Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e kanë gjetur zgjidhjen reformatorët?

A e kanë gjetur zgjidhjen reformatorët?

 A e kanë gjetur zgjidhjen reformatorët?

MASHTRIMET në biznes, pabarazia në zbatimin e ligjit, padrejtësitë shoqërore, shërbimi i keq shëndetësor, arsimi jocilësor, zhvatjet në emër të fesë dhe shfrytëzimi pa kriter i mjedisit janë çështje që i bëjnë shumë prej nesh të psherëtijnë të zhgënjyer. Gjithashtu, këto janë çështje që i shtyjnë reformatorët të hidhen në veprim.

Reformatorë gjen pothuajse në çdo shoqëri. Ata nxitin bërjen e ndryshimeve sipas rregullave dhe sipas ligjit. Në përgjithësi nuk janë anarkistë ose revolucionarë, pasi shumica e tyre i përmbahen ligjit dhe nuk i drejtohen dhunës. Disa reformatorë kanë poste të rëndësishme në shoqëri dhe marrin iniciativën për të bërë ndryshime. Të tjerë përpiqen të ndikojnë te njerëzit që janë në pushtet dhe t’i nxitin ata që të bëjnë ndonjë veprim.

Reformatorët përpiqen ta shtyjnë shoqërinë që të rishikojë mënyrën se si i trajton ose i zgjidh probleme të caktuara. Ata nuk bëjnë vetëm protesta, por parashtrojnë edhe ide se si mund të përmirësohen gjërat. Që të drejtojnë vëmendjen te çështjet që i shqetësojnë, reformatorët mund t’u bëjnë thirrje masave, të protestojnë nëpër rrugë ose të bëjnë publicitet në media. Një ndër gjërat më të këqija që mund t’i ndodhin një reformatori është shpërfillja e shoqërisë.

Reformatorë në rrjedhën e historisë

Në rrjedhën e historisë ka pasur shumë reforma. Bibla na tregon se rreth 2.000 vjet më parë, një orator lavdëroi Feliksin, guvernatorin e provincës romake të Judesë, me këto fjalë: «Nëpërmjet largpamësisë sate në këtë komb po ndodhin reforma.» (Veprat 24:2) Gati 500 vjet para  Feliksit, një ligjvënës grek, Soloni, ia doli të bënte reforma për të përmirësuar kushtet e të varfërve. Në The Encyclopædia Britannica thuhet se Soloni «u dha fund situatave të mjerueshme të varfërisë» në Athinën e lashtë.

Historia e fesë është plot me reformatorë. Për shembull, Martin Luteri u përpoq të reformonte Kishën Katolike të Romës dhe nisma e tij ndihmoi në hapjen e rrugës për protestantizmin.

Deri ku shkojnë reformat?

Reformatorët mund të përpiqen edhe të ndryshojnë atë çka është e zakonshme dhe e përhapur. Disa reformatorë nxitin mënyra jetese krejtësisht të reja. Kështu ndodhi edhe në Gjermani në fillim të shekullit të 20-të me lëvizjen Lebensreform (reforma e mënyrës së jetesës). Me industrializimin në rritje të shoqërisë, shumë njerëzve u dukej se njeriu ishte kthyer në një makinë dhe se nuk vlerësohej më si individ. Reformatorët propozonin që njeriu t’i rikthehej një mënyre jetese të thjeshtë e sa më të lidhur me natyrën. Ata nxitnin mbajtjen e trupit në formë, veprimtaritë në natyrë, kurat natyrore dhe dietën vegjetariane.

