Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 37

Një tendë për adhurim

Një tendë për adhurim

A E DI çfarë është kjo ndërtesë? Është një tendë e veçantë për adhurimin e Jehovait. Quhet edhe tabernakull. Njerëzit e mbaruan së ndërtuari një vit pasi kishin dalë nga Egjipti. A e di se e kujt ishte ideja për ta ndërtuar atë?

Ishte ideja e Jehovait. Në kohën kur Moisiu ishte lart në malin Sinai, Jehovai i tha se si ta ndërtonte tendën. I tha ta bënte në mënyrë që të zbërthehej lehtë. Kështu pjesët e saj mund të çoheshin në një vend tjetër dhe atje të viheshin përsëri së bashku. Prandaj, kur izraelitët zhvendoseshin nga një vend në tjetrin në shkretëtirë, e merrnin me vete tendën.

Në qoftë se shikon brenda dhomës së vogël në fund të tendës, mund të dallosh një kuti ose arkë. Kjo quhet arka e besëlidhjes. Mbi arkë kishte dy engjëj ose kerubinë prej ari, një në secilin cep. Perëndia i shkroi përsëri Dhjetë Urdhërimet në dy pllaka guri, sepse të parat Moisiu i kishte thyer. Këto pllaka guri ruheshin brenda në arkën e besëlidhjes. Aty ruhej edhe një vazo plot me manë. Të kujtohet çfarë është mana?

Jehovai zgjedh Aaronin, vëllanë e Moisiut, për të qenë kryeprift. Ai e udhëheq popullin në adhurimin e Jehovait. Edhe bijtë e tij janë priftërinj.

Tani, shiko te dhoma më e madhe e tendës. Ajo është dy herë më e madhe se dhoma e vogël. E shikon kutinë ose arkën e vogël dhe pak tym që del prej saj? Ky është altari ku priftërinjtë djegin një lëndë me erë të mirë, që quhet temjan. Në dhomë ka edhe një shandan me shtatë qirinj. Dhe e treta gjë në dhomë është një tavolinë. Mbi të janë vënë 12 bukë.

Në oborrin e tabernakullit ndodhet një enë ose legen i madh plot me ujë. Priftërinjtë e përdorin për t’u larë. Gjithashtu, ndodhet edhe një altar i madh, mbi të cilin digjen kafshët e therura si blatim për Jehovain. Tenda ndodhet në mes të kampit dhe izraelitët jetojnë në çadrat e tyre rreth e rrotull saj.