Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 39

Shkopi i Aaronit çel lule

Shkopi i Aaronit çel lule

SHIKO lulet dhe bajamet e bëra që janë në këtë shkop ose thupër. Ky shkop i përket Aaronit. Lulet dhe frutat e bëra u rritën në shkopin e Aaronit brenda një nate! Le të shohim përse.

Izraelitët tashmë kanë kohë që po enden në shkretëtirë. Disa njerëz mendojnë se nuk duhet të jetë Moisiu udhëheqësi dhe nuk duhet të jetë Aaroni kryeprifti. Njëri që mendon kështu është Korahu, kurse të tjerët janë Datani, Abirami dhe 250 udhëheqës të popullit. Këta vijnë të gjithë te Moisiu dhe i thonë: ‘Pse del mbi ne të tjerët?’

Moisiu i thotë Korahut dhe atyre që e ndjekin: ‘Nesër në mëngjes merrni mbajtëse zjarri dhe vini temjan në to. Pastaj ejani te tabernakulli i Jehovait. Do të shohim kë do të zgjedhë Jehovai.’

Ditën tjetër Korahu dhe 250 pasuesit e tij vijnë te tabernakulli. Shumë të tjerë vijnë për të përkrahur këta burra. Jehovai është shumë i zemëruar. ‘Largohuni nga tendat e këtyre njerëzve të ligj,—thotë Moisiu.—Mos prekni asgjë që u përket atyre.’ Populli e dëgjon dhe largohet nga tendat e Korahut, Datanit dhe Abiramit.

Atëherë Moisiu thotë: ‘Ja si do ta kuptoni kë ka zgjedhur Jehovai. Toka do të hapet dhe do t’i përpijë këta njerëz të ligj.’

Sapo Moisiu mbaron së foluri, toka hapet. Tenda dhe pronat e Korahut, së bashku me ato të Datanit dhe Abiramit e të atyre që ishin me ta, fundosen dhe toka mbyllet mbi ta. Kur populli dëgjon britmat e atyre që fundosen në tokë, bërtet: ‘Vraponi! Toka mund të na përpijë edhe ne!’

Korahu dhe 250 pasuesit e tij janë akoma pranë tabernakullit. Prandaj, Jehovai dërgon një zjarr që i përpin të gjithë. Pastaj Jehovai i thotë Eleazarit, djalit të Aaronit, që të marrë mbajtëset e zjarrit të atyre që kishin vdekur e të bëjë me to një mbulesë të hollë për altarin. Kjo mbulesë duhet të shërbejë si paralajmërim për izraelitët, që askush tjetër veç Aaronit e bijve të tij nuk duhet të veprojë si prift për Jehovain.

Por Jehovai dëshiron ta bëjë shumë të qartë se ka zgjedhur Aaronin dhe bijtë e tij si priftërinj. Prandaj i thotë Moisiut: ‘Thuaji një udhëheqësi për çdo fis të Izraelit të sjellë shkopin e vet. Për fisin e Levit, le të sjellë Aaroni shkopin e tij. Pastaj vendosini këta shkopinj në tabernakull, përpara arkës së besëlidhjes. Shkopi i atij që kam zgjedhur si prift do të çelë lule.’

Kur Moisiu shikon mëngjesin tjetër, nga shkopi i Aaronit kanë dalë këto lule dhe bajame! A e kupton tani pse Jehovai bëri që shkopi i Aaronit të çelte lule?