Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur jeton me çrregullimet e humorit

Kur jeton me çrregullimet e humorit

 Kur jeton me çrregullimet e humorit

ÇRREGULLIMET e humorit janë shumë të përhapura. Për shembull, është llogaritur se në mbarë botën, më shumë se 330 milionë njerëz vuajnë nga depresioni i rëndë, një gjendje që karakterizohet nga trishtimi mbytës dhe humbja e kënaqësisë në veprimtaritë e përditshme. Sipas llogaritjeve, brenda 20 vjetësh depresioni do të zërë vendin e dytë në listën e sëmundjeve më të përhapura, menjëherë pas sëmundjeve kardiovaskulare. Pra, nuk është çudi që disa njerëz thonë se ndër sëmundjet mendore, depresioni është po kaq i përhapur sa ç’është edhe rrufa.

Vitet e fundit i është kushtuar më shumë vëmendje edhe çrregullimit bipolar. Ndër simptomat e kësaj sëmundjeje vihen re luhatje të mëdha të humorit, të cilat kalojnë nga depresioni në mani. «Gjatë fazës depresive,​—thuhet në një libër të botuar kohët e fundit nga Shoqata e Mjekëve Amerikanë,​—mund të të mundojë mendimi i vetëvrasjes. Gjatë fazës së manisë, mund të humbësh gjykimin dhe të mos jesh në gjendje të kuptosh pasojat e veprimeve të tua.»

Mendohet se çrregullimi bipolar prek 2 për qind të popullsisë në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se vetëm në këtë vend, ka miliona veta që vuajnë nga ky çrregullim. Gjithsesi, shifrat e ftohta nuk e përshkruajnë dot se sa sfilitëse është të jetosh me një çrregullim të humorit.

Depresioni​—Një trishtim mbytës

Shumica nga ne e dinë se si ndihesh kur të pushton një dallgë trishtimi. Me kalimin e kohës​—ndoshta brenda disa orësh ose disa ditësh​—kjo ndjenjë fashitet. Kurse depresioni është shumë më i rëndë. Në ç’kuptim? «Njerëzit që nuk janë me depresion e dinë se ulje-ngritjet e humorit e kanë një fund,​—shpjegon dr. Miç Golanti.​—Por atë që vuan nga depresioni, ulje-ngritjet dhe ndryshimet e shpeshta të ndjenjave e bëjnë të ndihet sikur ka hipur në një tren që ka dalë jashtë kontrollit. Ai nuk e di se si ose kur, madje edhe nëse do të zbresë ndonjëherë nga ky tren.»

Depresioni mund të shfaqet në shumë forma. Për shembull, disa njerëz vuajnë nga ai që quhet çrregullimi emocional stinor i cili shfaqet gjatë një periudhe të caktuar të vitit, zakonisht në dimër. «Njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim thonë se sa më në veri të jetojnë dhe sa më shumë të vrenjtet moti, aq më shumë u rëndohet depresioni,​—thuhet në një libër të botuar nga People’s Medical Society.​—Ndonëse këtë çrregullim e lidhin kryesisht me ditët e zymta të dimrit, në disa raste e lidhin edhe me ambientin e errët e të mbyllur në vendin e punës, me periudhat e vrenjtura që nuk janë normale për stinën dhe me problemet e shikimit.»

Nga se shkaktohet depresioni? Përgjigja nuk është e qartë. Ndërkohë që në disa raste duket që  ka lidhje me trashëgiminë gjenetike, në shumicën e rasteve me sa duket përvojat e jetës luajnë një rol të rëndësishëm. Gjithashtu është vënë re se numri i grave me këtë diagnozë është dy herë më i madh se numri i burrave. * Por kjo nuk do të thotë se burrat nuk preken nga depresioni. Përkundrazi, është llogaritur se 5 deri në 12 për qind e burrave do të sëmuren me depresion gjatë jetës.

Ky lloj depresioni të prek të gjithë qenien dhe ndikon pothuajse në çdo fushë të jetës. Shila, e cila vuan nga depresioni, thotë se ai «të prek deri në palcë, duke të gërryer besimin, vlerësimin për veten, aftësinë për të menduar qartë e për të marrë vendime, dhe pastaj kur arrin thellë-thellë, të mbërthen fort, sa për të provuar se sa do të durosh».

 Ka raste kur ai që vuan nga depresioni mund të ndihet shumë i çliruar po t’i hapet një njeriu që e kupton. (Jobi 10:1) Megjithatë, duhet pranuar që në qoftë se depresioni është shkaktuar nga faktorë biokimikë, nuk mund ta largosh me vullnetin tënd vetëm duke pasur një pikëpamje optimiste. Po, në raste të tilla, dëshpërimi që shoqëron këtë sëmundje është jashtë kontrollit të atij që vuan. Për më tepër, edhe personi vetë mund të jetë po kaq i hutuar nga kjo gjendje sa edhe familjarët e miqtë.

