Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E palodhur si bleta Karniola

E palodhur si bleta Karniola

 E palodhur si bleta Karniola

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Slloveni

BLETËT njihen si punëtore të palodhura. Megjithatë një lloj i veçantë blete shquhet për këtë​—bleta Karniola. * Kjo bletë mjaltëse e ka marrë emrin nga rajoni i Karniolës, aty ku sot gjendet Sllovenia Perëndimore. Fillimisht kjo bletë gjendej vetëm në gadishullin e Ballkanit e deri në malet Karpate në veri. Por sot, falë popullaritetit që gëzojnë te bletërritësit, bletët Karniola janë bërë të famshme dhe janë përhapur në mbarë botën.

Pse është bërë kaq e famshme bleta Karniola? Përveçse prodhon me bollëk mjaltë të cilësisë së lartë dhe është shumë rezistente ndaj sëmundjeve dhe të ftohtit, bleta Karniola është e butë dhe nuk të sulmon. Ndonëse kanë prirjen për të lëvizur në grupe të mëdha​—një veçori që mund ta vështirësojë bletarinë e organizuar​—është arritur që kjo prirje të dobësohet nëpërmjet shumimit përzgjedhës. Por, përse bletët e Karniolës kanë fituar famën se janë më punëtore se bletët e zakonshme? Së pari, sepse në mëngjes ato largohen nga kosherja më herët se bletët e tjera. Prandaj kanë kohë që të sjellin në koshere më shumë nektar për të bërë mjaltin e mund ta sjellin atë nga largësi më të mëdha.

«Një popull bletërritësish»

Bletaria në Slloveni ka një histori të gjatë dhe interesante. Janez Gregori, një biolog slloven, arrin deri aty sa t’i përshkruajë bashkëkombësit e tij si «një popull bletërritësish». Dhe ç’është e vërteta, sllovenët njiheshin si specialistë për rritjen e bletëve që në shekullin e tetë të e.s. Që nga ajo kohë e deri në shekullin e 19-të, ata i bënin kosheret me trungje pemësh që ishin bosh nga brenda. Në disa rajone të Sllovenisë këto koshere njiheshin si korita ose lugje. Sidoqoftë, aty nga shekulli i 15-të, me shpikjen e sharrës, lugjet e  vjetra prej druri nisën t’i zëvendësonin me kosheret e bëra me dërrasa. Këtyre u thoshin me shaka truge, që do të thotë arkivol, sepse kishin një formë si të zgjatur.

Kërkesa e madhe për mjaltë dhe për dyllë blete ia rriti kaq shumë vlerën ekonomike bletarisë, saqë ajo tërhoqi vëmendjen e sundimtarëve të vendit. Ata ua dhanë vetëm disa njerëzve të privilegjuar të drejtën që të merreshin me rritjen e bletëve. Qeveritarët ishin shumë të interesuar për bletarinë dhe kjo vetëkuptohet, sepse dylli i bletëve nevojitej për të bërë qirinj, sidomos ata që përdoreshin në kisha e në manastire, dhe sepse mjalti ishte ëmbëlsuesi i vetëm në atë kohë. Në shekullin e 16-të, kur në mbjelljen e drithërave u përfshi edhe hikrra, e cila u bë një burim i ri ushqimi për bletët gjatë vjeshtës, prodhimi i mjaltit u rrit edhe më. S’kaloi shumë dhe Karniola filloi të eksportonte sasi të mëdha mjalti dhe dylli blete. Valvazori, studiues i shekullit të 17-të nga Karniola, tha se aty nga mesi i shekullit të 17-të, Karniola eksportonte «mijëra kuintalë» mjaltë çdo vit vetëm në rajonin e Salcburgut në Austri. *

Përhapet fama e bletës së Karniolës

Gjatë viteve, Karniola ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe në shkencën dhe në artin e bletarisë. Rreth vitit 1770, perandoresha Maria Tereza caktoi Anton Janshanë i cili vinte nga Karniola e Sipërme, si mësuesin e parë të bletarisë në shkollën e sapoformuar të bletarisë në Vjenë, Austri. Nga fundi i shekullit të 19-të, studiuesit e bletëve kuptuan se bletët e forta të Karniolës u përgjigjeshin nevojave të bletërritësve në shumë vende. Gjithashtu, pikërisht gjatë kësaj periudhe bleta Karniola mori këtë emër dhe filloi të shpërndahej përreth botës. Nga fillimi i shekullit të 20-të, tashmë Karniola eksportonte «vagonë të tërë plot me koshere» dhe çdo koshere kishte një familje bletësh Karniola.

