Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 58

Davidi dhe Goliadi

Davidi dhe Goliadi

FILISTINËT dalin përsëri që të luftojnë kundër Izraelit. Tre vëllezërit e mëdhenj të Davidit tani janë në ushtrinë e Saulit. Kështu, një ditë Jeseu i thotë Davidit: ‘Çoju pak grurë dhe ca bukë vëllezërve të tu. Shko të shohësh se si janë.’

Kur Davidi arrin te kampi i ushtrisë, vrapon në radhët e betejës për të kërkuar vëllezërit. Gjiganti filistin, Goliadi, del që të tallet me izraelitët. Ka 40 ditë që e bën këtë çdo mëngjes dhe mbrëmje. Ai bërtet: ‘Zgjidhni një nga burrat tuaj të luftojë me mua. Në qoftë se ai fiton dhe më vret, ne do të jemi skllevërit tuaj. Por në qoftë se unë fitoj dhe e vras, ju do të jeni skllevërit tanë. Ju sfidoj, zgjidhni një njeri që të luftojë me mua.’

Davidi pyet disa nga ushtarët: ‘Çfarë do të marrë ai që e vret këtë filistin dhe i çliron izraelitët nga ky turp?’

‘Sauli do t’i japë atij shumë pasuri,—përgjigjen ushtarët.—Do t’i japë edhe vajzën e tij për grua.’

Por të gjithë izraelitët e kanë frikë Goliadin, sepse është shumë i madh. Ai është rreth 3 metra i gjatë dhe ka me vete një ushtar që i mban mburojën.

Disa ushtarë shkojnë dhe i thonë mbretit Saul që Davidi dëshiron të luftojë me Goliadin. Por Sauli i thotë Davidit: ‘Ti nuk mund të luftosh kundër këtij filistini. Je veçse një djalosh, kurse ai ka gjithë jetën që është ushtar.’ Davidi përgjigjet: ‘Unë kam vrarë një ari dhe një luan që donin të rrëmbenin delet e babait tim. Edhe ky filistin do të ketë të njëjtin fund. Jehovai do të më ndihmojë.’ Atëherë Sauli i thotë: ‘Shko dhe Jehovai qoftë me ty.’

Davidi zbret te një përrua, merr pesë gurë të lëmuar dhe i fut në çantë. Pastaj merr hobenë e tij dhe shkon të ndeshet me gjigantin. Kur e sheh, Goliadi nuk u beson syve. Ai mendon se do ta ketë shumë të lehtë ta vrasë Davidin.

‘Hajde,—i thotë Goliadi,—dhe do t’ua jap trupin tënd si ushqim zogjve dhe kafshëve.’ Por Davidi i thotë: ‘Ti vjen tek unë me shpatë, me shtizë dhe me heshtë, por unë vij te ti në emër të Jehovait. Sot Jehovai do të të japë në dorën time dhe unë do të të vras.’

Sapo thotë këtë, Davidi vrapon drejt Goliadit. Merr një gur nga çanta, e vë te hobeja dhe e flak me gjithë forcën. Guri fluturon drejt e në ballin e Goliadit, që bie përtokë i vdekur! Kur filistinët shohin se kampioni i tyre ka rënë, të gjithë kthehen e ia krisin vrapit. Izraelitët i ndjekin dhe e fitojnë betejën.