Le të marrim rastin e Paulës, * një e krishterë. Para se ta diagnostikonin me depresion ajo kaloi periudha ligështuese me një trishtim të thellë. «Ndonjëherë, pas mbledhjeve të krishtere,​—thotë ajo,​—vrapoja me një frymë drejt e te makina dhe qaja pa ndonjë shkak. S’di se si por ndieja një vetmi dhe hidhërim që më merrte frymën. Ndonëse shihej qartë se kisha shumë miq që kujdeseshin për mua, nuk arrija ta dalloja këtë.»

Diçka e ngjashme i ndodhi Elenës, së cilës iu desh të shtrohej në spital nga depresioni. «Kam dy djem, dy nuse të dashura dhe burrin, dhe e di fare mirë se që të gjithë ata më duan shumë»,​—thotë ajo. Me sa duket, logjika i thotë Elenës se jeta është e bukur dhe për familjarët e saj është njeri i shtrenjtë. Por, kur një njeri po lufton me depresionin, mund ta pushtojnë mendime të errëta, sado të pabazuara qofshin.

Nuk duhet kaluar pa u vënë re edhe ndikimi i madh që mund të ketë depresioni i një njeriu te familjarët e tjerë. «Kur një njeri që e do, vuan nga depresioni,​—shkruan dr. Golanti,​—mund të jetosh me një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie, ngaqë nuk e di kurrë me siguri se kur njeriu yt i dashur do të ngrihet nga një gjendje depresive ose kur do të bjerë sërish. Mund të provosh një humbje të thellë, madje të ndihesh i brengosur dhe i zemëruar, që jeta e ka ndryshuar rrjedhën e saj normale, ndoshta përgjithmonë.»

Shpesh fëmijët arrijnë ta dallojnë që një prind është me depresion. «Fëmija që e ka nënën me depresion bëhet shumë i ndjeshëm ndaj gjendjes së saj emocionale, duke vëzhguar me kujdes për të kapur edhe ndryshimin më të vogël të humorit»,​—shkruan dr Golanti. Dr. Kerol Uotkinsi thotë se fëmijët që kanë një prind me depresion ka «më shumë të ngjarë të kenë probleme të sjelljes, vështirësi për të mësuar dhe probleme me bashkëmoshatarët. Gjithashtu, janë më të prirur që të bëhen edhe vetë me depresion».

Çrregullimi bipolar​—vazhdimisht i paqëndrueshëm

Depresioni është me të vërtetë një gjendje e vështirë. Por kur këtij problemi i shtohet edhe mania, rezultati është çrregullimi bipolar. * «E vetmja gjë e qëndrueshme e çrregullimit bipolar është paqëndrueshmëria e tij»,​—thotë Luçia, e cila vuan nga ky çrregullim. Sipas The Harvard Mental Health Letter, gjatë fazës së manisë, pacientët me çrregullim bipolar «mund të jenë tepër të bezdisshëm dhe autoritarë. Euforia e tyre, që i bën moskokëçarës dhe s’i lë të rrinë në një vend, papritur mund të kthehet në acarim ose tërbim».

Lenora kujton se sa e gjallë ndihej në fazën e manisë. «Gati sa nuk shpërtheja nga energjitë,​—thotë ajo.​—Shumë më thoshin se kisha aftësi mbinjerëzore. Njerëzit thoshin: ‘Ah sa do të doja të isha si ty.’ Shpesh ndihesha shumë e fuqishme, saqë më dukej sikur mund të bëja çdo gjë. Veproja me vrull. Isha aktive edhe pse bëja fare pak gjumë, dy ose tri orë çdo natë. Prapëseprapë zgjohesha me të njëjtin dinamizëm.»

Por s’kaloi shumë dhe një re e zezë filloi ta mbulonte Lenorën. «Në kulmin e euforisë,​—thotë ajo,​—ndieja një acarim që më buronte thellë nga përbrenda. Më dukej sikur kisha një motor që punonte me shpejtësi dhe nuk mund të fikej. Sa hap e mbyll sytë, kaloja nga një gjendje shpirtërore e hareshme në një gjendje agresive  dhe shkatërruese. Pa asnjë shkak i shkarkohesha me të bërtitura ndonjërit nga familja. Isha e tërbuar, plot urrejtje dhe s’e kontrolloja dot fare veten. Pas kësaj gjendjeje të frikshme, papritur ndihesha e rraskapitur, më vinte për të qarë dhe isha jashtë mase e dëshpëruar. Ndihesha pa vlerë dhe e keqe. Pastaj, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndodhte që të më kthehej përsëri po ajo gjendje gazmore e çuditshme.»

Sjellja e paparashikueshme që shkakton çrregullimi bipolar u sjell pështjellim familjarëve. Meri, burri i së cilës vuan nga çrregullimi bipolar, thotë: «Nganjëherë çorientohem kur e shoh tim shoq të lumtur e që flet pa pushim dhe pastaj papritur të dëshpërohet dhe të veçohet. Është vërtet një luftë për ne të pranojmë se ai nuk mund ta kontrollojë këtë gjendje.»

