Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 88

Gjoni pagëzon Jezuin

Gjoni pagëzon Jezuin

E SHIKON pëllumbin që po zbret mbi kokën e atij burrit? Ky burrë është Jezui. Tani është rreth 30 vjeç. Burri tjetër është Gjoni. Tashmë kemi mësuar disa gjëra për të. Të kujtohet kur Maria shkoi për vizitë te kushërira e saj, Elizabeta, dhe fëmija brenda Elizabetës u hodh përpjetë nga gëzimi? Ai fëmijë ishte Gjoni. Por, çfarë po bëjnë tani Gjoni dhe Jezui?

Gjoni sapo e ka zhytur Jezuin në ujërat e lumit Jordan. Kështu pagëzohen njerëzit. Në fillim zhyten në ujë dhe pastaj ngrihen përsëri. Meqë Gjoni bën këtë punë, e quajnë Gjon Pagëzori. Por, pse e ka pagëzuar Gjoni Jezuin?

Po vetë Jezui erdhi dhe i kërkoi Gjonit ta pagëzonte. Gjoni pagëzon njerëzit që duan të tregojnë se u vjen keq për gjërat e këqija që kanë bërë. Por, a bëri ndonjëherë Jezui ndonjë gjë të keqe, që të pendohej? Jo, asnjëherë, sepse Jezui është Biri i Perëndisë, që ka ardhur nga qielli. Prandaj kishte një arsye tjetër pse i kërkoi Gjonit që ta pagëzonte. Le të shohim cila është kjo arsye.

Para se të vinte këtu te Gjoni, Jezui ishte zdrukthëtar. Zdrukthëtar është një njeri që bën gjëra prej druri, si tavolina, karrige dhe stola. Burri i Marisë, Jozefi, ishte zdrukthëtar dhe i mësoi Jezuit këtë zanat. Por Perëndia nuk e dërgoi Birin e tij në tokë që të bëhej zdrukthëtar. Ai ka një punë të veçantë për të dhe ka ardhur koha që Jezui të fillojë këtë punë. Prandaj, për të treguar se ka ardhur për të bërë vullnetin e Atit të tij, Jezui i kërkon Gjonit që ta pagëzojë. A është i kënaqur Perëndia me këtë?

Po, sepse pasi Jezui ngrihet nga uji, një zë nga qielli thotë: ‘Ky është Biri im, që më ka kënaqur.’ Gjithashtu, duket sikur hapet qielli dhe ky pëllumb ulet mbi Jezuin. Por nuk është një pëllumb i vërtetë. Vetëm duket sikur është i tillë. Në fakt, kjo është fryma e shenjtë e Perëndisë.

Tani Jezui duhet të mendojë për shumë gjëra, prandaj largohet në një vend të vetmuar për 40 ditë. Satanai shkon atje tek ai. Tri herë përpiqet Satanai që ta nxitë Jezuin të bëjë diçka kundër ligjit të Perëndisë. Por Jezui nuk pranon.

Pas kësaj, Jezui kthehet dhe takon disa njerëz që bëhen pasuesit ose dishepujt e tij të parë. Disa janë: Andrea, Pjetri (që quhet edhe Simon), Filipi dhe Natanaeli (që quhet edhe Bartolome). Jezui dhe këta dishepuj të rinj largohen për në krahinën e Galilesë. Në Galile ndalojnë në qytetin e Natanaelit, në Kanë. Atje Jezui shkon në një dasmë të madhe dhe bën mrekullinë e tij të parë. A e di se cila është? E kthen ujin në verë.