Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 83

Muret e Jerusalemit

Muret e Jerusalemit

SHIKO gjithë këtë punë që po bëhet këtu. Izraelitët po ndërtojnë muret e Jerusalemit. Kur mbreti Nabukodonosor e shkatërroi Jerusalemin 152 vjet më parë, i rrëzoi muret dhe i dogji portat e qytetit. Izraelitët nuk i ndërtuan përsëri muret, kur u kthyen fillimisht nga Babilonia në atdhe.

Si mendon ti, si ndiheshin njerëzit gjithë këto vite duke jetuar në këtë qytet pa mure? Nuk ndiheshin të sigurt. Armiqtë mund të hynin fare lehtë dhe t’i sulmonin. Por tani ky burrë, Nehemia, po e ndihmon popullin që t’i ndërtojë përsëri muret. A e di kush është Nehemia?

Nehemia është një izraelit që vjen nga qyteti i Shushanit, ku jetojnë Mordekai dhe Estera. Nehemia punonte në pallatin e mbretit, prandaj mund të ketë qenë mik i Mordekait dhe i mbretëreshës Estera. Por Bibla nuk thotë se Nehemia punonte për burrin e Esterës, mbretin Asuer. Ai punonte për mbretin që erdhi më pas, Artakserksin.

Të kujtohet, Artakserksi është ai mbreti i mirë që i dha Ezdrës tërë ato para për t’i çuar në Jerusalem, që të rregullohej tempulli i Jehovait. Por Ezdra nuk i ndërtoi muret e rrëzuara të qytetit. Le të shohim se si ndodhi që këtë punë e bëri Nehemia.

Kanë kaluar 13 vjet që kur Artakserksi i dha Ezdrës paratë për të rregulluar tempullin. Nehemia tani është kryekupëmbajtësi i mbretit Artakserks. Kjo do të thotë që i sjell verën mbretit dhe sigurohet që askush të mos përpiqet ta helmojë mbretin. Kjo është një punë shumë e rëndësishme.

Një ditë, vëllai i Nehemisë, Hanani, bashkë me disa burra të tjerë nga vendi i Izraelit, vijnë të vizitojnë Neheminë. I tregojnë për hallet që kanë izraelitët dhe për muret e Jerusalemit, që janë akoma të rrënuara. Kjo e trishton shumë Neheminë, që i lutet Jehovait për këtë.

Një ditë, mbreti vëren se Nehemia është i trishtuar dhe e pyet: ‘Pse dukesh kaq i trishtuar?’ Nehemia i thotë se është i trishtuar, ngaqë Jerusalemi është në një gjendje të keqe dhe muret janë të rrëzuara. ‘Çfarë dëshiron të bësh?’—e pyet mbreti.

‘Më lejo të shkoj në Jerusalem,—thotë Nehemia,—për të rindërtuar muret.’ Mbreti Artakserks është shumë i mirë. Ai i thotë Nehemisë se mund të shkojë dhe e ndihmon të gjejë dru për një pjesë të ndërtimit. Menjëherë pasi vjen në Jerusalem, Nehemia i tregon popullit planet e tij. Ata e pëlqejnë idenë dhe thonë: ‘Le të fillojmë ndërtimin.’

Kur armiqtë e izraelitëve shikojnë që muret po ndërtohen, thonë: ‘Do të shkojmë t’i vrasim dhe ta ndalojmë ndërtimin.’ Por Nehemia e merr vesh këtë, u jep punëtorëve shpata dhe heshta e u thotë: ‘Mos kini frikë nga armiqtë tanë. Luftoni për vëllezërit tuaj, për fëmijët tuaj, për gratë tuaja dhe për shtëpitë tuaja.’

Njerëzit janë shumë trima. Ata i mbajnë gati armët e tyre ditë e natë dhe vazhdojnë të ndërtojnë. Kështu, muret mbarojnë për 52 ditë. Tani populli mund të ndihet i sigurt brenda qytetit. Nehemia dhe Ezdra i mësojnë popullit ligjin e Perëndisë dhe njerëzit janë të lumtur.

Por prapëseprapë gjërat nuk janë siç ishin para se izraelitët të merreshin robër në Babiloni. Populli qeveriset nga mbreti i Persisë dhe duhet t’i shërbejë atij. Por Jehovai ka premtuar se do të dërgojë një mbret të ri, i cili do t’i sjellë paqe popullit. Cili është ky mbret? Si do t’i sjellë ai paqe tokës? Kalojnë 450 vjet para se të mësohet më shumë për këtë. Pastaj lind një fëmijë, dhe kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme. Por për këtë do të flasim në tregimin tjetër.