Si për ironi, çrregullimi bipolar shpesh është po kaq pikëllues edhe për vetë personin që e ka, në mos më shumë. «I kam zili njerëzit që në jetën e tyre kanë ekuilibër dhe qëndrueshmëri emocionale,​—thotë një paciente me emrin Gloria.​—Qëndrueshmëria emocionale është një vend që njerëzit me çrregullim bipolar vetëm sa e vizitojnë. Por asnjëri prej nesh nuk jeton atje.»

Mirëpo, nga se shkaktohet çrregullimi bipolar? Një nga faktorët mund të jetë ai gjenetik, i cili te ky çrregullim ndikon më shumë sesa në rastin e depresionit. «Në bazë të disa studimeve shkencore,​—thotë Shoqata e Mjekëve Amerikanë,​—pjesëtarët e rrethit të ngushtë familjar (prindërit, motrat, vëllezërit ose fëmijët) të njerëzve me depresion bipolar rrezikojnë të preken nga kjo sëmundje 8 deri në 18 herë më shumë sesa familjarët e ngushtë të njerëzve të shëndetshëm. Gjithashtu, po të kesh një pjesëtar nga rrethi i ngushtë familjar me depresion bipolar, mund të rrezikohesh më shumë nga depresioni i rëndë.»

Ndryshe nga depresioni, me sa duket çrregullimi bipolar prek njësoj si burrat edhe gratë. Në shumicën e rasteve, ai fillon në vitet e para të moshës së rritur, por raste të çrregullimit bipolar janë diagnostikuar edhe te adoleshentët, e madje edhe te fëmijët. Megjithatë, analiza e simptomave dhe nxjerrja e një përfundimi të saktë mund të jetë shumë e vështirë edhe për mjekun specialist. «Çrregullimi bipolar është kameleoni i çrregullimeve psikike, pasi simptomat e tij ndryshojnë nga njëri pacient te tjetri, e madje edhe tek i njëjti pacient, simptomat ndryshojnë nga njëra periudhë e shfaqjes së sëmundjes në tjetrën»,​—shkruan dr. Fransis Mark Mondimori që punon në fakultetin e mjekësisë në universitetin «Xhons Hopkins». «Është një fantazmë që vjen tinëzisht te viktima, e maskuar me pelerinën e zezë të trishtimit. Pastaj zhduket për vite, vetëm për t’u kthyer sërish e veshur me mantelin e ndritshëm, por edhe të zjarrtë të manisë.»

Pra është e qartë se çrregullimet e humorit mezi diagnostikohen, por është edhe më e vështirë të jetosh me këto çrregullime. Sidoqoftë, për ata që vuajnë ka shpresë.

[Shënimet]

^ par. 8 Pjesërisht, kjo mund të vijë për shkak të prirjes për t’u prekur nga depresioni i paslindjes, si edhe nga ndryshimet hormonale gjatë menopauzës. Një arsye tjetër mund të jetë se gratë zakonisht janë më të prirura për të kërkuar ndihmë mjekësore dhe prandaj u përcaktohet diagnoza e sëmundjes.

^ par. 11 Në këtë seri artikujsh disa emra janë ndryshuar.

^ par. 16 Mjekët thonë se çdo ndryshim i humorit në këtë rast shpesh vazhdon për shumë muaj. Megjithatë, ata vërejnë se «njerëzit që u përsëritet më shpejt cikli» kalojnë nga depresioni në mani disa herë në vit. Rrallëherë ndodh që personi të kalojë nga njëri ekstrem në tjetrin brenda 24 orëve.

[Diçitura në faqen 6]

«Qëndrueshmëria emocionale është një vend që njerëzit me çrregullim bipolar vetëm sa e vizitojnë. Por asnjëri prej nesh nuk jeton atje.»​—GLORIA

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Simptoma të depresionit të rëndë *

● Një gjendje trishtimi për pjesën më të madhe të ditës, gati çdo ditë, për të paktën dy javë

● Nuk të interesojnë më veprimtaritë që më parë të pëlqenin

● Shtim ose rënie e madhe në peshë

● Fle tepër ose e kundërta, pagjumësi kronike

● Lëvizjet e vullnetshme bëhen më të shpejta se normalisht ose më të ngadalta

● Ndihesh tepër i rraskapitur pa ndonjë shkak të dukshëm

● Ndjenja pavlefshmërie dhe/ose ndjenja faji të papërshtatshme

● Bie aftësia për t’u përqendruar

● Mendime të vazhdueshme për t’i dhënë fund jetës

Disa nga këto simptoma mund të jenë edhe shenja të distimisë​—një depresion i lehtë, por më kronik

[Shënimi]

^ par. 31 Kjo listë është paraqitur për të dhënë një ide të përgjithshme dhe jo si bazë për të përcaktuar vetë një diagnozë. Gjithashtu, disa nga simptomat, të marra veç e veç mund të jenë simptoma të problemeve të tjera shëndetësore, përveç depresionit.