Gjatë po kësaj periudhe, kosherja tradicionale me dërrasa mori emrin kranjiç ose «kosherja e Karniolës». Ajo që e bën veçanërisht interesante kranjiçin është mënyra e veçantë se si pikturohej pjesa e jashtme një herë e një kohë. (Shih kutinë «Pikturat nëpër koshere» në faqen 24.) Sot në Slloveni ka më shumë se 7.000 bletërritës që kujdesen për më shumë se 160.000 koshere. Në qytetin e Radovljicës ka edhe një muze të veçantë për bletarinë, i cili i është kushtuar historisë së bletarisë në Slloveni.

Një simbol popullor

Që prej shumë kohësh, sllovenët e kanë mbajtur bletën si simbol të punës së palodhur dhe të mençurisë praktike. Shoqëria e parë shkencore, e themeluar më 1693 në vendin që sot quhet Slloveni, quhej Shoqëria e Punëtorëve të Palodhur dhe në emblemën e saj kishte edhe bletën. Madje anëtarët e saj e quanin veten apes, që në latinisht do të thotë «bletë». Gjithashtu, meqë sllovenët e mbajnë bletën si simbol të nikoqirllëkut, ajo ka hyrë edhe në botën e financës. Figura e bletës shihet në librezat e kursimeve dhe në disa monedha sllovene.

Sllovenët e ndiejnë se ngjajnë me bletën, sepse edhe ata njihen si popull shumë punëtor. Në Slloveni ka një thënie: «Vëzhgoji bletët dhe imitoji.» Pra, sa herë të shihni bletët punëtore ose të provoni pak mjaltë, frytin e ëmbël të punës së tyre, mbase do t’ju kujtohen bletët e palodhura Karniola.

[Shënimet]

^ par. 3 Bleta Karniola ka përreth barkut shirita me qime shumë të holla ngjyrë gri.

^ par. 7 Një kuintal është i barabartë me 100 kilogramë ose 220 paund.

 [Kutia dhe figurat në faqen 24]

Pikturat nëpër koshere

Në një bletore tipike sllovene, kosheret vendosen së bashku si sirtarët në një komo të madhe dhe kanë doreza nga faqja ballore. Arti i pikturimit me bojëra vaji në dërrasat ballore të koshereve lulëzoi nga fillimi i shekullit të 18-të deri në shekullin e 20-të. Ndonëse janë ruajtur rreth 3.000 koshere të tilla, këto janë vetëm një pjesë e vogël e koshereve që u ndërtuan dhe u zbukuruan ndër vite.

Pikturat në dërrasa janë kryesisht me karakter fetar dhe paraqesin «shenjtorë» dhe tregime nga Bibla. Por pikturat paraqesin edhe figura kafshësh ose njerëz teksa punojnë në zanatin e tyre, si edhe një shumëllojshmëri skenash humoristike e të sajuara. Disa piktura kanë si subjekt lidhjet familjare. Për shembull, në disa prej tyre tregohen dy demonë që po përdorin një mokër mulliri për t’i mprehur gjuhën një gruaje që merret me thashetheme, kurse në të tjera tregohet një grua që po e nxjerr zvarrë të shoqin nga klubi.

Pikturat e koshereve janë vlerësuar si «perlat e trashëgimisë kulturore të Sllovenisë», si «një enciklopedi e thjeshtë e mençurisë popullore» dhe si «arti slloven mbase më origjinal». Por pikturat u bënë edhe për një qëllim praktik. Me gjithë ato koshere që ishin në të njëjtin vend, një bletë mund të bënte gabimin fatal që të hynte gabimisht në një koshere të huaj dhe të vritej si një armik i padëshiruar. Bletërritësit mendonin se vizatimet shumëngjyrëshe në faqet ballore të koshereve, secili i ndryshëm nga tjetri, i ndihmonin bletët të ktheheshin në kosheren e tyre.

[Figurat]

«Adami dhe Eva»

«Jozefin e shesin në Egjipt»

«Jezui arrin në Jerusalem»

Një bletore tipike sllovene me dërrasat tradicionale të pikturuara

[Burimi]

Të gjitha fotografitë nga bletoret: Z dovoljenjem upravitelja rojstne hiše pisatelja Josipa Jurčiča

[Harta në faqen 21]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

AUSTRI

ITALI

SLLOVENI

Karniolë

KROACI

DETI ADRIATIK

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 22]

Monedhë sllovene që ka figurën e bletës së famshme Karniola

 [Figura në faqen 23]

Bleta Karniola njihet si e butë dhe që nuk të sulmon

[Figura në faqen 23]

Larva

[Figura në faqen 23]

Bleta mbretëreshë e rrethuar nga bletë të reja punëtore

[Burimi]

Fotografi nga Janez Gregori