Reformatorë të tjerë demaskojnë padrejtësitë dhe i bëjnë presion qeverisë që të ndreqë situatën. Që në fillim të viteve 70 të shekullit të 20-të, grupe ambientalistësh kanë protestuar kundër shfrytëzimit pa kriter dhe dëmtimit të mjedisit. Ndërkohë, disa nga këto grupe janë bërë organizata botërore. Ambientalistët jo vetëm që bëjnë demonstrata dhe protestojnë kundër rreziqeve që kërcënojnë mjedisin, por edhe japin sugjerime se si të rregullohet gjendja. Gjithashtu, ata kanë ndikuar në ndryshimin e ligjeve. Këtu përfshihen edhe ligjet për derdhjen e mbeturinave toksike në det dhe për gjuetinë e balenave.

Në vitet 60 të shekullit të 20-të, Këshilli i Dytë i Vatikanit filloi një reformë në Kishën Katolike të Romës. Gjithashtu, në vitet 90 të shekullit të 20-të, kishte të ashtuquajtur reformatorë që dolën nga gjiri i besimtarëve të thjeshtë të Kishës Katolike. Për shembull, ata sugjeruan të ndryshohej rregulli për beqarinë e detyruar. Në sajë të përpjekjeve të reformatorëve, brenda Kishës Anglikane ndodhi një ndryshim dhe kështu u lejua që edhe gratë të bëheshin priftëresha.

Nuk mirëpriten nga të gjithë

Disa reforma kanë sjellë ndryshime mjaft të dobishme. Për shembull, në Bibël flitet për shumë udhëheqës kombëtarë dhe për njerëz të tjerë që bënë reforma të vlefshme. Përpjekje të tilla sollën një rilindje frymore, ripërtëritje të jetës shoqërore dhe miratim hyjnor. (2 Mbretërve 22:3-20; 2 Kronikave 33:14-17; Nehemia, kapitujt 8 dhe 9) Në kohët tona, theksi më i madh që iu vu lirive themelore, të drejtave civile dhe të drejtave të njeriut ka ndihmuar mjaft për mbrojtjen e pakicave me një pozitë shoqërore të pafavorshme dhe të individëve të përndjekur.

Megjithatë, pasi bëhet ndonjë reformë, shpesh dalin të papritura. Xhon U. Gardneri, zyrtar i lartë që ka jetuar në shekullin e 20-të, tha: «Një nga gjërat paradoksale të historisë është se shumë shpesh reformatorët i gjykojnë gabim pasojat e reformave të tyre.» Le të shohim disa shembuj.

Duke nisur në fillim të viteve 80 të shekullit të 20-të, Komuniteti Evropian ndërmori disa reforma në bujqësi që kishin si qëllim krijimin e shqopishtave dhe të tokave për kullotë. Metodat e reja që u ndoqën në bujqësi bënë që në Gjermani dhe në Itali të ktheheshin në kullotë më shumë se 300.000 hektarë tokë bujqësore. Pavarësisht nga qëllimi i mirë, dolën dëme të paparashikuara. «Ndonëse fillimisht u mirëpritën si një mundësi për të rritur vlerat ekologjike të këtyre zonave,​—thoshte Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin,​—veprimet ‘për të lënë toka mënjanë’ mund të kenë edhe pasoja negative. Ato mund t’i bëjnë njerëzit që të heqin dorë nga sistemet tradicionale të bujqësisë dhe të përdorin metoda të gabuara pyllëzimi.»

Lidhur me përpjekjet për të ndihmuar të varfrit, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë tha: «Të gjitha përpjekjet që bëhen në  dobi të të varfërve nëpërmjet reformave institucionale ndeshen me një problem të madh. Zakonisht institucionet krijohen dhe punojnë për interesat e njerëzve me pushtet. . . . ‘Njerëzit e mëdhenj’ kanë prirjen për t’i drejtuar institucionet vendëse sipas interesit të tyre.»

