Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 81

Besimi në ndihmën e Perëndisë

Besimi në ndihmën e Perëndisë

ME MIJËRA veta bëjnë udhëtimin e gjatë nga Babilonia për në Jerusalem. Por kur arrijnë atje, Jerusalemi është i gjithi gërmadhë. Atje s’jeton asnjeri. Izraelitët duhet ta ndërtojnë çdo gjë nga e para.

Një nga gjërat e para që ndërtojnë është një altar. Ky është një vend ku mund t’i dhurojnë ose t’i flijojnë Jehovait disa kafshë. Disa muaj më vonë, izraelitët fillojnë ndërtimin e tempullit. Por armiqtë që jetojnë në vendet aty afër nuk duan që izraelitët ta ndërtojnë tempullin. Prandaj, përpiqen t’i frikësojnë, që ta ndalojnë punën. Më në fund, këta armiq e nxitin mbretin e ri të Persisë të bëjë një ligj për të ndaluar ndërtimin.

Kalojnë vite. Tani kanë kaluar 17 vjet që nga koha kur izraelitët janë kthyer nga Babilonia. Jehovai dërgon profetët e tij, Hageun dhe Zakarinë, për t’u thënë njerëzve që të fillojnë përsëri ndërtimin. Njerëzit kanë besim në ndihmën e Perëndisë dhe u binden profetëve. E fillojnë përsëri ndërtimin, edhe pse ligji thotë që nuk duhet ta bëjnë këtë.

Atëherë vjen një zyrtar pers, i quajtur Tatenai, dhe i pyet izraelitët me ç’të drejtë po e ndërtojnë tempullin. Izraelitët i thonë se kur ishin në Babiloni, mbreti Kir u tha: ‘Shkoni tani në Jerusalem dhe ndërtoni tempullin e Jehovait, Perëndisë tuaj.’

Tatenai dërgon një letër në Babiloni dhe pyet nëse Kiri, i cili tashmë ka vdekur, ka thënë vërtet kështu. S’kalon shumë kohë dhe vjen një letër nga mbreti i ri i Persisë. Letra thotë se Kiri me të vërtetë ka thënë kështu. Prandaj mbreti shkruan: ‘Lëri izraelitët të ndërtojnë tempullin e Perëndisë së tyre. Madje, të urdhëroj që t’i ndihmosh.’ Për katër vjet tempulli mbaron dhe izraelitët janë shumë të lumtur.

Kalojnë shumë vite të tjera. Tani kanë kaluar rreth 48 vjet që nga koha kur mbaroi tempulli. Njerëzit në Jerusalem janë të varfër dhe, si qyteti, ashtu edhe tempulli i Jehovait, nuk kanë një pamje të bukur. Atje në Babiloni, izraeliti Ezdra mëson se tempulli i Perëndisë ka nevojë të rregullohet. Prandaj, a e di çfarë bën?

Ezdra shkon të takojë Artakserksin, mbretin e Persisë, dhe ky mbret i mirë i jep Ezdrës shumë dhurata për t’i çuar në Jerusalem. Ezdra u kërkon izraelitëve në Babiloni që ta ndihmojnë për t’i çuar këto dhurata në Jerusalem. Rreth 6.000 veta pranojnë të shkojnë. Ata kanë me vete shumë ar, argjend si dhe gjëra të tjera të çmuara.

Ezdra është në merak, sepse gjatë rrugës ka njerëz të këqij. Këta njerëz mund t’u marrin arin dhe argjendin e t’i vrasin. Prandaj, Ezdra i mbledh njerëzit së bashku, siç e sheh në figurë. Ata i luten Jehovait që t’i mbrojë në udhëtimin e gjatë për në Jerusalem.

Jehovai i mbron vërtet. Pas katër muajsh udhëtimi, ata arrijnë shëndoshë e mirë në Jerusalem. A nuk tregon kjo se Jehovai mund t’i mbrojë ata që kanë besim në ndihmën e tij?