Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 92

Jezui ringjall të vdekurit

Jezui ringjall të vdekurit

VAJZA që sheh këtu është 12 vjeçe. Jezui po i mban dorën, kurse nëna e babai i saj po qëndrojnë afër. A e di pse ata janë kaq të lumtur? Le të shohim.

Babai i vajzës është një njeri i rëndësishëm dhe e ka emrin Jair. Një ditë vajza e tij sëmuret dhe duhet të rrijë në krevat. Por nuk përmirësohet. Sa vjen e sëmuret edhe më shumë. Jairi dhe gruaja e tij janë shumë të shqetësuar, sepse duket sikur vajza e tyre do të vdesë. Vetëm këtë vajzë kanë. Prandaj Jairi shkon të kërkojë Jezuin. Ka dëgjuar për mrekullitë që po bën Jezui.

Kur Jairi e gjen Jezuin, ky është i rrethuar nga një turmë e madhe njerëzish. Por Jairi çan përmes turmës dhe i bie ndër këmbë Jezuit. ‘Vajza ime është shumë sëmurë,—thotë ai.—Të lutem, eja ta shërosh.’ Jezui i thotë se do të shkojë me të.

Ndërsa ecin, turma shtyhet për t’iu afruar. Papritur Jezui ndalon. ‘Kush më preku?’—pyet ai. Jezui ndjeu se prej tij doli fuqi, prandaj e di se dikush e ka prekur. Po kush ishte? Ishte një grua që ka qenë shumë e sëmurë për 12 vjet. Ajo u afrua, preku rrobën e Jezuit dhe u shërua!

Kjo bën që Jairi të ndihet më mirë, sepse e sheh sa të lehtë e ka Jezui të shërojë njerëzit. Por atëherë vjen një lajmëtar. ‘Mos e bezdis më Jezuin,—i thotë ai Jairit.—Vajza jote vdiq.’ Jezui e dëgjon këtë dhe i thotë Jairit: ‘Mos u shqetëso, ajo do të bëhet mirë.’

Kur më në fund arrijnë te shtëpia e Jairit, njerëzit po qajnë nga hidhërimi. Por Jezui u thotë: ‘Mos qani. Fëmija nuk ka vdekur, vetëm po fle.’ Por ata qeshin e tallen me Jezuin, sepse e dinë që ajo ka vdekur.

Atëherë Jezui shkon në dhomën ku gjendet vajza dhe merr me vete nënën e babanë e saj, si edhe tre apostuj. Ai e kap për dore vajzën dhe i thotë: ‘Ngrihu!’ Dhe ajo kthehet në jetë, siç e shikon këtu. Ngrihet dhe ecën! Ja pse nëna dhe babai i saj janë shumë, shumë të lumtur.

Ajo nuk është e para që ka ringjallur Jezui. Bibla na tregon se i pari ishte djali i një vejushe nga qyteti i Nainit. Më vonë Jezui ringjalli Lazarin, vëllanë e Marisë dhe të Martës. Kur të sundojë si mbreti i zgjedhur nga Perëndia, Jezui do të ringjallë shumë e shumë njerëz të vdekur. A nuk na gëzon kjo?