Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 59

Pse Davidi duhet të arratiset

Pse Davidi duhet të arratiset

PASI Davidi vret Goliadin, komandanti i ushtrisë izraelite, Abneri, e çon te Sauli. Sauli është shumë i kënaqur me Davidin. Ai e bën komandant në ushtrinë e tij dhe e merr të jetojë në shtëpinë e mbretit.

Më vonë, kur ushtria kthehet nga një betejë kundër filistinëve, gratë këndojnë: ‘Sauli ka vrarë mijëra njerëz, por Davidi ka vrarë me dhjetëra mijëra!’ Kjo e bën xheloz Saulin, sepse njerëzit e nderojnë Davidin më shumë se atë. Por djali i Saulit, Jonatani, nuk është xheloz. Ai e do shumë Davidin, e po ashtu edhe Davidi e do Jonatanin. Prandaj të dy i premtojnë njëri-tjetrit se do të jenë gjithmonë shokë.

Davidi di t’i bjerë shumë mirë harpës dhe Sauli e pëlqen muzikën e tij. Por një ditë, i shtyrë nga xhelozia, Sauli bën një gjë shumë të keqe. Davidi po i bie harpës, kur Sauli merr heshtën e tij dhe ia hedh, duke thënë: ‘Do ta mbërthej Davidin në mur!’ Por Davidi shmanget dhe heshta nuk e kap. Më vonë, Sauli e qëllon përsëri Davidin me heshtë, por nuk e vret dot. Pra, Davidi e kupton se tani duhet të jetë shumë i kujdesshëm.

E mban mend premtimin që kishte bërë Sauli? Ai kishte thënë se do t’i jepte vajzën e tij për grua atij që do të vriste Goliadin. Sauli më në fund i thotë Davidit që mund ta marrë vajzën e tij, Mikalën, por më parë duhet të vrasë 100 armiq filistinë. Mendo pak! Sauli në të vërtetë shpreson që filistinët ta vrasin Davidin. Por kjo nuk ndodh, kështu që Sauli ia jep Davidit të bijën për grua.

Një ditë, Sauli i thotë Jonatanit dhe gjithë shërbëtorëve të tij se ka ndër mend ta vrasë Davidin. Por Jonatani i thotë babait të tij: ‘Mos i bëj keq Davidit. Ai nuk të ka bërë kurrë ndonjë gjë të keqe. Përkundrazi, çdo gjë që ka bërë, të ka ndihmuar shumë. Ai rrezikoi jetën e tij kur vrau Goliadin dhe ti u gëzove kur e pe!’

Sauli e dëgjon djalin e tij dhe i premton se nuk do ta vrasë Davidin. Davidin e thërrasin përsëri në shtëpinë e Saulit dhe i shërben atij si më parë. Megjithatë, një ditë, ndërsa Davidi po i bie harpës, Sauli e hedh përsëri heshtën kundër tij. Davidi shmanget dhe heshta godet murin. Kjo është hera e tretë. Davidi e kupton se tani duhet të arratiset!

Atë natë, Davidi shkon në shtëpinë e tij. Por Sauli dërgon disa njerëz për ta vrarë. Mikala e di se çfarë ka ndër mend të bëjë i ati. Prandaj i thotë burrit të saj: ‘Po të mos ikësh këtë natë, nesër do të jesh i vdekur.’ Atë natë Mikala e ndihmon Davidin të arratiset nëpërmjet një dritareje. Për afro shtatë vjet, Davidi duhet të fshihet nga një vend në tjetrin që të mos e gjejë Sauli.