Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 102

Jezui është gjallë

Jezui është gjallë

A E DI kush është kjo grua dhe këta burra? Gruaja është Maria Magdalena, një shoqe e Jezuit. Kurse burrat me rroba të bardha janë engjëj. Kjo dhomë e vogël ku po hyn Maria është vendi ku vunë trupin e Jezuit pasi vdiq. Ishte një lloj varri. Por tani trupi nuk është më! Kush e mori? Le të shohim.

Pasi vdes Jezui, priftërinjtë i thonë Pilatit: ‘Kur Jezui ishte gjallë, tha se do të ringjallej pas tri ditësh. Prandaj, jep urdhër që varri të ruhet me roja. Kështu dishepujt e tij nuk do ta vjedhin dot trupin dhe të thonë se ai u ringjall!’ Pilati u thotë priftërinjve që të dërgojnë ushtarë për të ruajtur varrin.

Por, ditën e tretë pas vdekjes së Jezuit, herët në mëngjes, vjen papritur një engjëll i Jehovait. Ai e rrokullis gurin që mbyllte grykën e varrit. Ushtarët janë kaq të frikësuar, sa nuk mund të lëvizin. Më në fund, kur shohin brenda varrit, trupi nuk është më! Disa nga ushtarët shkojnë në qytet dhe u thonë priftërinjve. A e di çfarë bëjnë priftërinjtë e këqij? Ata i paguajnë ushtarët që të gënjejnë. ‘Thoni që dishepujt e tij erdhën natën, kur ne po flinim, dhe e vodhën trupin’,—u thonë priftërinjtë ushtarëve.

Ndërkohë, disa gra që ishin shoqe të Jezuit, shkojnë për të parë varrin. Sa habiten ato kur e gjejnë bosh! Papritur, shfaqen dy engjëj me rroba të bardha të shndritshme. ‘Pse e kërkoni Jezuin këtu?—pyesin ata.—Ai është ringjallur. Shkoni shpejt dhe u thoni dishepujve të tij.’ Sa shpejt vrapojnë gratë! Por një njeri i ndalon ato në rrugë. A e di kush është? Është Jezui! ‘Shkoni e u thoni dishepujve të mi’,—thotë ai.

Kur gratë u thonë dishepujve se Jezui është gjallë dhe se ato e kanë parë, këta e kanë të vështirë të besojnë. Pjetri dhe Gjoni vrapojnë te varri për ta parë vetë, por varri është bosh! Kur Pjetri dhe Gjoni largohen, Maria Magdalena qëndron prapa. Në këtë kohë ajo sheh dy engjëjt.

A e di çfarë ndodhi me trupin e Jezuit? Perëndia bëri që ai të zhdukej. Perëndia nuk e ngriti Jezuin në jetë me të njëjtin trup fizik me të cilin vdiq. Ai i dha Jezuit një trup të ri frymor, siç e kanë edhe engjëjt në qiell. Por, për t’u treguar dishepujve të tij se është gjallë, Jezui mund të marrë një trup që njerëzit ta shohin, si do të mësojmë më vonë.