Një shembull tjetër është lëvizja feministe e cila ndryshoi jetën e grave në botën perëndimore, duke u dhënë atyre të drejta të tilla, si e drejta e votës, më shumë mundësi për të vazhduar arsimin e lartë dhe për të bërë karrierë. Mirëpo edhe disa përkrahës të emancipimit të gruas e pranojnë se lëvizja feministe zgjidhi disa probleme, por rëndoi probleme të tjera. Shkrimtarja Suzan van Skojok pyeti: «A ua kemi përmirësuar vërtet jetën grave apo ndoshta duke kërkuar që ato të jenë të barabarta me burrat në vendin e punës, ndërkohë që nuk u lehtësohet aspak barra në shtëpi, ua kemi bërë jetën skëterrë?»

Reforma «pa dhëmbë»

Disa reformatorë janë akuzuar se i kërkojnë reformat thjesht se u pëlqejnë ndryshimet. Duke përshkruar atë që quhet reformë pa dhëmbë, Fredrik Hesi, i cili ka studiuar reformat në arsim, tha: «Arsyeja se përse dështojnë përpjekjet e mëdha për të bërë reformë qëndron në natyrën e vetë procesit të reformës. Në vend që t’i zgjidhin problemet, këto përpjekje janë kthyer në shpërqendrime joshëse që në të vërtetë i kanë thelluar» problemet që pritej të zgjidhnin. Ai vazhdon: «Meqë çdo regjim ka prirjen të nisë reforma të reja, në pak vjet, i gjithë procesi fillon nga e para.»

Përveç kësaj, reformat mund të përdoren së fundi për të çuar përpara një kauzë të ndryshme, e ndonjëherë të dëmshme. Lëvizja Lebensreform në Gjermani ndihmoi në zhvillimin e teorisë së eugjenetikës, pra të studimit për përmirësimin e racës njerëzore duke zgjedhur prindër që do të japin pasardhës më të fortë. Megjithatë ekstremistët e keqpërdorën këtë njohuri për të mbështetur nazistët në luftën e tyre ideologjike për të krijuar një racë superiore.

Madje ka raste kur edhe përkrahësit e zjarrtë të reformave janë të pakënaqur me rezultatet e tyre. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, tha me keqardhje: «Mendoj se gjëja më zhgënjyese është që të gjithë e dimë se çfarë nuk shkon dhe se çfarë duhet bërë, por shpesh nuk mundemi të veprojmë. Ndonjëherë një sekretariat i drejtuar nga sekretari i përgjithshëm merr urdhër të bëjë diçka për problemin, por nuk i ka fondet që i nevojiten për të zbatuar vendimet. Ka raste kur ndodhin gjëra të pabesueshme dhe duam të zgjojmë ndërgjegjen e botës, por askush nuk dëshiron të bëjë diçka për shkak të përvojave të hidhura të së kaluarës.»

 Reformatorët nuk mund të shpresojnë të fitojnë popullaritet, sepse duke e drejtuar vëmendjen e publikut te synimet e tyre, u krijojnë probleme të tjerëve. «Reformatorët kanë qenë gjithnjë një gjemb në mish»,​—tha Jyrgen Roileke, profesor i historisë së kohës së sotme dhe specialist në fushën e studimit të reformatorëve, fjalët e të cilit u cituan në gazetën Die Zeit. Për më tepër, ndonëse shumica e reformatorëve i përmbahen ligjit dhe nuk i drejtohen dhunës, disave iu soset durimi kur progresi është i ngadaltë. Në rrethana të tilla, nga një lëvizje reformatore mund të dalin militantë që i shkelin kufijtë e ligjit.

 A kanë arritur reformat me shtrirje të gjerë të viteve të fundit t’i bëjnë njerëzit në përgjithësi më të kënaqur? Me sa duket jo. Për shembull, në Gjermani, anketat tregojnë se gjatë afro 35 vjetëve të fundit, në thelb, njerëzit nuk janë bërë më të kënaqur. Ç’mund të themi për fenë? A kanë arritur reformat fetare të bëjnë për vete më shumë besimtarë? A janë më të kënaqur me fenë besimtarët? Jo, siç tregohet nga fakti që bota Perëndimore po bëhet gjithnjë e më jofetare dhe njerëzit po interesohen gjithnjë e më pak për fetë tradicionale.

