Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 111

Një djalë që e zuri gjumi

Një djalë që e zuri gjumi

OBOBO! Çfarë po ndodh këtu? A është vrarë shumë ai djali që është shtrirë në tokë? Shiko, njëri nga burrat që po del nga shtëpia është Pavli! A e dallon edhe Timoteun aty? Po ai djali, mos ka rënë nga dritarja?

Po, pikërisht kështu ndodhi. Pavli po u mbante një fjalim dishepujve këtu në Troadë. E dinte se nuk do t’i shihte më për një kohë të gjatë, sepse duhej të largohej me anije të nesërmen. Prandaj e vazhdoi fjalimin deri në mesnatë.

Mirëpo, ky djalë i quajtur Eutik ishte ulur te dritarja. E zuri gjumi dhe ra nga kati i tretë! Prandaj mund ta kuptosh pse duken kaq të shqetësuar njerëzit. Kur burrat shkojnë të ngrenë djalin, e gjejnë të vdekur, pikërisht siç kishin pasur frikë!

Kur Pavli sheh që djali ka vdekur, shkon pranë tij dhe e përqafon. Pastaj thotë: ‘Mos u shqetësoni. Ai është mirë!’ Dhe me të vërtetë ashtu është! Është një mrekulli! Pavli e ka kthyer në jetë! Një valë gëzimi përfshin turmën.

Të gjithë shkojnë prapë sipër, për të ngrënë. Pavli vazhdon të flasë deri në agim. Por sigurisht që Eutikun nuk e zë prapë gjumi! Pastaj Pavli, Timoteu dhe ata që udhëtojnë me ta, hipin në anije. A e di ku po shkojnë?

Pavli sapo ka mbaruar udhëtimin e tretë të predikimit dhe po shkon në shtëpi. Në këtë udhëtim, Pavli ka qëndruar tre vjet vetëm në qytetin e Efesit. Pra, ky udhëtim i tij është më i gjatë se i dyti.

Pasi largohet nga Troada, anija ndalon në Milet për pak kohë. Meqë Efesi është vetëm pak kilometra larg, Pavli dërgon që të thërrasin pleqtë e kongregacionit atje që të vijnë në Milet, ku mund t’u flasë për herë të fundit. Pas kësaj, kur vjen koha që anija duhet të niset, ata trishtohen shumë që Pavli po largohet.

Së fundi, anija kthehet në Cezare. Ndërsa Pavli qëndron këtu në shtëpinë e dishepullit Filip, profeti Agab e paralajmëron. Ai thotë se, kur Pavli të shkojë në Jerusalem, do ta futin në burg. Dhe pikërisht kështu ndodh. Më vonë, pasi kishte qenë dy vjet në burg në Cezare, Pavlin e dërgojnë në Romë për t’u gjykuar para qeveritarit romak, Cezarit. Le të shohim se çfarë ndodh gjatë udhëtimit për në Romë.