ata që s’dëgjojnë. Në atë kohë isha shtatzënë me fëmijën tonë të dytë, kështu që e shtymë transferimin derisa Kristi mbushi katër vjeç dhe djali që na kishte lindur, Skoti, pesë muajsh. Në një spital në Bendigo ajo filloi seancat e përjavshme të terapisë së të folurit, terapi që do të vazhdonte për dhjetë vjet rresht. Po ashtu, unë dhe Geri filluam të mësonim gjuhën e shenjave.

Meraku më i madh për ne ishte arsimimi frymor i Kristit. Unë dhe Geri jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe ishim të vendosur ta edukonim Kristin «në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait». (Efesianëve 6:4) Por si ta bënim këtë? Drejtori i shkollës ku shkonte Kristi na tha: «Koncepti më i vështirë për t’i mësuar Kristit do të jetë ai që ka të bëjë me Perëndinë. Perëndinë s’e shohim, pra si do t’ia shpjegoni?» Çfarë vështirësie të madhe që kishim përpara nesh! E mësuam shpejt se kjo do të kërkonte shumë kohë, studim dhe durim.

Në fillim përdornim figurat dhe skicat, si edhe flitnim me një gjuhë sa më të thjeshtë. E merrnim me vete në mbledhjet e krishtere dhe në veprën e predikimit, edhe pse nuk kuptonte shumë çfarë ndodhte. Kur Kristi filloi të zhdërvjelltësohej në gjuhën e shenjave, para saj u hap një botë krejt e re. Por, gjithsesi, kishte ende shumë fjalë, shprehje dhe koncepte në Bibël që e kishim të vështirë t’ia shpjegonim. Një nga librat e saj më të dashur ishte Libri im i tregimeve biblike, * i shkruar posaçërisht për fëmijët. Figurat plot ngjyra, si edhe disa skica që bënim ne, e ndihmuan shumë. Me kalimin e kohës në zemrën  e Kristit filloi të lindte dashuria për Perëndinë.

Me dashamirësi drejtori i shkollës së Kristit na lidhi me disa Dëshmitarë të tjerë që kishin fëmijë që s’dëgjonin. Një hap i madh përpara u bë kur ata na shpjeguan se si mund t’u predikojnë të tjerëve njerëzit që s’dëgjojnë. Një mënyrë është duke u dhënë një fletë të shtypur që përmban një mesazh biblik. Prandaj, kur Kristi ishte gati për të folur me të tjerët për të vërtetat biblike, s’e pati të vështirë ta bënte këtë. U bë lajmëtare e papagëzuar e lajmit të mirë në moshën 14-vjeçare dhe u pagëzua në vitin 1994, kur ishte 17 vjeçe.

Megjithatë, Kristit i nevojiteshin shoqëri të mira dhe e kishte të vështirë të lidhte miqësi me Dëshmitarët e tjerë që s’kishin probleme me dëgjimin. Prandaj, unë dhe Geri filluam të bënim kurse të gjuhës së shenjave për ata në kongregacion që donin të ndihmonin njerëzit që s’dëgjonin. Disa që ndoqën kursin tonë, më vonë gjetën punë si përkthyes për ata që s’dëgjojnë. Por më e rëndësishmja është se shumë veta që mësuan gjuhën e shenjave u kënaqën shumë duke komunikuar me Kristin. Tani ajo mund të nxirrte më shumë dobi nga mbledhjet dhe asambletë tona të krishtere. Edhe sot vazhdon ende të marrë pjesë gjallërisht në to. Kristi është shumë mirënjohëse për interesin e dashur që i kanë shfaqur vëllezërit e motrat.

Një ditë Kristi na shprehu dëshirën që të fillonte si pioniere e rregullt ose ungjillëzuese në kohë të plotë. Geri e ndihmoi që të merrte patentën për makinën dhe, pasi rregulluam disa gjëra të tjera, Kristi u emërua pioniere e rregullt në vitin 1995. Në vitin 2000, gjeti punë gjysmëditore në një shkollë fillore. Aty ndihmon fëmijët që s’dëgjojnë.

Tani Kristi, Geri, djali ynë Skoti dhe unë provojmë gëzim që shërbejmë si pionierë të rregullt. Kënaqemi shumë ngaqë kalojmë kohë duke u mësuar njerëzve për Perëndinë tonë, Jehovain.

‘Dëshirat e zemrës sonë’

Fakti që Kristi nuk dëgjon është një sfidë e vazhdueshme për të gjithë ne. Nganjëherë kur është në shërbimin e krishterë, Kristi nuk ka me vete asnjë që të përkthejë për të, asnjë me të cilin të shprehë mendimet dhe ndjenjat e saj. Ajo thotë: «Më duket sikur jetoj në një vend ku të gjithë flasin një gjuhë tjetër.» Megjithatë, kemi mësuar të përballojmë me sukses situatën e saj.

Na ngushëllojnë fjalët e Psalmit 37:4, ku thuhet: «Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.» Shpresa që ka Kristi është të dëgjojë muzikën dhe tingujt e natyrës dhe të flasë me zë me njerëzit e saj. Mezi e pres ditën kur Kristi do të mund të më dëgjojë zërin. Kemi besim se këto dëshira të zemrës sonë do të na plotësohen së shpejti, pikërisht ashtu siç premton Bibla.​—Isaia 35:5.​—Nga një bashkëpunëtore.

[Shënimi]

^ par. 8 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 14]

Kristi 14-muajshe, me botimin «Libri im i tregimeve biblike»

[Figura në faqen 15]

Kristi duke prezantuar lajmin e mirë me një fletë të shtypur

[Figura në faqen 15]

Skoti, Kristi, Geri dhe Hethër Forbzi sot