A ishte Jezu Krishti reformator?

Disa mund të thonë se Jezu Krishti ishte reformator. A është e vërtetë kjo? Kjo pyetje është e rëndësishme për këdo që dëshiron të jetë vërtet shërbëtor i Perëndisë, pasi për të qenë i tillë ai duhet të ndjekë me kujdes gjurmët e Krishtit.​—1 Pjetrit 2:21.

Nuk ka dyshim se Jezui ishte i zoti të bënte reforma. Meqë ishte njeri i përsosur, ai mund të kishte çarë shtigje të reja, duke bërë ndryshime rrënjësore e duke shpikur metoda të reja. Megjithatë Krishti nuk ndërmori ndonjë fushatë për ta çliruar botën nga zyrtarët e korruptuar ose nga tregtarët e pandershëm. Nuk udhëhoqi protesta nëpër rrugë kundër padrejtësive, ndonëse edhe vetë ai do të bëhej viktimë e pafajshme e një padrejtësie flagrante. Ndonjëherë Jezui nuk kishte ‘ku të mbështeste kokën’. Por nuk organizoi ndonjë grup për t’u bërë presion autoriteteve që të kujdeseshin për nevojat e të pastrehëve. «Të varfrit i keni gjithmonë me vete»,​—shpjegoi ai kur disa u shqetësuan për paratë. Jezui qëndroi asnjanës në konfliktet e botës.​—Mateu 8:20; 20:28; 26:11; Luka 12:13, 14; Gjoni 6:14, 15; 18:36.

Sigurisht, Krishti nuk ishte i pandjeshëm ndaj problemeve të tilla, si varfëria, korrupsioni dhe padrejtësitë. Bibla tregon se ai ndiente keqardhje të thellë për gjendjen e mjerë të njerëzimit. (Marku 1: 40, 41; 6:33, 34; 8:1, 2; Luka 7:13) Por ajo që ofroi Jezui ishte një zgjidhje e pashoqe. Ajo që kishte ndër mend Krishti nuk ishte një reformë të thjeshtë, por një ndryshim i plotë në mënyrën e qeverisjes së çështjeve të njerëzimit. Këtë ndryshim do ta bëjë Mbretëria qiellore e organizuar nga Krijuesi i njerëzimit, Perëndia Jehova, dhe e drejtuar nga Jezu Krishti si Mbret. Kjo çështje do të trajtohet në artikullin vijues.

[Diçitura në faqen 6]

«Një nga gjërat paradoksale të historisë është se shumë shpesh reformatorët i gjykojnë gabim pasojat e reformave të tyre.»​—Xhon U. Gardner

[Diçitura në faqen 7]

«Mendoj se gjëja më zhgënjyese është që të gjithë e dimë se çfarë nuk shkon dhe se çfarë duhet bërë, por shpesh nuk mundemi të veprojmë.»​—Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

«Për të mbrojtur mjedisin vura jetën në rrezik»

Hansi punoi si marinar për 48 vjet. Gjatë kësaj periudhe, më shumë se 35 vjet ishte kapiten anijeje. Nga fundi i karrierës, u bë kapiteni i një anijeje që përdorej nga një organizatë ambientaliste. Ai thotë:

«Gjithnjë kam besuar se njerëzit duhet të kenë respekt për mjedisin dhe të tregojnë vlerësim për natyrën. Prandaj, kur m’u dha mundësia për të drejtuar anijen e një grupi ambientalistësh, pranova menjëherë. Detyra jonë ishte t’u bënim të qartë njerëzve rreziqet që i kanoseshin mjedisit. Kur planifikuam një fushatë në det, përfshimë edhe median për të tërhequr vëmendjen e publikut. Nisëm lundrimin dhe u përpoqëm të ndalnim derdhjen e mbeturinave radioaktive dhe të lëndëve helmuese. Në një fushatë tjetër, u përpoqëm të ndalonim masakrën e fokave dhe të të vegjëlve të tyre.

