Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 69

Një vajzë ndihmon një burrë të fuqishëm

Një vajzë ndihmon një burrë të fuqishëm

A E DI çfarë po thotë kjo vajzë e vogël? Po i flet kësaj zonjës për profetin e Jehovait, Eliseun, dhe për gjërat e mrekullueshme që bën ai me ndihmën e Jehovait. Zonja nuk e njeh Jehovain, sepse nuk është izraelite. Le të shikojmë atëherë, pse vajza gjendet në shtëpinë e kësaj zonje.

Zonja është siriane. Burri i saj është Naamani, komandanti i ushtrisë siriane. Sirianët e kishin zënë robinjë këtë vajzë të vogël izraelite dhe ia kishin sjellë gruas së Naamanit, si shërbëtore.

Naamani ka një sëmundje të keqe që quhet lebër. Kjo sëmundje mund të bëjë që mishi i njeriut të bjerë copa-copa. Prandaj, vajza i thotë gruas së Naamanit: ‘Ah, sikur të shkonte zotëria im te profeti i Jehovait në Izrael. Ai do ta shëronte nga lebra!’ Më vonë, zonja ia thotë këtë Naamanit.

Naamani dëshiron shumë që të shërohet, prandaj vendos të shkojë në Izrael. Kur mbërrin atje, shkon te shtëpia e Eliseut. Eliseu dërgon shërbëtorin e tij për t’i thënë Naamanit që të shkojë të lahet shtatë herë në lumin Jordan. Kjo e zemëron shumë Naamanin, që thotë: ‘Lumenjtë e vendit tim janë më të mirë se çdo lumë i Izraelit!’ Pasi thotë këtë, Naamani ikën.

Por shërbëtorët e tij i thonë: ‘Zotëri, në qoftë se Eliseu do të të thoshte të bëje një gjë të vështirë, ti do ta bëje. Pse tani nuk lahesh siç të tha ai?’ Naamani i dëgjon shërbëtorët e tij dhe shkon të zhytet shtatë herë në lumin Jordan. Kur e bën këtë, mishi i tij bëhet i fortë dhe i shëndetshëm!

Naamani është shumë i lumtur. Ai kthehet tek Eliseu dhe i thotë: ‘Tani e di me siguri që Perëndia në Izrael është i vetmi Perëndi i vërtetë në të gjithë tokën. Prandaj, të lutem, merre këtë dhuratë nga unë.’ Por Eliseu përgjigjet: ‘Jo, nuk do të marr gjë.’ Eliseu e di që është gabim ta pranojë dhuratën, sepse ishte Jehovai ai që e shëroi Naamanin. Por shërbëtori i Eliseut, Gehazi, e do për vete dhuratën.

Dhe ja se çfarë bën Gehazi. Pasi ikën Naamani, ai vrapon që ta arrijë. ‘Eliseu më dërgoi që të të them se ai dëshiron një pjesë nga dhurata juaj për disa shokë që sapo i kanë ardhur për vizitë’,—i thotë Gehazi. Natyrisht, kjo është një gënjeshtër. Por Naamani nuk e di që është gënjeshtër, kështu që i jep Gehazit disa gjëra.

Kur Gehazi kthehet në shtëpi, Eliseu e di se çfarë ka bërë ai. Ia ka treguar Jehovai. Prandaj i thotë: ‘Meqë ke bërë këtë gjë të keqe, lebra e Naamanit do të të ngjitet ty.’ Dhe kjo ndodh menjëherë!

Çfarë mund të mësojmë nga e gjithë kjo? Së pari, duhet të jemi si vajza e vogël dhe të flasim për Jehovain. Kjo mund të sjellë shumë të mira. Së dyti, nuk duhet të jemi krenarë, siç ishte në fillim Naamani, por duhet t’u bindemi shërbëtorëve të Perëndisë. Dhe së treti, nuk duhet të gënjejmë, si bëri Gehazi. A nuk është e vërtetë që mësojmë shumë gjëra kur lexojmë Biblën?