Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 45

Kalimi i lumit Jordan

Kalimi i lumit Jordan

SHIKO! Izraelitët po kalojnë lumin Jordan! Po uji, ku është? Meqë në këtë periudhë të vitit bie shumë shi, vetëm pak minuta më parë lumi ishte mbushur plot. Por tani s’ka më fare ujë! Dhe izraelitët po kalojnë nëpër tokë të thatë, pikërisht siç bënë edhe në Detin e Kuq. Ku ka shkuar i gjithë uji? Ta shohim.

Kur erdhi koha që izraelitët të kalonin lumin Jordan, me urdhër të Jehovait, Josiu i thotë popullit: ‘Priftërinjtë duhet të marrin arkën e besëlidhjes dhe të shkojnë para nesh. Sapo të futin këmbët në ujërat e lumit Jordan, uji nuk do të rrjedhë më, do të ndalet.’

Kështu, priftërinjtë marrin arkën e besëlidhjes dhe e mbartin para popullit. Kur arrijnë në Jordan, priftërinjtë hyjnë brenda në ujë. Uji është i rrëmbyeshëm dhe i thellë. Por sapo këmbët e tyre prekin ujin, ai ndalon, nuk rrjedh më! Kjo është një mrekulli! Jehovai i ka bllokuar ujërat në të përpjetën e lumit. Kështu, s’kalon shumë kohë dhe në lumë s’ka më ujë.

Priftërinjtë që po mbajnë arkën e besëlidhjes shkojnë drejt e në mes të lumit të tharë. I shikon në figurë? Ndërsa ata qëndrojnë atje, të gjithë izraelitët ecin përmes lumit Jordan, duke shkelur në tokë të thatë!

Kur kanë kaluar të gjithë, Jehovai urdhëron Josiun që t’u thotë 12 burrave të fortë: ‘Hyni në lumë ku po qëndrojnë priftërinjtë me arkën e besëlidhjes. Mblidhni 12 gurë dhe vendosini në vendin në të cilin do të qëndroni këtë natë. Pastaj, në të ardhmen, kur fëmijët tuaj t’ju pyesin se çfarë nënkuptojnë këta gurë, duhet t’u thoni se, kur arka e besëlidhjes së Jehovait kaloi Jordanin, uji ndaloi, nuk po rridhte më. Gurët do t’ju kujtojnë këtë mrekulli!’ Gjithashtu, Josiu vendosi 12 gurë në shtratin e lumit, aty ku kishin qëndruar priftërinjtë.

Së fundi, Josiu u thotë priftërinjve që po mbajnë arkën e besëlidhjes: ‘Dilni nga Jordani!’ Dhe sapo dalin, lumi fillon të rrjedhë si më parë.