Kjo nuk ishte një punë për frikacakët. Për të mbrojtur mjedisin vura jetën time në rrezik. Gjatë një proteste, u lidha me pranga në spirancën e një anijeje dhe përfundova bashkë me të në fund të detit. Një herë tjetër, po udhëtonim me motoskaf pranë një anijeje të madhe. Dikush na hodhi një fuçi të rëndë metalike në motoskaf dhe ai u përmbys. U plagosa rëndë.»

Si përfundim, Hansi e kuptoi që pavarësisht se qëllimet e organizatës ishin të mira dhe pavarësisht se ai po rrezikonte jetën, kishte shumë pak mundësi që këto përpjekje t’i sillnin mjedisit dobi afatgjata. (Predikuesi 1:9) Pasi u shkëput nga grupi i ambientalistëve, s’kaloi shumë kohë dhe ai filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait e më pas u pagëzua si Dëshmitar. Sot shërben në kohë të plotë. «Bibla më ndihmoi të kuptoja se e vetmja shpresë e vërtetë, kur mjedisit do t’i kushtohet kujdesi i duhur, është Mbretëria Mesianike e Perëndisë.»

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Ajo luftoi për reformë

Sara (nuk është emri i saj i vërtetë) lindi në Azi në mesin e viteve 60 të shekullit të 20-të. Ajo ishte adoleshente kur një revolucion në vendin e saj solli në pushtet një regjim të ri, i cili premtoi se do të bënte reforma shoqërore dhe politike. Fillimisht, shtetasit në vendin e saj ishin të kënaqur për ndryshimet, por brenda një viti qeveria e re filloi të përndiqte kundërshtarët, ashtu siç kishte bërë edhe qeveria e mëparshme. Shumë njerëz u zhgënjyen dhe Sara u përfshi në një grup opozitar kundër qeverisë së re. Ajo shpjegon:

«Grupi ynë organizonte mbledhje dhe bënte protesta publike. Kur më arrestuan milicët, po ngjitja afishe e po shpërndaja fletushka nëpër rrugët e kryeqytetit. Pas ca kohësh më liruan. Por të tjerë nga grupi ynë nuk ia hodhën kaq lehtë. Dy nga shoqet e mia i arrestuan dhe i vranë. E kisha kokën në rrezik, prandaj babai më nxiti të largohesha nga vendi.»

Kur arriti në Evropë, Sara studioi Biblën dhe u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait. Sot ajo shërben në kohë të plotë. Ndërsa sjell ndër mend të kaluarën, Sara thotë:

«Ajo që dëshiroja me zjarr ishte drejtësia dhe një zgjidhje për problemet tona shoqërore. Pashë se qeveria e re në vendin tonë si fillim kishte po këto synime, por u bë kaq ekstremiste, saqë i harroi synimet dhe filloi të shtypte popullin. Gjithashtu kuptova se grupi i protestuesve ku bëja pjesë nuk dinte si t’i zgjidhte vështirësitë e vendit tonë. (Psalmi 146:3, 4) Tani e kuptoj se zgjidhja e të gjitha problemeve të njerëzimit është Mbretëria Mesianike e Perëndisë.»

[Figura në faqen 7]

Rënia e Murit të Berlinit më 1989

[Figura në faqen 8]

A kanë arritur reformat fetare të bëjnë për vete më shumë besimtarë?

[Burimi i figurës në faqen 5]

Sipër djathtas: Fotografi nga Agjencia e Informacionit të SHBA-së

[Burimet e figurave në faqen 7]

Kofi Anan: Fotografi UN/DPI nga Evan Schneider (Shkurt 97); në sfond: WHO/OXFAM